Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” (APJ Albania) dhe Instituti i Mediave Online e Sociale (IMOS Albania) dënuan në një deklaratë për shtyp të publikuar të enjtensulmet e nisura prej disa ditësh në disa media online, kundër gazetares Ola Xama, të cilat, sipas deklaratës, “dukshëm kanë për qëllim intimidimin e saj dhe denigrimin e figurës së saj.”
“APJ Albania dhe IMOS Albania konsiderojnë se kjo është një fushatë e qëllimshme denigruese e kërcënuese, për shkak të detyrës, si pasojë e shkrimeve investiguese të gazetares Ola Xama, përmes të cilave ajo ka ekspozuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera të rënda korruptive.”
“Fushata e sulmeve është intensifikuar ditët e fundit me publikimin e materialeve shantazhuese e kërcënuese kundër saj dhe familjarëve të saj të afërt, me qëllimin që të intimidojnë gazetaren, që të ndërpresë investigimet e saj,” vijon më tej deklarata.
Xama u vendos nën sulm nga një numër portalesh verën e kaluar pas publikimit të investigimit Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK.
Pas publikimit të investigimit, Veliaj i shkroi në një mesazh privat Xamës duke e shpallur atë “vrasëse me pagesë” dhe “militante”, një terminologji që u shumëfishua nga portale të ndryshme online dhe nga gazeta DITA për ditë të tëra.
Xama iu drejtua gjykatës me padi për shpifje kundër Ditës dhe Prapaskenës në lidhje me këto fushata denigruese..
Më herët, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt bëri thirrje për ndalimin e sulmeve dhe solidarizim me gazetaren.
“APJ Albania dhe IMOS Albania i shprehin solidaritetin koleges Ola Xama duke u bashkuar me organizatat e tjera të medias që kanë reaguar, dhe u bëjnë thirrje gazetarëve, mediave e organizatave të tjera të mediave apo të të drejtave të njeriut, që të kërkojnë bashkë me ne, ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve të tilla, të cilat jo vetëm dëmtojnë gazetarinë dhe lirinë e shprehjes, por vënë në rrezik edhe sigurinë e gazetares,” thuhet në deklaratë.
APJ Albania dhe IMOS Albania do të informojnë për këtë rast edhe organizatat partnere ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare, të cilat janë të angazhuara energjikisht në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit e të shprehjes, vijon më tej deklarata.