Prokurorja Deniona Katro e Prokurorisë së Rrethit Tiranë do të përballet të hënën më 10 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko dhe Roland Ilia.
Deniona Katro e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficere e policisë gjyqësore. Në vitin 2008, Katro u emërua prokurore në Prokurorinë e Rrethit Durrës dhe prej vitit 2014 punon pranë Prokurorisë së Tiranës, ku ka mbajtur edhe pozicione drejtuese.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga prokurorja Deniona Katro nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2003, prokurorja Deniona Katro zotëronte kursime prej 900 mijë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj kap vlerën e 6.2 milionë lekëve.
Ajo zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë 4.4 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 1.1 milionë lekësh, likujditete bankare prej rreth 414 mijë lekësh dhe automjet me vlerë rreth 540 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 16.4 milionë lekë, nga të cilat gati 66% kanë si burim pagën e subjektit, 4.2% pagat e familjarëve dhe 2.3% burojnë nga mësimdhënia. Një tjetër burim në masën e 27% përbëhet nga vlera e një apartamenti të dhuruar nga prindërit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, vlen të theksohet se prokurorja Deniona Katro ka pasur shkëputje të deklarimit të pasurisë nga viti 2004 deri në vitin 2008, kur u emërua prokurore.
Gjithashtu në vitin 2012, ajo deklaron se prindërit i kanë dhuruar apartamentin ku banonin prej 20 vitesh në Durrës, i cili është rivlerësuar në vlerën 4.4 milionë lekë.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al