Analize30 Oct 2021

Albert Spiro u penalizua nga deklarimet e pasakta dhe pamundësia për të provuar një hua

Sipas Komisionit, gjyqtari i Vlorës, Albert Spiro nuk provoi dot marrjen e një huaje 50 mijë euro për blerjen e një apartamenti në Tiranë, si dhe as mundësinë e huadhnësve në momentin e transaksionit. Kësaj balance negative i’u bashkuan edhe ato të konstatuara në burimet e pasurive të tjera për shkak të pasaktësive në deklarimeve, që në total kapin vlerën 10 milionë lekë. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Albert Spiro pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 12 korrik të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Albert Spiro pasi u gjet në pamundësi finaciare në vlera të mëdha për justifikimin e pasurive të tij. Ndërkohë, Spiro u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u gjetën probleme për profesionalizmin.

Nga hetimi administrativ u konstatua se Spiro kishte kryer deklarime jo të sakta të likujditeteve cash në deklaratën veting, si dhe rezultoi me balanca negative në blerjen e një apartamenti + garazh në Vlorë; të një apatamenti + dy garazhe në Tiranë dhe të një autoveture. Vetingu për gjyqtarin Albert Spiro u krye nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon.

Albert Spiro e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtar në Gjykatën e Tepelenës. Prej vitit 2006 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit të Vlorës.

Për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 98 m2 dhe garazhin 25 m2 në Vlorë në vitin 2008 kundrejt çmimit 6.5 milionë lekë, Spiro ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Gjirokastër në shumën 6.2 milionë lekë dhe kursimet familjare nga pagat.

KPK ka hetuar blerjen e apartamentit në Gjirokastër, prej nga ka rezultuar se ky transaksion është kryer prej subjektit para ushtrimit të detyrës. Për rrjedhojë, trupi gjykues ka vlerësuar se krijimi i kësaj pasurie nuk lidhet me procesin e rivlerësimit të subjektit.

Komisioni e ka gjetur pa probleme shlyerjen e këstit të parë në shumën 3.2 milionë lekë në vitin 2008, me burim nga shitja e apartamentit në Gjirokastër. Ndërkohë, për pagesën e këstit të dytë në shumën 2.6 milionë lekë është konstatuar balancë negative 272 mijë lekë.

Megjithëse subjekti ka pretenduar se ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve të këtij kësti, Komisioni vëren se gjendja e likujditeteve cash jashtë sistemit bankar, shtesat dhe pakësimet e tyre vlerësohen bazuar në deklaratat periodike, ku pasaktësitë kanë sjellë edhe penalizimin e Spiros në këtë rast.

Po ashtu, është konkluduar pamundësi financiare në shumën 700 mijë lekë për pagesën e këstit të tretë po në këtë vlerë. Duke ju referuar deklarimit të vitit 2011, kur Spiro ka shënuar shtimin e apartamentit + garazh, por nuk ka deklaruar pagesa të kryera apo pakësim likujditetesh. Gjithashtu, subjekti nuk ka deklaruar detyrimin e mbetur 700 mijë lekë në vitet 2008, 2009 dhe 2010.

Megjithëse kur ILDKPKI e ka pyetur Spiron në vitin 2015 për këtë situatë ai e ka konsideruar si pakujdesi mosdeklarimin e pakësimit të gjendjes cash në vitin 2011, edhe në këtë rast trupi gjykues vëren se vlerësimi kryhet bazuar në deklarimet vjetore të subjekteve dhe nuk e ka marrë pranuar këtë pretendim. “[…]Ato nuk janë ndrequr me vullnetin dhe iniciativën e vetë subjektit të rivlerësimit, por janë pretenduar në vitin 2015, pra, rreth 4 vjet më vonë”, konstaton KPK dhe nuk e ka përfshirë në analizën financiare pakësimin e gjendjes cash në shumën 700 mijë lekë në 2011-ën, duke vlerësuar se subjekti ka pasur pamundësi për shlyerjen e gjithë vlerës së këstit të tretë.

Gjyqtari Spiro ka dështuar të provojë edhe burimin kryesor të deklaruar prej tij për blerjen e apatamentit në Tiranë me sipërfaqe 95 m2 kundrejt çmimit 60 mijë euro dhe 2 garazhe për shumën 8000 euro – të një huaje në vlerën 50 mijë euro të marrë me afat 15-vjeçar, pa interes dhe pa një kontratë të nënshkruar para noterit. Veç këtij burimi, subjekti ka deklaruar edhe kursimet familjare në shumën 18 mijë euro.

Megjithëse nga hetimi është konstatuar se huadhënësi ka pasur të ardhura të konsiderueshme gjatë viteve, ka rezultuar pamundësi për dhënien e vlerës 50 mijë euro në momentin e pretenduar të këtij transaksioni.

“[…]rezulton se personat e tjerë të lidhur, nuk duket të kenë mbajtur në arkën e biznesit vlera të larta likuiditetesh cash, nuk kanë tërhequr shuma të përafërta me huan nga llogaritë bankare në periudhën kur kjo hua është dhënë, si dhe kanë investuar shumën 200.000 euro në pasuri të paluajtshme në periudhën 2008 – 2011”, konstaton trupi gjykues dhe arrin në përfundimin se subjekti nuk provoi mundësinë e huadhënësve për shumën 50 mijë euro në kohën e pretenduar.

Për rrjedhojë, Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare marrjen e kësaj vlere dhe bazuar në kërkesën e subjektit, nuk është përfshirë as kthimi. Po ashtu, është gjetur balancë negative në shumën 188 mijë lekë për kursimet familjhare në shumën 18 mijë euro.

Mungesë financiare është gjetur edhe për blerjen e një automjeti tip “Daimler Chrysler” (Mercedes-Benz), me vlerë 3.850 në vitin 2011, si burim të të cilit subjekti ka deklaruar kursimet familjare.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti ka depozituar në bankë në favor të palës shitëse shumën 10 mijë e 500 euro, dy ditë para blerjes së automjetit në Gjermani, që rezulton një vlerë shumë e lartë nga ajo e deklaruar nga subjekti si e shpenzuar për këtë pasuri.  Komisioni ka konsideruar vlerën e depozituar në bankë si shpenzim për mjetin dhe nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 956 mijë lekë.

Gjithashtu, ka rezultuar deklarim jo i saktë lidhur me gjendjen e likujditeteve cash, pasi janë konstatuar mospërputhje me ato të deklaruara si të grumbulluara në fund të vitit 2016 dhe atyre të pasqyruara në deklaratën veting.

Analiza financiare e përgjithshme është shtrirë në periudhën 1998-2016 prej nga ka rezultuar se subjekti dhe personat e lidhur me të kanë qenë në pamundësi për të përballuar me burime të ligjshme blerjen e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve ndër vite, pasi ka rezultuar balancë negative totale në shumën 10 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *