Ish-komunat e Bashkisë Belsh kanë dhënë fitore për Partinë Socialiste që nga viti 2015, ndërsa më herët kishin votuar në mbështetje të Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e 14 majit kandidojnë përballë njëri-tjetrit dy politikanë jetëgjatë të zonës.
Arif Tafani, agronom, u zgjodh fillimisht kryetar i bashkisë së qytezës së Belshit në vitin 2000 dhe rifitoi zgjedhjet më 2003 dhe 2007. Ai u rrëzua nga votuesit në vitin 2011, kur ata zgjodhën një kryebashkiak demokrat, Asqeri Kuqja. Në vitin 2015, Tafani u rikthye si kandidat përballë Kuqjes dhe pati një fitore jo shumë të lehtë, pavarësisht se kësaj here garonte si kandidat i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, ku përfshihej Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nëse do të rizgjidhet më 14 maj, ky do të jetë mandati i shtatë i tij, duke e bërë një nga kryebashkiakët më jetëgjatë të vendit.
Koalicioni Bashkë Fitojmë garon me Bedri Qypin, një ekonomist, i cili ka qeverisur komunën Fierzë në vitet 2007-2015.
Bashkia e re e Belshit shtrihet pothuajse tërësisht në pllajën kodrinore karstike të Dumresë, një zonë kodrash të buta me bazë gëlqerore mbi të cilat është krijuar një panoramë piktoreske me 85 liqene karstike me një sipërfaqe të përgjithshme prej 14.2 km2.
Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Belsh, Grekan, Kajan, Fierzë dhe Rrasë. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.
Bashkia numëron 26 mijë qytetarë në listat e votimit ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë, nga 53% në vitin 2011, në 41% në vitin 2021. Rënia e pjesëmarrjes në votime ka gërryer votat e partive të koalicionit opozitar ndërsa Partia Socialiste ka arritur të përmirësojë rezulatin e vet të mëparshëm. Bashkia e Belshit është pjesë e qarkut Elbasan, ku angazhimi i elementëve të krimit të organizuar në zgjedhje është shumë i fortë.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com