Shqipëria përjetoi ditët më të këqija sa i përket numrit të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi ndërkohë që të mërkurën numri i rasteve të reja shënoi një ngadalësim dhe numri i rasteve aktive ra për herë të parë në dy javë.
Shqipëria numëroi katër viktima të martën dhe 2 të mërkurën nga pandemia e koronavirusit të ri mes të cilëve ishte edhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi.
Pushi, 58 vjeç, është mjeku i parë që ndërron jetë nga COVID-19.
Shqipëria ka përjetuar gjatë dy javëve të fundit një rritje dramatike të numrit të rasteve të infektimeve me COVID-19 ndërsa numri i personave bartës aktivë të virusit kaloi në mbi 1 mijë për herë të parë të martën. Të mërkurën autoritetet shëndetësore bënë të ditur se numri i rasteve të reja të identifikuara ka rënë në 45, shifra më e ulët e regjistruar në dhjetë ditë ndërsa numri i rasteve të shëruara ishte 57, gjë që solli edhe një rënie të lehtë të rasteve aktive.
Në spitalin infektiv ka aktualisht 71 pacientë, nga të cilët dhjetë janë në trajtim intensiv.
Aktualisht 12 qytete në Shqipëri kanë vatra aktive të COVID-19 ku vatrat më të mëdha janë në Tiranë, Durrës, Shkodër e Vlorë.
Numri i të infektuarve në raport me popullsinë është shumë më i lartë se sa përkufizimi i vendosur nga Bashkimi Europian për hapjen e kufijve. Aktualisht në Shqipëri ka afro 35 persona të prekur për 100 mijë banorë ndërsa kriteri i BE-së për hapjen e kufijve është 16 persona për 100 mijë banorë me tendencë rënëse.