Përmes një paneli me titull “Kujt do t’ja lëmë Shqipërinë”, FemFest në Tiranë solli në vëmendje psikozën e përgjithshme që ekziston në brezat e rinj dhe të vjetër në Shqipëri për të braktisur vendin, sipas të cilëve vendi ynë “nuk bëhet”, për shkak të një sërë problematikash që pengojnë zhvillimin dhe avancimin e tij.
Për të thyer këto stereotipe, ekspertetët e panelit – gazetarë, shkrimtarë dhe botues – theksuan “mjetet” për të “sheruar” këto plagë të shoqërisë shqiptare.
“E vetmja shpresë që mund të ndihmojë në ndryshimin e shoqërisë tone janë mësuesit”, tha pedagogu Erion Kristo, duke shtuar se në qytetin e Elbasanit numri i studentëve të regjistruar në degën e mësuesisë vitin e fundit ishte vetëm 20, një këmbanë alarmi për mësuesinë.
“Politilka dhe media nuk po ja dalin të ndryshonë diçka, mësuesit janë ata që munden”, tha Kristo, duke shtuar se frika e tij më e madhe ishte që Shqipëria të binte në duart e padijes.
FemFest, një festival dedikuar grave shqiptare, po zhvillohet prej katër ditësh nga data 5-8 Mars, duke sjellë panele diskutimi, shfaqje teatrale, ekspozita, të cilat vënë theksin mbi jetën e gruas në Shqipëri, dhe jo vetëm.
Qëllimi i edicionit të parë të këtij festivali është të sensibilizojë shoqërinë për të ndryshuar realitetin në të cilin Shqipëria po jeton, e mbi të gjitha të krijojë të drejta të barabarta për gratë dhe vajzat në çdo sferë të jetës që ato jetojnë.
Iliriana Loxha Basha, organizatore e këtij festivali, shtroi disa pyetje për të gjetur mënyrat e duhura që të rinjtë mos të braktisin vendin, duke rritur ndjenjën e patriotizmit mes tyre.
“Nuk e kemi kaq fuqi ne si shtet për të motivuar fëmijët tanë?”, tha Ilirjana gjatë panelit të së hënës.
Ekspertët theksuan rëndësinë e distancimit nga politika dhe edukimin e pavarur dhe të pakorruptuar të brezit të ri nëpërmjet ofrimit të një jete kulturore më të zgjeruar edhe në rrethet jashtë Tiranës.
“Po të dalim jashtë Tiranës, ka qytete që akoma nuk kanë librari, apo një kinema”, u shpreh botuesja Ana Shkreli, duke theksuar rëndësinë e ekspozimit të librave dhe veprave të letërsisë në formimin arsimor të të rinjve shqiptarë.
Shkreli theksoi se edukimi i të rinjve dhe krijimi i mundësive për to është hapi i parë për të parë një ndryshim.
Elvira Dones, shkrimtare shqiptare e cila jeton prej vitesh në Zvicër dhe SHBA, u shpreh se pavarësisht se jeton larg prej atdheut, marrdhënia e saj me Shqipërinë mbetet përherë midis dashurisë dhe lodhjes.
““Shqipëtarëve u duhet më shumë kohë për të menduar dhe më shumë qetësi, bërtitet shumë e dëgjohet pak….kur gjithçka e bën me vrap gjërat nuk i mendon siç duhet”, theksoi shkrimtarja.
“Kur lexon lajmet se çfarë ndodh në Shqipëri të bëhet shumë e lodhshme, ashtu si vetë jeta këtu, por sa herë kthehem në vendin tim më krijohen fluturat në stomak, sepse po kthehem tek gjuha ime, tek njerëzit e mi”, shtoi Dones, duke kujtuar se Shqipëria ka plot gjëra magjike që ne si shqiptarë nuk i kujtojmë shpesh.