Bashkë me shpalljen fajtorë të familjarëve të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e 42 pasurive të llojit arë me sipërfaqe totale mbi 215 mijë m2 në Ishull Lezhë dhe në Lezhë.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të mërkurën më 3 shkurt vendimet për 11 të pandehurit si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët me anë të falsifikimit të dokumenteve tjetërsuan qindra hektarë tokë shtet, kryesisht pyje e këneta në zonën e quajtur Ishull-Shëngjin, duke i regjistruar ato në emër të tyre dhe të familjarëve si tokë arë e më pas duke i dhuruar apo shitur. Gjithashtu, është vendosur konfiskimi i 75 pronave të tjetërsuara nga të pandehurit.
Çështja në fjalë është një fraksion i dosjes 339, e ndarë prej Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Të martën u dënuan me 126.6 vjet burg edhe 17 të akuzuarit e tjerë të kësaj çështjeje, të akuzuar për krijimin e laboratorit të heroinës në Has, të zbuluar gjatë operacionit “VOL-VO 4” në tetor të vitit 2018.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi dhe me anëtarë Irena Gjoka dhe Sandër Simoni vendosi të deklarojë fajtorë 11 të pandehurit, ku dënimin më të lartë prej 6 vitesh e tetë muaj burg e mori Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Për të gjithë të pandehurit u aplikua gjykimi i shkurtuar duke u ulur një të tretën e dënimit përfundimtar, ndërkohë që për gjashtë prej tyre është pezulluar dënimi, duke u vendosur në provë, me kusht që gjatë afatit të caktuar mos të kryejnë vepra të tjera penale.
Ndërkohë, gjykata vendosi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të 75 pasurive që gjenden kryesisht në zonën Ishull-Shëngjin dhe Lezhë.
Konkretisht u konfiskuan 42 pasuri të llojit “arë” me sipërfaqe totale 215 mijë e 923 m2, që kanë rrjedhur nga tjetërsimi i pyjeve dhe kënetës; 23 prona të llojit pemëtore me sipërfaqe totale 35 mijë e 810 m2 të prejardhura nga pasuri të të njëjtit lloj; tre parcela pyll me sipërfaqe totale 9519 m2; një apartament me sipërfaqe 100.3 m2 në Shëngjin dhe një tjetër me sipërfaqe 77.3 m2 në Lezhë; ranishte me sipërfaqe 11 mijë e 582 m2 dhe pesë parcela toke për të cillat nuk përcaktohet lloji, me sipërfaqe totale 38 mijë e 191 m2.
Dënimet e gjykatës:
Gjevi Ndoka, 6 vjet e 8 muaj burgim
Mimoza Ndoka, 2 vjet e 8 muaj në shërbim prove
Emanuel Gjura, 4 vjet e 8 muaj burgim
Zef Lazri, 8 muaj burgim
Bledi Ndokaj, 3 vjet e 6 muaj burgim
Luigj Paloka, 5 vjet shërbim prove
Paulin Simoni, 3 vjet e 4 muaj burg
Vlash Gazulli, 4 vjet shërbim prove
Genc Zeneli, 4 vjet shërbim prove
Kol Lleshi, 4 vjet shërbim prove
Marjeta Peskura, 2 vjet e 8 muaj shërbim prove