Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, prezantoi në një konferencë për shtyp të premten gjetjet e një anketimi të kryer në rang kombëtar, që u zhvillua gjatë nëntorit 2021 në formën e një eksperimenti social të quajtur “Shqipëria n’Kuvendim’.
Sipas raportit, qytetarët shqiptarë janë të pakënaqur me gjendjen e demokracisë në vend. Vetëm 10% e të anketuarve janë shprehur se janë ‘shumë të kënaqur’ me mënyrën se si funksionin demokracia në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër janë ‘disi’, ‘pak’ ose ‘aspak’ të kënaqur.
Më 18-21 Nëntor 2021, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me ndihmën e Qendrës për Demokraci Deliberative pranë Universitetit të Stanfordit zhvilloi në Tiranë ushtrimin e parë në rang kombëtar të anketimit deliberativ, të quajtur “Shqipëria n’Kuvendim”.
Anketimi kombëtar përfshiu në total 1,200 qytetarë shqiptarë të moshës mbi 18 vjeç dhe trajtoi 7 tematika të ndryshme mbi angazhimin e qytetarëve, mbikëqyrjen parlamentare, demokracinë e brendshme të partive politike, reformën zgjedhore, votën e diasporës, ndryshimet klimatike dhe imigrimin ekonomik.
Përsa i përket reformës zgjedhore, pothuajse gjysma e të anketuarve mendojnë se sistemi aktual zgjedhor nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve. Pjesëmarrësit në “Shqipëria n’Kuvendim” e mbështetën kalimin në sistem mazhoritar [67,8% e të anketuarve], duke argumentuar se krijon marrëdhënie më të afërt mes përfaqësuesit dhe zgjedhësve.
Të anketuarit ishin skeptikë mbi ndikimin që do të kishte ndryshimi i sistemit zgjedhor në performancën e deputetëve. Rreth 35% e të anketuarve mendojnë gjithashtu se deputetët nuk janë aspak të informuar për shqetësimet dhe prioritetet e qytetarëve, ndërsa 28% mendojnë se ata janë pak të informuar.
“Deputetët nuk po adresojnë asnjë shqetësim. Kombëtar apo lokal,”ka thënë një prej të anketuarve.
Të anketuarit vunë në pikëpyetje edhe integritetin e deputetëve dhe evidentuan mungesën e transparencës së Kuvendit.
“Deputetët i kemi të importuar, jo të zgjedhur, sepse listat zgjedhore janë të mbyllura”, tha një nga pjesmarrësit.
Si rrjedhojë, edhe mbi “Mbikëqyrjen parlamentare”, gjetjet nxorën në pah nivelin e ulët të besimit të publikut tek institucioni i Kuvendit.
Në lidhje më çështjet e mjedisit dhe imigrimit ekonomik duket se qytetarët e anketuar kanë mbajtur qëndrime neutrale.
“59,4% thonë se nuk e dinë nëse Shqipëria ka një ligj për ndryshimet klimatike, ndërsa vetëm 20% kanë dijeni për këtë ligj,” thuhet në raport.
Pavarësisht se rreth 66% e të anketuarve e konsiderojnë serioze ndotjen e ajrit, ata nuk janë të gatshëm të paguajnë taksa më të larta për mbrojtjen e mjedisit.
“Prisja të kishte më shumë reagim në lidhje me këto çështje. Sigurisht ka nevojë për më shumë diskutim dhe informim të publikut për cështjet e mjedisit dhe imigrimit, ndryshe nga çështjet politike,” tha Gjergji Vurmo, drejtor programi pranë IDM.
Në lidhje me konceptin e “imigrimit ekonomik”, vetëm 38% e të anketuarve janë përgjigjur se Shqipëria duhet të jetë e hapur të pranojë fuqi të huaj punëtore.
Gjithsesi, pjesa më e madhe favorizojnë prioritetin e punonjësve shqiptarë, përpara se të rekrutohen të huaj.
“80% e të anketuarve mbështetën argumentin se qeveria shqiptare duhet të rrisë pagat për shtetasit shqiptarë dhe jo të importojë forcë të huaj punëtore,” thuhet në raport.