Analize7 Jul 2018

Fatura të harruara, puna në televizion dhe foto arkive për të provuar pasurinë përpara vetingut

Gjykatësja e Kurbinit Marçela Shehu u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Shehut iu desh të gërmonte në të shkuarën e saj për të provuar edhe shuma jo të mëdha të ardhurash për të kaluar testin e vetingut.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e rrethit gjyqësor të Kurbinit, Marçela Shehu, duke dalë nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, | Foto nga: LSA

Gjykatësja e Kurbinit Marçela Shehu u konfirmua në detyrë me 4 qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi i zbardhur sëfundmi tregon se sita në të cilën po kalojnë magjistratët gjatë hetimit administrativ është mjaft e hollë.

Shehut, sipas vendimit të zbardhur në fillim të korrikut nga KPK iu desh të siguronte të dhëna e dokumentacion për të ardhura apo blerje të kryera edhe para se të bëhej gjykatëse. Asaj po ashtu, si mjaft gjykatësve të tjerë nuk iu njohën të ardhura për të cilat nuk ishin paguar tatimet, megjithëse qe në gjendje të provonte se ato kishin burim punën për një televizion lokal duke vënë në dispozicion fotografi.  Po ashtu ndryshe nga disa nga kolegët Shehu ka qenë në gjendje të sjellë dokumentacion edhe për transaksione të kryera në mesin e viteve 90’ nga prindërit.

Po ashtu KPK hetoi edhe 3 denoncime paraqitur institucionit të vetingut dhe 10 ankesa ndaj gjykatëses në KLD dhe Ministrinë e Drejtësisë, duke dalë në përfundimin se “nuk kishte indicie që ajo të kishte shkelur ligjin apo të kishte bërë gjykim të padrejtë”. As KPK nga hetimi i saj dhe as institucionet ndihmëse nuk gjetën probleme që mund të shkaktonin sipas vendimit shkarkimin e gjykatëses.

“Në përfundim të kësaj analize, nuk u gjet asnjë indice apo element që mund të ngrejë dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi që cenojnë figurën e gjyqtares, Znj. Marçela Shehu”, thuhet në vendimin e KPK-së.

“KPK e gjeti të saktë dhe të mjaftueshëm deklarimin e pasurisë “nuk janë konstatuar elemente që mund të ngrenë dyshime për fshehje apo deklarim të rremë nga ana e subjektit të rivlerësimit” nënvizion Komisioni ne vendimi e tij.

Deri tani KPK ka përfunduar hetimin administrativ për 24 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët 12 janë konfirmuar në detyrë, 8 janë shkarkuar, ndërsa për një subjekt pritet vendimi dhe për tre të tjerë këtë javë mbahet seanca dëgjimore.

Kleçkat në verifikimin e pasurisë

Por megjithëse kaloi procesin Shehu pati jo pak “probleme” për të provuar pasuritë e vëna në vite, ndërsa një pjesë e të ardhurave të pretenduara nuk u morën në konsideratë nga trupa gjykuese. Kështu KPK i ka kërkuar gjykatëses të justifikojë të ardhurat e vitit 2005 – një vit para se të merrte detyrën, kur ajo kishte blerë një makinë në vlerë 600 mijë lekë dhe kishte deklaruar kursime në vlerën 700 mijë lekë. KPK e njoftoi atë se duke konsideruar shpenzimet e jetesës ajo rezultonte minus 600 mijë lekë për të cilat duhej të sillte burimin.

Gjykatësja ka mundur në këtë rast të provojë se rreth 550 mijë lekë nga vlera e makinës ishte paguar nga prindërit. Ajo i solli KPK-sw njw marrëveshje shitje të një dyqani në pronësi të familjes dhe po ashtu të ardhurat neto nga paga të babait mësues.

Shehu është përpjekur të vërtetojë se po ashtu ishte paguar për një periudhë kohe me honorare nga Shijak TV, rreth 20 mijë lekë në muaj, por ajo sipas vendimit të zbardhur nuk ka qenë në gjendje të sjellë dokumentacion për këto të ardhura. Në një përgjigje zyrtare Shijak TV, i cili humbi licensën në vitin 2007, thotë se për shkak se pagesa ishte bërë me kohë të pjesshme dhe për shkak të kohës së kaluar nuk kishte dokumentacion.

Shehu, thotë trupa gjykuese mundi të provonte se kishte punuar në televizon, ndërsa solli fotografi kur ajo shfaqej si spikere e lajmeve aty, por KPK nuk i konsideroi këto të ardhura duke shpjeguar se ato nuk mund të shiheshin si të ligjshme pasi për to nuk ishin paguar tatime. “Duke qenë se për të ardhurat e përfituara nga subjekti si rrjedhojë e punësimit të saj me kohë të pjesshme pranë Shijak TV nuk vërtetohet pagesa e detyrimeve tatimore, në mbështetje të pikës 3 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, këto të ardhura nuk konsiderohen pasuri të ligjshme”, thuhet në vendim.

Tjetër ngërç për gjykatësen ishte dokumentimi i 4 mijë eurove që bashkëshorti i saj kishte marrë gjatë punës për një komppani në vitin 2007. Shuma ishte deklaruar më herët nga subjekti i vetingut në deklarimin periodik të pasurive, por KPK i kërkoi gjykatëses të sillte dokumentacion. Shehu arriti të siguronte një kopje mandati të vjetëruar “pak të grisur” i cili bindi KPK se paratë ishin fituar si bonus shitjeje. KPK vendosi se pamundësia për të verifikuar plotësisht transaksionin nuk ishte përgjegjësi e subjektit.

Në favor të saj duket se kanë qenë fakti se pasuria e saj e deklaruar dhe pasuria që KPK ka gjetur gjatë hetimit administrativ është në shuma normale dhe po ashtu problemet kanë qenë për sasi të vogla monetare. Shehu gjithashtu është ndihmuar nga fakti se ka qenë bashkëpunuese, siç del në vendim por edhe sepse KPK kqa qenë në gjendje të vërtetojë si korrekte transaksionet e deklaruara prej saj, si shit-blerje makine apo pagesa shkollimi për fëmijët.

Hetimi i aftësive profesionale

Përndryshe nga shumë gjykatës të cilët ngelin në procesin e deklarimit të pasurive, ata që e kanë kaluar apo nuk kanë pasur probleme në këtë hetim i janë nënshtruar nga KPK hetimit të figurës dhe po ashtu vlerësimit profesional.

Sipas vendimit të zbardhur në këtë rast ndaj gjykatëses ishin paraqitur drejtpërdrejt në KPK tre ankesa, por verifikimet nuk gjetën që gjykatësja të kishte kryer shkelje të ligjit. Një prej ankesave kishte të bënte me një vendim të marrë nga Shehu për mospërjashtim të një kolegu të saj nga një gjykim. Në denoncimin e dytë sipas KPK gjykatësja akuzohej për korrupsion, ndërsa denoncuesi pretendonte se kishte humbur çështjen ngaqë nuk kishte paguar, por KPK thotë se ai nuk paraqiti prova.  Denoncimi i tretë ishte një shpallje moskopetence prej gjykatëses.

KPK thotë po ashtu se dosjet e shqyrtuara prej Shehut nuk kishin rezultuar me probleme dhe se në rastet kur ishin apeluar vendimet e gjykatëses ishin konfirmuar.