Lajm14 Sep 2020

KPK përmbyll pas 4 seancash hetimet për prokurorin Moisi Duda

Në seancën e katërt dëgjimore ndaj prokurorit të Apelit të Durrësit, Moisi Duda u njoftuan gjetjet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, ndërsa KPK bëri me dije se kishte marrë një dokument shtesë nga subjekti mbi kriterin e pasurisë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Moisi Duda pas seancës së katërt dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën e katërt dëgjimore për Prokurorin e Apelit të Durrësit, Moisi Duda, ndërsa njoftoi se për të ishte hapur hetimi edhe në dy kriteret e tjera. Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi, tha se pas shqyrtimit të disa provave shtesë në kriterin e pasurisë, ishte vendosur rihapja e hetimit edhe në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.

Në një raport të shkurtër, relatorja e çështjes Xhesila Pine vuri në dukje se Duda kishte sjellë një dokument noterial në lidhje me pjestimin e pasurisë me të vëllanë, ndërsa tha se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës.

Pine po ashtu lexoi një raport pozitiv për profesionalizmin, ndërsa vuri në dukje se prokurorit i ishte kaluar barrë prove mbi dy denoncime nga një grua, që kishte kërkuar përjashtimin e tij nga çështje ndaj saj.

Duda në fjalën e tij risqaroi se përse kishte paraqitur me vonesë marrëveshjen me të vëllanë, ndërsa tha se kjo kishte qenë e pamundur pasi pasuria e të vëllait ishte ende në emrin e prindërve. Ai tha se marrëveshja nuk ishte parë e arsyeshme, pasi ata nuk kishin mosmarrëveshje.

Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati i Dudës, Koçi Mato, i cili ndër të tjera vuri në dukje se siç i kishte thënë  më parë KPK-së, klienti i tij do të dilte shumë mirë në kriterin e figurës dhe profesionalizmit. “Isha besimplotë dhe u provua,” tha ai.

Por pas tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesi i seancës se nuk kishin dhënë shpjegime për denoncimet, Duda rimori fjalën dhe pretendoi se çështjet ndaj denoncueses i kishte marrë me short dhe se denocnuesja në asnjë moment nuk ka kërkur te drejtuesi i prokurorisë zëvendësimin me një prokuror tjetër. Ai tha se nuk kishte vlerësuar se duhej të hiqte dorë nga çështja, sepse s’kishte asnjë arsye ligjore.

Duda është i vetmi nga magjistratët ndaj të cilit janë zhvilluar disa seanca dëgjimore radhazi, pa pasur kërkesa proceduriale për shtyrje apo përjashtim trupe. Në seancën e parë, KPK njoftoi përfundim të hetimit vetëm për kriterin e pasurisë dhe vuri në dukje probleme sa i përket pjesëtimit të pasurisë me vëllain, pagesën e tatimeve për shitjen e një apartamenti, mungesë burimesh në disa vite dhe mungesën e burimit të ligjshëm për 5 milionë lekë të ardhura të bashkëshortes. Duda i ka kundërshtuar këto gjetje përmes avokatit të tij. Në seancën e dytë, ndërsa ishte vendosur të njoftohej vendimi, u bë njoftim për rihapje të hetimeve.

Ndërkohë në një seancë të  tretë u diksutua gjërësisht mbi dokumentacionin mbi pronësinë e apartamentit në Lushnje dhe mospagimin e detyrimeve tatimore për një shumë 1.2 milionë lekë. Po ashtu u vu theksi mbi deklarimin e kursimeve cash dhe atyre të vendosura në bankë. Duda pretendoi se me pakësim kishte kuptuar trasferimin nga shtëpia në bankë të parave cash dhe se i kishte konsideruar këto të deklaruara. Ndërkohë, KPK pasi bëri një sërë pyetjesh vendosi të shtyjë seancën dhe t’i japë Dudës kohë shtesë për të sjellë dokumentin që provonte pronësinë e vëllait dhe pjesëtimin e pasurisë mes tyre. Seanca për njoftimin e vendimit u caktua më 16 shtator në orën 9.30.