Analize26 Oct 2019

Bilancet negative financiare sollën shkarkimin e Ilir Mustafajt

Vendimi i zbardhur i KPK tregon se gjyqtari Ilir Mustafaj u shkarkua pasi u gjet me mungesë burimesh të ligjshme të pasurisë për 2.6 milion lekë dhe një sërë mosdeklarimesh në vite.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Ilir Mustafaj, pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte unanime në vendimin për shkarkimin e gjyqtarit Ilir Mustafaj, deri në atë moment kandidat për në Gjykatën Kushtetuese. KPK arriti në këtë vendim duke arsyetuar se Mustafaj kishte bërë deklarime të pamjaftueshme dhe kishte mungesë burimesh të ligjshme në vite prej 2.6 milion lekë.

Trupa e KPK që hetoi Mustafajn përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Xhensila Pine relatore dhe Valbona Sanxhaktari, anëtare, e shkarkoi gjyqtarin për “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”. Në vendim del se Mustafaj u gjet me një sërë mosdeklarimesh dhe deklarimesh që u konsideruan të pamjaftueshme.

Por në vendimin e zbardhur del se dy nga anëtarët e trupës, Xhesila Pine dhe Lulzim Hamitaj,  dolën me mendime paralele sa i përket 30 mijë eurove dhe thellimit të hetimeve te personat e lidhur. Të dy qëndrimet kishin të bënin më dhënien prej familjes së gjyqtarit të një prone për ndërtimin e një pallati te një kompani ndërtimi dhe përfitimet prej saj.

Ilir Mustafaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar deri në vitin 2000 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ushtronte funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës prej vitit 2000, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pretendimi për njëanshmëri

Vendimi për shkarkimin e Mustafajt u mor më 18 korrik 2019. Në vendimin e zbardhur sëfundmi vihet në dukje se me rekomandim të vëzhguesit ndërkombëtar Hans Kijlstra, trupa gjykuese argumentoi në vendimin edhe mbi pretendimet e subjektit për njëanshmëri të relatores Pine.

Nga vendimi del se Mustafaj kërkoi përjashtimin e relatores Pine, duke e cilësuar atë të njëanshme. NJë trupë tjetër gjykuese rrëzoi këtë pretendim si të pabazuar në ligj. Por gjyqtari i shkarkuar nga KPK pretendoi se një e-mail i nisur nga Pine drejt trupës që gjykoi kërkesën për përjashtimin e saj, dokumentonte se vendimi ishte i paracaktuar.

Në vendim citohet edhe paragrafi, i cili pretendohej si paragjykues: “Në ditën e seancës dëgjimore dokumentacioni ishte finalizuar së studiuari nga trupa, por kjo nuk ka sjellë asnjë ndryshim në rezultatet e hetimit, siç pretendohet nga ana e subjektit të rivlerësimit”.

Por në argumentim treshja që gjykoi rastin e rrëzon këtë pretendim, duke thënë se edhe pse kjo përgjigje në e-mail mund “të vlerësohej e papërshtatshme në mënyrë dhe kohë” ajo nuk përbënte paragjykim. Sipas trupës kjo sepse vendimi për të përfunduar hetimin ishte marrë me unanimitet nga treshja që gjykoi rastin, pra për këtë nuk mund të fajësohej relatorja dhe se nga ana tjetër Mustafaj i kishte mundësitë të përmbyste këtë qëndrim të trupës në seancë dëgjimore dhe nëse bindej kjo e fundit mund të hapte hetimin edhe në dy kriteret e tjera.

Trupa gjykuese po ashtu vë në dukje se vendimi “vetëm mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë, nuk përbën në asnjë rast gjë të gjykuar për kriterin e figurës dhe atë të vlerësimit profesional”.

Mendimet paralele

Xhensila Pine, relatorja e çështjes për të cilën Mustafaj kishte kërkuar përjashtimin, ishte kundër cilësimit të një shume prej 30 mijë euro, të përfituar sipas Mustafajt nga dhënia prej familjes së tij e një toke për ndërtim pallati, si të ligjshme, duke e çuar bilancin negativ të subjektit 6.1 milion lekë.

Mustafaj në fakt pretendoi se shuma ishte pjesë takuese e tij prej trashëgimisë së nënës dhe se ai e përfitoi atë si parapagim nga kompania që kishte marrëveshje me familjen e tij. Ai po ashtu pretendoi se tatimi për këtë shumë duhej të ishte paguar nga kompania.

Por Pine, duke u nisur nga deklarimet dhe qëndrimi i kompanisë, vë në dukje në arsyetimin e saj se ky pretendim nuk qëndronte dhe se në rastin më të mirë shuma mund të konsiderohej si dhuratë nga familja. Ajo arsyeton se pjesa takuese e gjyqtarit te trashëgimia e nënës ishte shumë më e vogël nga sa ai pretendonte dhe se kompania nga ana e saj nuk kishte pasur detyrim të paguante tatime, përsa kohë ky ishte një dhurim i të afërmve tij (babait dhe vëllait te gjyqtari).

Mos pagimi i tatimit e bënte këtë shumë sipas Pines të paligjshme dhe kjo e çonte sipas saj bilancin negativ të Mustafajt në 6.1 milion lekë. Nga vendimi rezulton se shumica (në këtë rast Hamitaj-Sanxhaktari) pranoi si të ligjshëm përfitmin e 30 mijë eurove, duke ia lënë detyrimin për të paguar tatimet kompanisë së ndërtimit.

