Në ditët e nxehta të qershorit, era e rëndë e puseve të naftës në qytetin e Kuçovës ndjehet më e fortë. Ndonjëherë, nafta rreth pellgjeve të zeza është e ngrirë. Herë të tjera, ajo pikon nga ingranazhet e puseve që punojnë.
Rrjedhja e naftës nga puset është burimi kryesor i ndotjes në Kuçovë dhe pellgjet e zeza gjenden shpesh brenda oborreve të shtëpive. Kompania publike e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka detyrimin që të pastrojë ndotjet nga nafta, por kjo nuk ndodh gjithmonë.
Përfaqësuesit e Albpetrol thonë se po bëjnë përpjekje për pastrimin e zonës, por fajësojnë teknologjinë e vjetër dhe ndërtimet informale pranë puseve të naftës.
“Ne vazhdojmë duke bërë studimet tona, duke gjetur mundësinë për krijimin e këtyre gropave ekologjike, për t'i eliminuar,” tha Gentian Allabaku, kryetar i Degës Teknike në Qendrën e Prodhimit të Naftës, Albpetrol, Kuçovë.
“Sot është e vështirë, sidomos në këto puset e teknologjisë së Italisë, që janë me rrota që litarët kalojnë nëpër gardhe, bahçe, themele shtëpish, kur i thonë dhe është e pamundur ta menaxhosh punën,” shtoi ai.
Sipas dy raporteve të fundit të vetëmonitorimit mjedisor të kryera nga Albpetrol në vitin 2020 në Kuçovë, industria nxjerrëse e naftës ka shkaktuar ndotje të ujërave sipërfaqësorë me hidrokarbure, fenole dhe metale të rënda.
Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë një dëm serioz për shëndetin e banorëve që jetojnë pranë puseve të naftës.
“Ndotja mjedisore nga nxjerrja e naftës është evidente dhe e njohur prej dekadash,” shprehet aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni.
“Për arsye se gjendja është jashtëzakonisht e keqe, në kuptimin e impaktit që ka në shëndetin e njerëzve në radhë të parë, jo vetëm shëndetin e njerëzve që jetojnë aty, por edhe të brezave të ardhshëm,” shtoi ai.
Albpetrol zotëron gjithsej 980 puse aktive në Kuçovë nga 1615 në total, ku pjesa më e madhe e tyre janë drejt fundit të jetës. Drejtori i qendrës së prodhimit të naftës në Kuçovë, Selfo Kapllani tha jashtë kamerave se ata prodhonin tani vetëm 51 ton nafte në ditë dhe parashikonin një humbje prej 58 milionë lekësh për vitin 2022.
E njohur prej vitesh si një hot-spot mjedisor, zona e Kuçovës ishte lënë prej të paktën dy vitesh jashtë vëmendjes së institucioneve përgjegjëse mjedisore. Në bashkinë e Kuçovës, zyrtarët e mjedisit e pranojnë se nuk kanë informacion të ri mbi nivelin e ndotjes.
“Unë nuk jam në dijeni të këtyre monitorimeve që ka bërë ndërmarrja Albpetrol,” tha Bardhyl Suli, Drejtor i Mjedisit pranë Bashkisë Kuçovë.
“Ne kemi bërë monitorimin e fundit në vitin 2016”, shtoi ai.
Sipas aktivistit mjedisor, Lavdosh Ferruni, dëmet e shkaktuara nga industria e naftës në Shqipëri janë disa herë më të larta se përfitimet.
“Njeriu ka arritur të gjejë alternativa shumë më dashamirëse me mjedisin dhe të sigurojë një jetë normale me perspektivë të një mirëqenie gjithmonë e më të mirë në të ardhmen pa naftë”, përfundoi ai.