Importet e Shqipërisë u rritën me 19% duke arritur në 8.1 miliardë euro në vitin 2022, kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të mineraleve, karburanteve dhe energjisë elektrike, bëri të ditur Instituti i Statistikave të martën. Importet u rritën me gati 1.3 miliardë euro ndërsa grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” ishte përgjegjës për 44% të të gjithë rritjes.
Pjesa më e madhe e rritjes së importeve duket se ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit të mallrave të importuara, pasi importi i karburanteve ka shënuar rënie në sasi. Për grupet e tjera nuk është e mundur të gjykohet veçmas sasia nga çmimi.
Eksportet e Shqipërisë u rritën me 32% duke arritur në 4.16 miliardë lekë. Edhe këtu rritja duket se u shkaktua kryesisht nga çmimet e larta të lëndëve të para. Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” njohu rritje në masën 55%. Shqipëria eksporton naftë bruto të nxjerrë nga kompania Bankers Petroleum si dhe disa operatorë të vegjël, si dhe energji elektrike që prodhohet nga hidrocentralet private.
Defititi tregtar i vendit arriti në 3.96 miliardë euro, me një rritje prej 7%. Deficiti shumë i lartë tregtar paguhet pjesërisht nga shërbimet, të tilla si turizmi, pjesërisht nga të ardhurat nga emigrantët si dhe pjesërisht nga para me burim të paidentifikuar, supozohet, para me prejardhje kriminale.
Italia është partneri kryesor tregtar në importe me 21%, pasuar nga Turqia me 12% dhe Kina me 8%.
Sa i përket eksporteve, Italia është blerësja më e madhe e eksporteve shqiptare me 43%, pasuar nga Kosova me 7.8% dhe Gjermania me 6.5%. Eksportet shqiptare në Itali janë kryesisht veshje dhe këpucë.