Shumica megjithatë në vendim pranon se gjyqtari nuk kishte deklaruar shumë 30 mijë euro në deklaratën veting. “Komisioni, gjithashtu, ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit nuk e ka deklaruar shumën prej 30.000 euro, në rubrikën e të ardhurave të përfituara, në deklaratën “Vetting”, dhe kjo e bën të pamjaftueshme këtë deklaratë, me pasojat e rastit, por ky mosdeklarim nuk mund ta bëjë jo ekzistuese këtë shumë − realisht të poseduar dhe të përdorur nga subjekti”, shprehet shumica.

Në krahun tjetër Lulzim Hamitaj kundërshtoi zgjerimin e hetimit të shumicës në kontratën e nënshkruar prej të afërmve të Mustafajt. Hetimi në fjalë zbuloi se minimalisht personat e lidhur me gjyqtarin përfitonin 76 për qind të pronës së dhënë për ndërtim “ndryshe nga pronarët e tjerë të tokës”, duke e konsideruar jo bindës burimin e pasurisë së tyre.

Hamitaj arsyetoi se zgjerimi i hetimit ishte i panevojshëm, pasi trupa arriti në përfundimin që 30 mijë eurot kishin burim të ligjshëm dhe burim i vullnetit të lirë të palëve që ishte shprehur në kontratë noteriale, pavarësisht se mosdeklarimi i tyre në deklaratën veting penalizonte subjektin. Vetë Mustafaj pretendoi se ai nuk kishte pasur rol në këtë marrëveshje.

Në këtë rast një shumicë e dytë (Pine-Sanxhaktari) duke se ka vendosur në favor të zgjerimit të hetimit te burimi i ligjshëm i të ardhurave të personave të lidhur, vëllai dhe babai i gjyqtarit.

Kjo shumicë doli në përfundimin se përfitimi i shumës prej 30.000 euro duhej ta bënte gjyqtarin të kujdeshëm, ndërsa i gjeti me probleme pasurinë e personave të tjerë të lidhur. “Trupi gjykues arrin në përfundimin se në referencë të parashikimeve ligjore, në provat që disponon Komisioni, në vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive të personave të tjerë të lidhur”, thuhet në vendim.

Problemet e pasurisë

Në pjesën tjetër të gjykimit KPK ishte unanime, ndërsa gjeti se Mustafaj “nuk ka pasur mundësi për të shlyer këstet e kredive bankare, për të përballuar shpenzimet jetike dhe  shpenzime të tjera dhe për të kursyer likuiditete në llogaritë bankare, duke rezultuar me një bilanc negativ” në total  -2.6 milion lekësh.

Ngjashëm shumica arsyetoi se gjyqtari i shkarkuar nuk ka arritur “të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur”.

KPK gjeti njësërë mospërputhjesh mes deklaratave periodike dhe asaj veting, ndërsa vuri re disa mos deklarime të ndryshimit të pasurisë. Megjithatë ajo që rëndoi situatën e Mustafajt ishte analiza financiare, për tre vite (2009, 2011, 2013).

“Bazuar në analizën financiare të kryer nga Komisioni deri në datën 10.6.2011, ditë kur është kryer veprimi financiar i depozitimit në “Emporiki Bank”, subjekti ka pasur pamjaftueshmëri financiare për të shlyer këstet e kredive bankare, për të përballuar shpenzimet minimale jetike dhe për të kursyer likuiditete, dhe krijuar gjendje cash në shumën 10.300 euro, depozituar në bankë në datën 10.6.2011”, thuhet në vendim për sa i përket vitit 2011, në të cilin Mustafaj rezultoi me minus 1 milion lekë.

Në vendimin e zbardhur del se KPK ka pranuar disa prej prapësimeve të Mustafajt duke e përmirësuar me 400 mijë lekë bilancin për vitin 2011, por që nuk ka ndryshuar rezultatin përfundimtar.

Në përfundime të ngjashme KPK doli edhe për vitin 2009 dhe 2013. Ndërkohë një prej momenteve që penalizoi Mustafajn është ndryshimi i pronësisë mbi një makinë që ishte deklaruar fillimisht në bashkëpronësi me bashkëshorten, por që më pas iu shit kësaj të fundit nga subjekti me një çmim disa herë me të shtrejtë se sa çmimi i blerjes. Shitja nuk u deklarua në deklaratën periodike dhe as në atë veting.

Mustafaj pretendoi për KPK se vlera e shitjes ishte vendosur pa kujdes dhe se veprimi ishte i tillë që nuk kishte ndryshuar asgjë brenda familjes dhe nuk kishte shtuar të ardhurat e tij e për këtë nuk ishte deklaruar.

Por trupi gjykues arriti në përfundimin se transaksioni kishte krijuar likujditete për subjektin. “Trupi gjykuese vlerëson se nëpërmjet këtij transaksioni shitje automjeti nga subjekti te bashkëshortja në të kundërt të sa deklaron subjekti ishin krijuar likuiditete të cilat duhet të pasqyroheshin në deklaratën “Vetting” dhe  në deklarimin e pasurisë të vitit 2004”, thuhet në vendim.

Sipas trupës që gjykoi rastin “subjekti nuk  arriti të shpjegojë se përse bashkëshortja bleu edhe pjesën takuese të saj ne këtë automjet dhe për më tepër me një vlerë disa here më të lartë, se vlera e blerjes, duke mos  arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie si pasuri e deklaruar në deklaratën “Vetting” nga personi i lidhur bashkëshortja e tij”.