Kishte kaluar një javë pas Vitit të Ri Ortodoks në janar 2021 dhe një grup fëmijësh serbë në Kosovë po hapnin dhuratat.
Në një foto të postuar në Facebook, fytyrat e atyre që sollën dhuratat ishin të paqarta, por flamujt e organizatave që përfaqësonin jo. Njëri prej tyre shfaqte emrin Ëill2Rise, pjesë e një organizate të udhëhequr nga një ekstremist famëkeq i krahut të djathtë amerikan të quajtur Robert Rundo.
Disa javë më vonë, raportet e mediave në Serbi thanë se Rundo ishte deportuar në Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje.
Megjithatë, për një vit më parë, dhe një vit më pas, Rundo ka bashkëpunuar me një sërë grupesh të ekstremit të djathtë, të cilët ndërmarrin aktivitete “humanitare” si p.sh. shpërndarja e dhuratave për fëmijët serbë në ish-krahinën me shumicë shqiptare të Serbisë.
Aktivitetet e tij ngrenë pyetje serioze në lidhje me përgjigjen e autoriteteve në Serbi dhe Bosnjë, të cilat nuk i janë përgjigjur pyetjeve për vendndodhjen e Rundos.
Rundo tha për BIRN se ishte i lirë të intervistohej në shkurt të këtij viti në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, por nuk u paraqit, duke thënë se atij i ishte ndaluar hyrja në vend. Bellingcat raportoi në dhjetor se ai ishte kthyer në Beograd.
Marko Milosavljevic i Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, YIHR, e cila monitoron aktivitetet e organizatave të krahut të djathtë, tha se kjo nuk ishte e habitshme.
“Në disa mënyra, përveç të qenit një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, Serbia është gjithashtu një strehë e sigurt për huliganët”, tha ai për BIRN.
“Me praninë e Rundos këtu, është krijuar një lidhje ndërkombëtare midis atyre grupeve në Serbi dhe grupeve të tjera raciste në Evropë.”
Kosova si kushtrim për bashkimin e të djathtës ekstreme
Dhuratat iu dërguan fëmijëve serbë të Kosovës nga një organizatë e quajtur Junak Fondacija, ose Fondacioni Heroi, i cili postoi foto në rrjetet sociale të ëmbëlsirave, rrobave dhe lodrave të mbështjella me letër të kuqe në një stendë në lagjen Banovo Brdo të Beogradit.
Dhuratat mbanin afishe me simbole të të paktën gjashtë organizatave. Një shkruante “Identity-Style-Revolt”, me një lidhje me Will2Rise të Rundos.
Rundo konsiderohet themeluesi i “US Rise Above Movement”, R.A.M., një grup brutal supremacist i bardhë që ka krijuar të ashtuquajturat “Active Clubs” (Klube Aktive) në të gjithë SHBA-në, klube anëtarët e të cilëve, sipas Anti-Defamation League, ADL, besojnë se po luftojnë kundër një “botë moderne” të korruptuar nga “ndikimi kulturor shkatërrues” i liberalëve, hebrenjve, myslimanëve dhe emigrantëve jo të bardhë.
“Ndërsa ata e konsiderojnë veten pjesë të së djathtës, anëtarësimi i R.A.M. ka rrënjë të thella në lëvizjen raciste skinhead të Kalifornisë dhe përfshin individë që janë përballur me akuza të rënda penale”, thotë ADL për grupin R.A.M.
Sipas hulumtimit, anëtarët e R.A.M. kanë udhëtuar në Gjermani, Ukrainë dhe Itali për të shënuar ditëlindjen e Adolf Hitlerit dhe për të forcuar lidhjet me grupet e ekstremit të djathtë në Evropë.
Kosova është bërë një rast studimor për besimtarët e djathtë në teorinë e Zëvendësimit të Madh që thotë se myslimanët po përpiqen të zhvendosin të krishterët e bardhë. Sipas narrativës së tyre, kryesisht shqiptarët myslimanë e morën Kosovën, të cilësuar nga shumë serbë si djep i kombit dhe besimit të tyre ortodoks, nga Serbia.
Mbledhja e ndihmave për serbët që kanë mbetur në Kosovë është bërë një mjet popullor PR për organizatat e ekstremit të djathtë. Rundo është bashkuar gjithashtu. Në janar, ai postoi një kolazh fotografish në një grup në Telegram ku shpesh ndan përmbajtje me fëmijë serbë të Kosovës të buzëqeshur dhe dhurata që mbanin logon e organizatës “të bashkuar për shpëtimin e Kosovës dhe Metohisë”.
