Lajm13 Jun 2018

Artistët kërcënojnë qeverinë me “luftë” për çështjen e Teatrit Kombëtar

Të alarmuar për projektligjin e jashtëzakonshëm që i jep një kompanie private pronësinë e truallit të Teatrit Kombëtar dhe të bindur se plani i qeverisë synon thjeshtë dhe vetëm përvetësimin e truallit dhe jo ndërtimin e një teatri të ri, grupi i artistëve protestues kërcënoi qeverinë me "luftë" në rast se nuk tërhiqet nga plani.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Robert Ndrenika duke folur kundër planit të qeverisë. Foto kortezi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Qeveria pretendon se ka një plan për të falur një pjesë të tokës së Teatrit Kombëtar në shkëmbim të një ndërtese të re teatri, por jo shumë janë të bindur se kjo është një skemë që synon me të vërtetë ndërtimin e një teatri. Shumë mendojnë se qëllimi i vërtetë i skemës, i prezantuar përmes një projektligji të jashtëzakonshëm, synon me të vërtetë grabitjen e truallit të teatrit për llogari të një firme private ndërsa premtimi për ndërtesë të re teatri është thjeshtë një justifikim për të fshehur vjedhjen.

Të thirrur nga deputetët e opozitës në Komisionin Parlamentar për Median dhe Edukimin, artistët e përsëritën argumentin e tyre se plani i qeverisë nuk është një  plan për ndërtim teatri, por një plan për përvetësim të një toke publike me vlerë të lartë tregtare.

Aktori legjendar i skenës dhe filmit Robert Ndrenika përsëriti para komisionit se plani për “Partneritet Publik Privat” në këtë rast është “vjedhje dhe grabitje”. Deputetët socialistë anëtarë të komisionit, disa prej të cilëve kanë shprehur publikisht mbështetjen për planin e qeverisë, nuk ishin të pranishëm në seancë duke e bojkotuar atë.

“Me keqardhje por këtu fillon lufta,” tha Ndrenika 76 vjeç, i cili ka protestuar kundër planit të qeverisë që nga shkurti i këtij viti, kur qeveria kërkoi papritur “zhvendosjen” e artistëve te një godinë tjetër, ndërsa plani për kulla private dhe koncesion nuk ishte bërë i ditur.

“Ka 20 vjet që vijon kjo tentativë për grabitje,” deklaroi Trebicka, duke rikujtuar se edhe shumë vite më parë, kur kryeministri i sotëm Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë Tiranë, pati një përpjekje për të shembur godinat e teatrit për të ndërtuar pallate.

“Ajo tokë është vërtetë e shtetit, por është e komunitetit teatror, kanë lënë kockat njerëzit atje, e të vijë një Fusha, Kodra e Mali e ta grabisi… Më lind në mendje se do të vjedhë kryeministri, ministresha. Më falni për tonin por këto fjalë i kam nga shpirti,” shtoi Ndrenika.

Qeveria nuk ka komentuar projektligjin e propozuar prej asaj vetë, i cili, duke shmangur ligjet aktuale mbi menaxhimin e pronës publike apo mbi partneritetin publik-privat, ka në plan të japë tokën drejtpërsëdrejti te kompania Fusha sh.p.k për të realizuar disa pallate dhe një ndërtesë teatri në njërin cep.

Kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj pretendon se ndërtesa ekzistuese e teatrit është në rrezik shembjeje dhe për këtë arsye, do ta shembë ndërsa argumenton se qeveria nuk i ka paratë as për ta mirëmbajtur dhe as për të ndërtuar një teatër të ri dhe për këtë qëllim ka gjetur një kompani private.

Artistët kanë protestuar çdo mbrëmje në zonën pranë Teatrit Kombëtar dhe kanë kërcënuar se do të pushtojnë ndërtesën e teatrit në rast se qeveria nuk tërhiqet nga plani i saj.

Artistët më të njohur shqiptarë janë angazhuar në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, përfshirë Robert Ndrenikën, Mirush Kabashin, Alfred Trebickën, Robert Budinën, Kastriot Çipin, Arben Derhemi e të tjerë, të cilëve u janë bashkuar qytetarë të shumtë.