Lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, po rezulton një marrëzi e jashtëzakonshme – dhe tejet brutale. Kaq i madh është gabimi i tij me këtë luftë, saqë ai mund ta ketë bërë tani Rusinë një shtet të dështuar. i përkufizuar nga Fjalori i Oksfordit si një shtet ku “sistemi politik ose ekonomik është bërë aq i dobët, saqë qeveria nuk ka më nën kontroll asgjë”.
Tashmë ky përkufizim duket se përshkruan gjendjen aktuale të Rusisë dhe mund të presim që lufta të vazhdojë ta dobësojë më tej autoritetin e Kremlinit. Putini është në prag të mposhtjes ushtarake përballë Ukrainës dhe kjo disfatë do të sinjalizojë se Rusia nuk është as një “fuqi rajonale”, siç e përshkroi dikur ish-presidenti amerikan, Barack Obama. Ukrainasit thonë se kanë shkatërruar 50 nga 120 grupet taktike të batalioneve ruse të dislokuara në Ukrainë; ndërsa Rusia ka vetëm 170 grupe të tilla në total.
Ukraina ia detyron suksesin e saj në zmbrapsjen e forcës ushtarake konvencionale ruse, jo vetëm heroizmit dhe aftësive të ushtarëve të saj, por edhe korrupsionit të shumë-përhapur të regjimit të Putinit. Ushtria ruse ka vite që po kalbet nga brenda.
Ky dështim është edhe më i dukshëm, sepse Putini ka krijuar një shtet që ekziston vetëm për luftë – ashtu si Sparta e lashtë. Pikat më kulmore të ekzistencës së tij 22-vjeçare kanë qenë një luftë 5-ditore kundër Gjeorgjisë së vogël gushtin e vitit 2008 dhe aneksimi i Krimesë në marsin e vitit 2014. Por sulmi i dështuar ndaj Ukrainës i ka dhënë fund iluzionit. Në vend të një lufte të vogël dhe e shpejtë që synonte, Vladimir Putin po përballet tani me diçka të ngjashme me luftën katastrofike Rusi-Japoni të viteve 1904-1905, kur disfata e Rusisë shkaktoi një revolucion në vend.
Tashmë Putin nuk mund ta qeverisë dot Rusinë në asnjë kuptim konvencional. Që nga viti 2003, ai e ka sabotuar sistematikisht punën e të gjitha institucioneve shtetërore – duke eliminuar proceset demokratike, parimet e kontrollit dhe ekuilibrit dhe shtetin e së drejtës – dhe ka instaluar në vend të tyre një kleptokraci autoritare. Ai dhe një elitë e ngushtë e përbërë nga miq të tij, kanë vjedhur në një shkallë epike, duke mos bërë asgjë për qytetarët e thjeshtë të Rusisë.
Që nga viti 2012, Putin nuk ka treguar asnjë interes për zhvillimin ekonomik të Rusisë. Ekonomia nuk është rritur që nga vendosja e sanksioneve të Perëndimit në vitin 2014, në kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë, ndërsa standardet ruse të jetesës kanë rënë me 10 për qind, duke çuar në një varfëri të shumë-përhapur. Por Putinit nuk i bëhet vonë për këtë, pasi ai jeton në një dhomë të mbyllur hermetikisht gënjeshtrash dhe propagande.
Siç ka treguar historiani Timothy Snyder, Putin është një proto-fashist, që ka krijuar enkas një ideologji nacionaliste të cekët, për të justifikuar qëndrimin e tij të vazhdueshëm në pushtet. Putinizëm do të thotë të këmbëngulësh se Rusia është një fuqi e madhe dhe më pas të përpiqesh ta provosh këtë gjë duke mposhtur me forcë fuqitë më të vogla. Kur krahasohet me të, fashizmi i Musolinit dukej më i përpunuar.
Në vitin 2007, kryeministri i parë postkomunist i Rusisë (dhe miku im i mirë), Yegor Gaidar, botoi librin “Collapse of an Empire: Lessons for Modern Russia”, në të cilin ai i paralajmëroi rusët për “sindromën post-perandorake” që do të mishëronte Putini. Ajo rrugë do të çonte vetëm në shkatërrim. Dhe, në fakt, kështu po ndodh.