“Grupi ynë së bashku me disa organizata të tjera nacionaliste dhe bamirëse vizituan Kosovën dhe Metohinë”, ka shkruar Rundo krahas fotove, të postuara në një grup Telegram të quajtur “Active Club”, një referencë për klubet e krijuara nga R.A.M.
Kreu i Junak Fondacija, Dragan Grmusa tha për BIRN se organizata e Rundos kishte dhuruar para dhe dhurata, por se vetë Rundo nuk kishte shkuar në Kosovë për të dorëzuar dhuratat.
Grmusa mohoi të ishte pjesë e një rrjeti të ekstremit të djathtë në Serbi, pavarësisht faktit se ai dhe anëtarë të tjerë të Junak kanë marrë pjesë në evente së bashku me organizatat famëkeqe të ekstremit të djathtë si Leviathan dhe Lëvizja Çetnike Serbe.
Ai foli në qytetin veriperëndimor serb të Odzacit, ku Junak Fondacija ishte përgjegjës për pikturën murale të figurave fetare ortodokse si dhe Albert Andijev, një rus që luftoi në anën e Serbisë në luftën e Kosovës 1998-1999, kur forcat serbe dëbuan pothuajse një milion shqiptarë të Kosovës gjatë një fushate brutale kundër kryengritjes.
Grmusa tha se ata kishin planifikuar gjithashtu një mural që përshkruan shefin ushtarak serb të Bosnjës të kohës së luftës Ratko Mlladiç, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995. Grmusa ka përdorur rrjetet sociale për të mohuar se gjenocidi ka ndodhur në ish-zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara të Srebrenicës, ku forcat nën komandën e Mlladiçit vranë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë në një masakër që gjykata e OKB-së për ish-Jugosllavinë vendosi se përbënte gjenocid.
“Unë i qëndroj qëndrimit tim se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid”, tha Grmusa për BIRN.
Deklarata të ngjashme janë bërë në një kanal në Telegram të përdorur nga Rundo dhe bashkëpunëtorët e tij; në qershor 2021, një ditë përpara se një gjykatë e OKB-së të konfirmonte dënimin e tij, grupi lavdëroi Mlladiçin për udhëheqjen e serbëve të Bosnjës “kundër forcave rebele xhihadiste në Bosnje”.
Rundo shfrytëzon ndjenjën ultranacionaliste serbe
Rundo konfirmoi për herë të parë praninë e tij në Beograd në shkurt 2020, në një blog që përshëndeste “zgjimin e shpirtit serb” në mitingjet në qytet duke kërkuar bojkot të zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Duke shkruar për takimin me anëtarët e një grupi nacionalist të quajtur “Kormilo”, që do të thotë “timon”, Rundo tha se atij i ishte dhënë “historia e pa censuruar e Serbisë dhe i ishte thënë për ringjalljen e ndjenjave çetnike”, një referencë për lëvizjen nacionaliste çetnike serbe të kohës së Luftës së Dytë Botërore.
“Ngjarjet që po ndodhin në Serbi janë të reja, por është e lehtë të shihet se si kjo mund të jetë një flakë që ringjall ndjenjat krenare nacionaliste në rininë serbe siç pashë atë natë”, shkroi Rundo.
Adrian Shtuni, një specialist i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington, tha se Rundo e sheh veten si një udhëheqës i një lëvizjeje që nuk kufizohet vetëm në një komb.
Rundo di të “përdorë ndjenjat ultranacionaliste serbe dhe të lidhë ideologjinë raciste me ultranacionalizmin etnik”, tha Shtuni për BIRN.
Ai tha se “nuk ishte habi” që Rundo të krijonte lidhje me njerëz me të njëjtin mendim në Serbi, si një mjedis mikpritës për besimet e tij dhe një vend i mirë për të qëndruar nën radar.
“Rundo mund të përballet ende me akuza të rënda për trazira dhe të rrezikoj burgun në Shtetet e Bashkuara”, tha Shtuni, duke iu referuar sulmeve të dhunshme të kryera nga anëtarët e RAM gjatë mitingjeve në Kaliforni në vitin 2017. “Ndërkohë, baza e tij e bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve në Serbi mundëson operacionet e tij.”
Çështja kundër Rundos fillimisht u pushua nga një gjykatës i Kalifornisë në vitin 2019 dhe ai u nis për në Evropë. Por prokurorët nuk kanë hequr dorë ende nga nxjerrja e tij në gjyq.
Në shkurt 2020, Rundo u shfaq në kryeqytetin hungarez, Budapest, ku mori pjesë në ngjarjet e Ditës së Nderit në të cilat grupet e ekstremit të djathtë dhe neo-naziste u bëjnë homazhe forcave naziste që shpërthyen nga Budapesti i rrethuar nga Rusia në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sipas ADL, pikërisht këtu Rundo u prezantua me grupin serb Kormilo.
