Qindra qytetarë u bashkuan të mërkurën në një protestë para kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të bukës, të karburantit dhe produkteve të tjera bazike.
Protesta u prezantua si një organizim spontan në Facebook nga aktivistë të shoqërisë civile pas paralajmërimit për rritje të çmimit të energjisë nga kryeministri Edi Rama. Rama tha se vendi po përgatitej për një krizë energjitike, që do të ndikonte në rritjen e çmimeve.
Pankartat që mbanin në duar qytetarët tregonin dhe arsyet e revoltës së tyre, ku kundërshtohej rritja e çmimeve të produkteve bazë të shportës. Gjithashtu, kishte qytetarë që ngritën shqetësimin e rritjes së çmimeve të medikamenteve mjekësore.
Megafonin e fjalimeve e përdorën aktivistë dhe qytetarë të zakonshëm.
“Nuk kemi bukë të hamë, po varfërohemi përditë,” tha një qytetare, e cila mbante në duar një shportë me bukë në shenjë proteste për rritjen me 100 lekë të çmimit të bukës disa javë më parë.
Aktivistët që morën fjalën theksuan se kjo nuk është protestë politike, por ekonomike.
Avokati Adritatik Lapaj, i cili inicoi këtë protestë tha se u nis vetëm, por gjeti mbështetjen e mijëra qytetarëve të tjerë.
“Katër ditë më parë unë thashë do të shkoj të protestoj dhe çuditërisht u bashkuan mijëra veta. Do lë disa ditë kohë për të reflektuar mbi protestën time dhe do protestoj sërish ditën e hënë në orën 17:00. Ndoshta rastësisht bëhemi më shumë dhe se sot,” tha ai.
Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresa Qytetare u kërkoi qytetarëve të bashkohen me këtë protestë, pasi sipas tij “secili prej tyre vuante rritje e çmimeve”.
“Ne kërkojmë heqjen e taksës për qarkullim 27 lekë, heqjen e akcizës për gazin dhe heqjen e TVSH-së për produktet bazë, vezën, bukën, qumështin, vajin, orizin dhe djathin,” tha Xhemollari.
Aktori i humorit, Florian Binaj iu bashkua protestës duke akuzuar politikën se merr vendime të gabuara por pasojat e tyre i vuajnë qytetarët. “E gjithë shtresa e politikanëve nuk bën llogari se sa mund të ndikojë. Në fund të ditës, nuk janë ata që paguajnë,”tha ai.
Aktivistët lajmëruan se protestat do të vijojnë dhe tubimi i radhës është lajmëruar ditën e hënë në orën 17.00.