Në një kohë kur ekonomia ruse po rimëkëmbej pas shpërbërjes së kontrollit të centralizuar sovjetik, Gaidar shprehur shqetësimin e tij se hidhërimi për rënien e Bashkimit Sovjetik do të çonte në një autoritarizëm revanshist. Ai pa shumë paralele midis sundimit të Vladimir Putin dhe regjimit nazist në Gjemani:“Pak njerëz e kujtojnë sot se simbolet e shtetit perandorak u rivendosën në Gjermani vetëm 8 vjet pas rënies së perandorisë, në vitin 1926, dhe në Rusi pas 9 vjetësh, në vitin 2000”.
Duke iu përgjigjur deklaratës së famshme të Putinit, që e cilëson shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “tragjedia më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”, Gaidar paralajmëroi se “përpjekja për ta bërë Rusinë sërish një perandori, nënkupton të rrezikosh ekzistencën e saj. Rreziku i lëvizjes në këtë drejtim është shumë i lartë. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të kuptohen perandoritë e shekujve të mëparshëm, pse u shpërbërën ato dhe problemet që lidhen me shpërbërjen e tyre.”
Elementi kyç për të shmangur një të ardhme revanshiste dhe neo-fashiste, argumentonte Gaidar, ishte të thuhet e vërteta për të kaluarën. “Mosgatishmëria e qeverisë së Republikës së Vajmarit për të thënë të vërtetën mbi mënyrën sesi nisi Lufta e Parë Botërore, ishte një nga faktorët kryesorë që çuan në rënien e saj. E vërteta mbi arsyet dhe mekanizmat e rënies së Bashkimit Sovjetik, nuk është thënë në mënyrë sistematike”, shkroi Gaidar Më pas ai sulmoi narrativën e Putinit: “Legjenda e një vendi të lulëzuar dhe të fuqishëm të shkatërruar nga armiqtë e huaj, është një mit i rrezikshëm për të ardhmen e vendit.” Gaidar fruhej gjithnjë se Putini do të bënte pikërisht atë që po bën tani në Ukrainë. Ai kishte të drejtë, por paralajmërimet e tij nuk morën vëmendjen e duhur. Ai vdiq plot brenga në vitin 2009, në moshën 53-vjeçare, dhe tani e ardhmja e Rusisë është vënë në dyshim nga çmenduria që ai identifikoi me shumë saktësi.
Shoqëria ruse ka dështuar deri më sot që ta ndalë Putinin, ashtu siç shoqëria gjermane nuk arriti ta ndalte Hitlerin. Dhe kjo detyrë i ka rënë sërish për pjesë Perëndimit, ashtu si në vitin 1939. Tani Perëndimi duhet ta trajtojë Putinin dhe regjimin e tij në të njëjtën mënyrë siç e trajtoi Winston Churchill Adolf Hitlerin: Mos fol me të, thjesht munde atë.liderë të fiksuar si Putini janë shumë fanatikë dhe të dëshpëruar për të qenë partnerë të besueshëm negociues.
Sigurisht, tani që Putin e ka shkatërruar një të tretën e ushtrisë ruse, i vetmi argument i tij i mbetur është se ai ka armë bërthamore. Por edhe Perëndimi ka armë bërthamore dhe ky i fundit duhet t’ia bëjë të qartë Putinit dhe atyre që do të guxonin të shtypnin butonat, se çdo përdorim i armëve bërthamore, do të hasë një përgjigje hakmarrëse. Gjuha e ashpër funksionoi me Nikita Khrushchev gjatë Krizës së Raketave Kubane, dhe do të funksionojë edhe tani, sepse ajo është e vetmja gjuhë që kupton Putin. Politika e Perëndimit duhet të synojë të ndihmojë rusët t’i bëjnë realitet fjalët e mençura të presidentit Joe Biden:”Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet!”
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Putin’s Failed State