Kormilo mohoi të ishte i pranishëm. “Prandaj ne nuk takuam askënd atje, madje as Robertin”, tha grupi për BIRN.
Anëtarët e Kormilos, megjithatë, kanë marrë pjesë në të paktën dy evente ku ishte i pranishëm edhe Rundo. Një prej tyre ishte një event humanitar i organizuar nga Junak Fondacija në korrik 2020 në fshatin Bogojevo në komunën Odzaci të Serbisë veriperëndimore.
Grmusa, nga Junak Fondacija, tha se është takuar me Rundon, por nuk kanë biseduar shumë. Në një pankartë në këtë event shkruhej “Free R.A.M. – Liri për të gjithë nacionalistët”.
“Një pankartë që mbështeste organizatën e tij u shfaq në atë kohë, kështu që pyeta një mikun e tij se kush ishte ai. Ai më shpjegoi se kush ishte dhe çfarë do të thoshte. Kaq”, tha Grmusa. “Çfarë mund të them tjetër veçse ‘në rregull’. Kaq e thjeshtë është.”
Shtuni tha se Rundo po përdorte ndjenja ultranacionaliste midis serbëve.
“Për shembull, në disa tubime të organizuara nga grupet lokale ultranacionaliste ai u pa duke përdorur përshëndetjen serbe me “tre gishta” pranë protestuesve që shfaqnin simbolet e epërsisë së diskutueshme të bardhë dhe grupeve të ekstremit të djathtë”, tha Shtuni.
Në emailet e shkëmbyera me BIRN në fillim të këtij viti, Rundo tha se ishte në Bullgari; ishte në kohën e Marshimit të Lukovit, një procesion me pishtarë në Sofje në nder të një gjenerali bullgar të kohës së Luftës së Dytë Botërore, i cili udhëhoqi Unionin e Legjioneve Kombëtare Bullgare të lidhur me nazistët. Rundo mori pjesë në event në 2020.
BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur praninë e Rundos në Bullgari. Ai nuk arriti në Sarajevë për takimin e rënë dakord me BIRN në shkurt, duke thënë më vonë se atij i ishte refuzuar hyrja në Bosnje. Policia kufitare boshnjake, duke përmendur mbrojtjen e të dhënave personale, nuk pranoi të konfirmojë nëse me të vërtetë ia kishte refuzuar hyrjen, ndryshe nga viti i kaluar kur konfirmoi se ai kishte hyrë në Bosnje.
Ndërsa ishte në Bosnjën lindore, në entitetin e Republikës Srpska të populluar kryesisht nga serbët, Rundo u vizitua nga një mik i cili thotë se ai është një ish-marins amerikan dhe ka një llogari në Twitter me pseudonimin Luke. BIRN nuk ishte në gjendje të konfirmonte identitetin e mikut.
“Më përjashtuan nga ushtria për shkak të lidhjes me Rundon”, shkroi Luke në Twitter më 11 dhjetor të vitit të kaluar, duke thënë se FBI-ja kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe se atij i ishte ndaluar të udhëtonte brenda Zonës Shengen të Evropës.
Trupa e Marinës së SHBA-së nuk pranoi të komentojë për këtë histori. FBI nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.
Duke e përshkruar veten si një besimtar ortodoks, Luke tha për BIRN se kishte qenë në një “pelegrinazh fetar” kur vizitoi Rundon në Republikën Srpska, një entitet kryesisht serb i Bosnjës. Ai ka udhëtuar edhe në Kroaci, Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri. Ndërsa Kroacia është në BE, ajo nuk është ende pjesë e Zonës Shengen.
Luke tha se ai ishte përjashtuar nga marinsat për shkrimet e tij që vënë në dyshim neoliberalizmin.
“Unë nuk kam precedentë penalë, nuk kam probleme disiplinore në shkollë, nuk kam as ndonjë gjobë parkimi. Dola shumë mirë në marinë, më përjashtuan për arsye politike”, tha ai. Luke më parë postoi në Twitter se ai ishte përjashtuar për shkak të lidhjeve me ekstremizmin e krahut të djathtë.
Luke vizitoi gjithashtu Beogradin, duke marrë pjesë në një tubim të organizuar nga Patrullat Popullore, një organizatë e ekstremit të djathtë që filloi si një grup që synonte emigrantët dhe refugjatët që udhëtonin nëpër Serbi gjatë rrugës së tyre drejt Evropës Perëndimore, por më vonë mori përsipër kauzën kundër vaksinimit gjatë pandemisë së COVID-19.
