Pas incidenteve të dhunshme në ndeshjen Serbi-Shqipëri, urrejtja triumfoi mbi arsyen në reagimin e medias dhe rrjeteve sociale.
Shumica reale e qytetarëve në Shqipëri dhe e atyre në Serbi e kanë patur të pamundur këto ditë të shprehin haptas mendimin e tyre pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ato kanë përballur me furinë e urrejtjes që u shfaq si asnjëherë tjetër më parë, në media, në rrjetet sociale, e deri në kancelaritë kryesore të dy vendeve.
Pasqyrimi i medias, qoftë në Serbi e qoftë këtu në Shqipëri ka qenë si pasqyrimi i dy vendeve në luftë apo në prag të luftës, ndërkohë që qytetarët e zakonshëm, absolutisht më të shumtë në numër se ato që zhurmojnë, e kanë përjetuar këtë ngjarje si një makth që do duhet të kishte marrë fund së paku një dekadë më parë.
Nuk po flas vetëm për atë që ndoodhi në stadium, por për atë që ndodhi më pas.
Është e pabesueshme energjia negative që makineritë propagandistike, kinse të pavarura, apo të varura direkt nga shtetet, të djathta, të majta, nacionaliste apo media rozë, kanë përcjellë këto ditë.
Në prag të ndeshjes shumë pak njerëz vazhdonin të mendonin se ky zell, për luftë ‘virtuale’ vazhdonte të ekzistojë mes nesh.
Megjithatë, në këtë konflikt të vjetër, për herë të parë kemi një element të ri: ndikimin e medias sociale, dhe për të kuptuar impaktin e saj duhet të parashtrojmë disa pyetje.
A ndikoi media sociale për të demokratizuar informacionin apo për të mobilizuar nacionalizmin dhe ndjenjat më të egra mes dy popujve?
Kjo paradë statusesh në Facebook, sa e ndikoi apo detyroi median tradicionale në punën e saj për të treguar të vërtetën?
Informacion i shpërndarë në median sociale demokratizon apo jo median tradicionale? A ka sot media tradicionale dhe shoqëria filtra për ta konfirmuar këtë informacion, sido që ai të jetë?
Këto pyetje marrin një rëndësi të veçantë kur masa e rëndë dhe e paformë e mesazheve që ne marrim nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv çdo ditë e më shumë merr forma të tjera.
Mirëpo askush, hë për hë, nuk po ndalet të pyesë: çfarë do bëjmë realisht me tërë këtë urrejtje dhe energji negative që ajo qenka e aftë të prodhojë?
Leksioni më i madh që buron nga ngjarja e fundit mes Serbisë dhe Shqipërisë ka të bëjë me faktin se, në një moment të caktuar nervozizmi kolektiv, zërat e atyre që mendojnë ndryshe e që mund të jenë në shumicë, por jo aq të dukshëm, janë të fundit që dëgjohen.
Ne i paskërkemi gazetarët dhe prodhuesit e lajmeve më të rrezikshëm se çdo ushtri në nervin më të keq te vetin!
Sepse s’po dinë të dallojnë kush është lajm e kush është emocion! Për shembull kjo furia për të botuar çdo lajm të pavërtetë dhe të sajuar me futbollistë botërorë që i dalin në mbrojtje Shqipërisë, është për të vënë kujën për një media që aspiron të ketë standarde.
I paskërkemi më të flaktët ekstremistë mes nesh, më të zellshëm për të spërkatur urrejtje se ç’mund të jetë Papa vetë i zellshëm ndaj Ungjillit.
Në qoftë se në stadiumin Partizanit të Beogradit u valëvit një banderolë me simbole Shqiptare she nënshkrimin ‘authochtonous’ në televizion gazeta dhe internet ajo u zëvendësuar me parullën “O me ne, o me armikun,”
Dhe kush nuk i nënshtrohej kësaj të fundit, binte pre e huliganëve virtualë që popullojnë hapësirën mediatike shqiptare, brenda dhe jashtë rrjetit.
Pyetja lind natyrshëm nëse mund të krijojmë një hapësirë të sigurt ku njerëzit e ftohtë, të sinqertë dhe mendje hapur të thonë mendimin e tyre, përballë vrullit, dhe errësirës së ekstremizmit?