Gjatë javës së fundit kryeministri Rama ka publikuar më shumë postime dhe ka marrë më shumë pëlqime nga publiku se sa Berisha dhe Basha
Kryeministri Edi Rama duket se është politikani më aktiv në Facebook për momentin duke publikuar 36 postime dhe duke marrë 155 mijë ndërveprime nga njerëzit gjatë javës së fundit, gati dy herë më shumë se sa aktiviteti i Berishës. Të dhënat janë grumbulluar nga shërbimi Faqe për t’u Ndjekur (Page to Watch) që ky rrjet i medias sociale e ofron për menaxherët e faqeve.
Ndryshe nga numri i pëlqimeve të një faqeje të caktuar, të cilin mund ta shohë gjithkush, Facebook nuk bën publike numrin e njerëzve realisht të shërbyer nga faqet apo numrin e njerëzve të angazhuar me pëlqime, komente apo ndarje. Këto të dhëna u jepen vetëm menaxherëve të faqes.
Por prej disa muajsh Facebook ka krijuar një shërbim për menaxherët e faqeve të quajtur Pages to Watch, i cili u shërben menaxherëve të ndjekin ecurinë e faqeve që i konsiderojnë konkurrente. Ky shërbim i përdorur për të matur aktivitetin e faqeve të politikanëve kryesorë në vend, tregon se Rama ka praninë më efikase në këtë rrjet social.
Statistikat
Kryeministri Rama ka realizuar 36 postime në Facebook gjatë javës së fundit dhe ka patur 155 mijë ndërveprime (pëlqime, komente apo ndarje).
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka një numër më të madh pëlqimesh në faqen e tij se sa Rama, publikoi 9 postime gjatë javës së kaluar dhe mori 90 mijë ndërveprime. Lulzim Basha, i cili ka një faqe me 530 mijë like, pati 10 postime gjatë javës së kaluar por vetëm 7,300 ndërveprime.
Erjon Braçe, i cili është prej kohësh shumë aktiv në Facebook, pati 17 postime gjatë javës së kaluar dhe 2,500 ndërveprime.
Erion Veliaj, ministri i Mirëqënies, i cili është gjithashtu shumë aktiv në faqen e tij në Facebook ku ka 170 mijë pëlqime, pati 12 postime gjatë javës së kaluar dhe 8,800 ndërveprime.
Ndërveprimet e matura nga Facebook nënkuptojnë numrin e pëlqimeve, komenteve apo ndarjeve, por jo numrin e njerëzve të angazhuar. Në rast se një njeri pëlqen çdo postim të një politikani, ai numërohet aq herë sa ka shtypur butonin pëlqim. Dhe në rast se një njeri bën 100 komente në një postim, kjo llogaritet si 100 ndërveprime. Rrjedhimisht statistikat e mësipërme duhet të merren si ndërveprime dhe jo si njerëz që janë angazhuar në faqet e politikanëve përkatës.
Nga ana tjetër, politikani që ka më shumë aktivitet në median sociale, pra më shumë postime, ka mundësinë të marrë më shumë ndërveprime.
Media shoqërore është bërë platforma e parapëlqyer e komunikimit të politikanëve me popullin. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare u krijua edhe një si lloj gare se kush prej politikanëve mblidhte më shumë pëlqime në Facebook. Por pëlqimet jo gjithmonë janë njerëz realë. Nëpër botë ka shumë kompani të njohura si ferma klikimesh, të cilat ofrojnë pëlqime në Facebook duke përdorur llogari njerëzish joekzistentë.
Që prej shumë vitesh, Facebook ka vendosur një mënyrë arsyetimi (algoritëm) në bazë të së cilit cakton se sa prej njerëzve që kanë pëlqyer një faqe do të marrin në ekranin e tyre postimet e kësaj faqeje. Zakonisht kur një faqe poston diçka, ai postim i shfaqet 2 deri në 45 për qind të të gjithë njerëzve që e kanë pëlqyer atë faqe. E njëjta gjë shërben edhe për postimet individuale të njerëzve që kanë krijuar qindra miqësi në rrjetet shoqërore.