Struktura e Posaçme Anti Korrupsion akuzon ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë dhe një specialist se kanë marrë rryshfet për të mos ushtruar kontrolle.
Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi të premten se kishte dërguar për gjykim në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar çështjen ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë Thoma Tontonozi dhe ndaj Stjuart Bardhoshit ish-punonjës në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë.
Ata akuzohen nga prokuroria për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim.
“Nga hetimet e kryera u provua se të pandehurit e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të parregullta, me qëllim për të mos ushtruar kontrolle tatimore te subjektet private që ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Korçës”, thuhet në njoftimin e SPAK për dërgimin e dosjes për gjykim.
Mbrojtësit e të akuzuarve nuk qe e mundur të kontaktoheshin para publikimit të këtij shkrimi.
Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi u arrestuan nga policia në gusht të këtij viti. Policia njoftoi atëherë se të dy personatr ishin hetuar “intesivisht për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive”.