Kuvendi zgjodhi me shumicë votash të enjten bordin e ri drejtues të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) mes kandidatëve të vetofruar, atyre të propozuar nga shoqatat e ish të përndjekurve dhe të drejtave të njeriut dhe një propozim të kryeministrit.
Në bordin e ri u zgjodh kryetarja në detyrë e këtij institucioni, Gentiana Sula, e cila mori 105 vota pro, anëtari aktual i bordit Altin Hoxha me 80 vota, Albert Nikolla si propozim i kryeministrit, 86 vota, Gjergj Marku u votua mes 3 kandidatëve nga shoqatat e ish-të përndjekurve me 83 vota dhe Skënder Vrioni si e vetmja kandidaturë nga organizatat e të drejtave të njeriut me 85 vota pro.
Balancimi politik i këtij institucioni të pavarur është 3 me 2 në favor të mazhorancës, duke u bazuar në përkatësinë partiake të deputetëve që kanë firmosur për kandidaturat e anetarëve të rinj.
Votat e deputetëve socialistë ishin vendimtare edhe në përzgjedhjen e kandidatëve që vinin me propozim të deputetëve të opozitës.
Kandidatët kishin kaluar më parë në filtrin e një përzgjedhje në komisionin e ligjeve, ku deputetët socialistë rrëzuan kandidaturat e Markut dhe Vrionit, të cilat më pas i votuan në seancë. Ndërsa emri i Simon Mirakajt që kaloi përzgjedhjen në komision u rrëzua në votimin përfundimtar.
Kandidatura e tij shkaktoi debat për shkak të firmës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA. Deputeti demokrat Gazmend Bardhi u kujtoi socialistëve se kishin shkelur betimin publik se nuk do të votonin asnjë nismë a kandidaturë që vinte me firmën e Berishës.
Një deputet i mazhorancës në komisionin e ligjeve i tha BIRN-it se ata “kishin vullnetin për të votuar dy emra që vinin nga opozita, por vetë opozita nuk ishte e qartë se kë donte për shkak të konfliktit të brendshëm”.
Mandati i Bordit të AIDSSH-së kishte përfunduar që në muajin dhjetor dhe pothuaj gjatë gjithë mandatit të parë kishte funksionuar në mungesë të një anëtari pas dorëheqjes së Daut Gumenit në vitin 2018. Kuvendi mbajti disa vite peng kandidaturën e Besim Ndregjonit, propozim i ardhur nga shoqatat e të përndjekurve për këtë bord. Ai rikandidoi po emri i tij u rrëzua të premten në seancë.