Pas kundërshtimit të deputetëve të opozitës, shumica bën një hap pas nga mbledhjet online të komisioneve, me kushtin që deputetët të jenë të vaksinuar.
Mazhoranca socialiste në Kuvend bëri një hap pas ndaj vendimit për zhvillimin virtual të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, me kushtin që deputetët e pranishëm të jenë të vaksinuar.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha të mërkurën se duke nisur prej javës së ardhshme do të krijohen mundësitë që komisionet të zhvillojnë mbledhjet në mënyrë tradicionale, por deputetët duhet të sjellin me vete një certifikatë vaksinimi ose test PCR për COVID-19.
“Do t’i propozojmë Konferencës së Kryetarëve që mbledhjet të zhvillohen fizikisht, natyrisht duke respektuar distancat, por çdo deputet të deklarojë certifikatën e vaksinimit,” tha Balla për gazetarët.
Tërheqja e mazhorancës u cilësua si “kthesë në ligjshmëri” nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.
Rushaj nuk shfaqi kundërshti për kushtëzimin për vaksinimin e deputetëve, përkundrazi, e cilësoi këtë një propozim të demokratëve për të zgjidhur ngërçin e krijuar.
“…ka qenë një propozim i zv/kryetarit të Kuvendit, z. Enkelejd Alibeaj në konferencën e kryetarëve, që në respekt të çdo protokolli sigurie për jetën dhe shëndetin të mund të zhvillohen këto mbledhje, dhe kjo përfshinte edhe vaksinimin edhe testin,” tha ai.
Rushaj nuk dha përgjigje nëse deputetët demokratë ishin të gjithë të vaksinuar, ndërsa Balla tha se në dijeninë e tij, deputetët e mazhorancës ishin të vaksinuar me dy ose një dozë të vaksinës.
Ndryshimi i qëndrimit nga socialistët erdhi pasi mbledhjet e para të martën e të mërkurën u shoqëruan me debate dhe përplasje me opozitën për formatin e zhvillimit të tyre. Deputetët e opozitës e kundërshtuan vendimin e Konferencës së Kryetarëve dhe morën pjesë fizikisht në sallat e komisioneve, por pa mundur të marrin fjalën, ndërsa pjesa tjetër zhvillonte punën online.