Sipas një raporti të publikuar nga organizatat ECPAT dhe CRCA, varfëria, paragjykimi i grupeve vulnerabël dhe emigrimi i të miturve të pashoqëruar e bëjnë Shqipërinë një vend me rrisk të lartë për shfrytëzimin dhe trafikimin e fëmijëve.
Në Ditën Europiane kundër Trafikimit të Personave, organizata ndërkombëtare ECPAT International dhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, CRCA publikuan raportin
“Shqipëria: Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale”, i cili fokusohet tek rreziqet që i ekspozojnë fëmijët ndaj trafikimit, shfrytëzimit seksual apo pornografisë.
Raporti nxjerr në pah një realitet shqetësues për situatën e fëmijëve në Shqipëri dhe një rrezik të lartë të shfrytëzimit apo trafikimit të tyre.
Shqipëria u rendit në vendin e 32-të nga 60 vende të vlerësuara nga Indeksi i Daljes në Dritë –i cili mat reagimin e shteteve ndaj shfrytëzimit seksual dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Me një indeks 49.8, vendi ynë pozicionohet mes vendeve si Xhamajka dhe Mongolia dhe larg vendeve të tjera të Ballkanit apo Europës Lindore.
Niveli i varfërisë së fëmijëve në Shqipëri mbetet i lartë dhe sipas raportit, 29.6 % e fëmijëve u kërcënuan nga varfëria në vitin 2018. Varfëria konsiderohet një rrisk i lartë në fenomenin e shfrytëzimit të fëmijëve.
Raporti thekson se fëmijët e komunitetit rom në Shqipëri përballen me rreziqe të shtuara, jo vetëm për shkak të varfërisë, por edhe të paragjykimit të këtij komuniteti dhe tolerimit të disa formave të dhunës.
Një tjetër problem i evidentuar në raport lidhet me emigrimin e fëmijëve të pashoqëruar, i cili rrit rreziqet e abuzimit dhe shfrytëzimit të tyre.
“Vetëm përgjatë dy viteve të fundit, Shqipëria zë vendin e parë për numrin e të miturve të pashoqëruar në shtetin fqinj të Italisë, me rreth 1393 minorenë të pashoqëruar nga prindërit, duke u kthyer në një target shfrytëzimi dhe trafikimi nga bandat e trafikimit,” thuhet në raport.
“Gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar ky numër i fëmijëve të pashoqëruar shkon rreth 200 për çdo vit,” shton raporti i CRCA/ECPAT.
Minorenët të cilët ndodhen apo emigrojnë të pashoqëruar në shtete të tjera, duke mos qenë të regjistruar ligjërisht, nuk gëzojnë mbrojtje ligjore shtetërore dhe si pasojë janë të rrezikuar për çdo lloj forme trafikimi.
Njëri prej objektivave të Strategjisë Kombëtare të Drejtësisë për të Mitur 2017- 2020 konsiston në hartimin dhe zbatimin e trajtimeve të posaçme dhe programeve të rehabilitimit për fëmijët që janë viktima të torturës, trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës seksuale apo dhunës në familje.
Raporti thekson se në praktikë, ka edhe shumë mangësi në zbatimin e legjislacionit.
“Shqipëria duhet të përmirësojë nivelin e ndërgjegjësimit të familjeve mbi rreziqet e trafikimit të qënieve njerëzore dhe bashkëpunimin e forcave të rendit me vende që njihen si destinacione të fëmijëve shqiptarë të trafikuar për shfrytëzim seksual,” rekomandon raporti i CRCA/ECPAT.