Një fotografi e Luke duke folur me Damnjan Knezevic nga Patrullat Popullore u publikua nga një platformë e quajtur Media2Rise me mbishkrimin, “M2R në demonstratë, Beograd, Serbi”.
Media2Rise është një platformë mediatike e krijuar dhe menaxhuar nga Rundo dhe anëtarët e RAM. Ata thonë se projekti ofron një zë për të censuruarit. Ajo ka postuar përmbajtje në lidhje me protestat e ekstremit të djathtë në SHBA dhe Poloni.
Luke, i cili është etiketuar si anëtar i ekipit të Rundos në fotografi, vizitoi Klub 451, një bar i ekstremit të djathtë në Beograd, gjatë udhëtimit të tij në Serbi. Një mbishkrim në një fotografi thoshte se ai takoi “nacionalistët e Serbisë” në klub.
“Mbështetje nga Serbia”
Rundo kishte edhe markën e tij të veshjeve. Ishte një foto që ai postoi me një veshje të rej sportive që bëri që Bellingcat të raportonte në dhjetor se ai ishte kthyer në Beograd, bazuar në mbishkrimet e dukshme në sfondin e fotos. Bellingcat gjeti vendin ku ishte bërë fotografia dhe dëgjoi një burrë të fliste anglisht me theks amerikan në një ballkon aty pranë. Rundo nuk e pranoi që ishte ai, duke thënë se fotoja ishte e vjetër.
“Dëshmitë e fotografive” që vërtetuan se isha në Serbi ishin foto të vjetra të disa bluzave të vjetra që nuk arrita t’i publikoja kurrë, sepse nuk e kisha kompjuterin tim që në momentin që më dëbuan”, shkroi Rundo për BIRN.
Ai gjithashtu ka promovuar markën serbe të veshjeve Serbon Shop, duke u shfaqur në një video muzikore të realizuar nga një rreper dhe i ashtuquajturi “ambasador” i Serbon Shop i quajtur Sved.
Rundo dhe Sved morën pjesë në një tubim nacionalist së bashku në qytetin verior të Novi Sadit, një foto të të cilit Rundo e publikoi në faqen Media2Rise. Rundo shkroi për vlerën e “zgjimit të lidhjeve racore midis të afërmve”, të ndarjes së aktiviteteve të fitnesit, “të djersitjes dhe gjakderdhjes së bashku”.
Sved ka një tatuazh në bërryl me një diell të zi, i ngjashëm me atë të bërë nga Rundo. Ai është një simbol i popullarizuar në mesin e neo-nazistëve dhe supremacistëve të bardhë.
Duke hezituar të diskutonte bashkëpunimin e tij me Serbon Shop, Rundo tha për BIRN se nuk kishte bërë asgjë të keqe në Serbi. Unioni i Rinisë Komuniste të Jugosllavisë nuk pajtohet me këtë, duke akuzuar Rundon në vitin 2020 për pjesëmarrje në përdhosjen e një varri të heronjve kombëtarë në kalanë Kalemegdan të Beogradit dhe postimin e fotove si provë të kësaj.
BIRN nuk ishte në gjendje të vërtetonte në mënyrë të pavarur akuzat dhe Rundo tha se nuk ishte ai në foto.
“Unë besoj se djali në foto ka një tatuazh në dorën e djathtë, të cilin unë nuk e kam”, tha ai.
Duke gjykuar nga përmbajtja e kanaleve në Telegram, Rundo gëzon mbështetjen e një sërë organizatash të krahut të djathtë në Serbi.
Një fotografi, e cila u shfaq në grupet e Telegram-it në disa raste, tregon një sallë palestre me një peshqir të varur në mur që mban shkrimin “Kosova është Serbi – Qiproja është greke”. Në anën e pasme shkruhet “Active Club”. Fotoja mund të shihet edhe në faqen Serbon Shop.
Rundo tha për BIRN se nuk ishte në dijeni të ekzistencës së ndonjë “Active Club” në Serbi. Megjithatë, në fund të vitit të kaluar, gazetarët e BIRN vunë re një emblemë të “Active Club” dhe fjalët “Mbështetje nga Serbia” të shkruara në një mur në lagjen Petlovo Brdo të Beogradit.
Shtuni tha se Rundo po kërkonte të krijonte një rrjet ndërkombëtar të krahut të djathtë, duke thënë për BIRN: “Prania e Rundos në Serbi shton një dimension të ri të lidhjes midis një numri tashmë në rritje të organizatave lokale ultranacionaliste dhe të ekstremit të djathtë dhe një skenë më të gjerë supremaciste të bardhë në nivel ndërkombëtar”.