Lajm19 Jul 2019

Jep dorëheqjen Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj njoftoi dorëheqjen e tij pasi u thirr për t’u marrë në pyetje si i dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Autor: Eraldin Fazliu, Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Ramush Haradinaj. Foto: Facebook/Ramush Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha të premten në një konferencë shtypi në Prishtinë se po jep dorëheqjen sepse ai është thirrur të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës, e cila po heton krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, 1998-2000.

“Nuk është një vendim i lehtë. Ky është realiteti,” tha Haradinaj, i cili ishte një oficer i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 me forcat serbe.

Haradinaj tha se ai nuk mund të jetë kryeministri i Kosovës dhe në të njëjtën kohë një i dyshuar.

“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj pa vakum. Do njoftoj zyrtarisht të gjitha institucionet relevante dhe do t’i qëndroj besnik atdheut tim. Ishte një nder t’i shërbeja shtetit tim,” shtoi ai.

Edhe pse ai tha se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, Haradinaj paralajmëroi se zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen së shpejti.

“Kosova duhet të jetë gati për zgjedhje. Të tjerët duhet të kuptojnë se ne jemi një shtet sovran. Përgjegjësia tani i kalon presidentit që të fillojë konsultimet për datën e zgjedhjeve,” tha ai.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë pritet të gjykojnë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Sidoqoftë, asnjë aktakuzë nuk është bërë ende publike.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por janë të bazuara në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.

Një situatë e ngjashme ndodhi në mars të vitit 2005, kur Haradinaj, i cili në atë kohë ishte kryeministër në një administratë të mëparshme, dha dorëheqjen pasi u padit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj u lirua nga akuzat për krime lufte në vitin 2008 për shkak të mungesës së provave.

Ai më pas u lirua për herë të dytë nga akuzat nga gjykata e OKB-së në nëntor 2012.