Analize10 Jun 2020

Më pak globalizim, më shumë multilateralizëm

Ndërsa njëfarë shkalle deglobalizimi mund të jetë e dëshirueshme sot, ky proces mbart rreziqe të mëdha, duke filluar që nga rritja e kostove të prodhimit e deri te konflikti gjeopolitik. Mënyra e vetme për të lehtësuar këto rreziqe është nëpërmjet një bashkëpunimi të zgjeruar shumëpalësh.

Autor: Kemal Derviş Project Syndicate Uashington
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Me katastrofën COVID-19 që po shton problemet për ekonominë globale, një tërheqje nga globalizimi po duket gjithnjë e më shumë e pashmangshme. Në një farë mase, kjo mund të jetë e pashmangshme. Por arritja e rezultateve pozitive do të varet nga multilateralizmi i thellë, gjithëpërfshirës dhe efikas.

Një nga nxitësit më të fuqishëm të mbështetjes për deglobalizim, është ndjeshmëria e modeleve të prodhimit që mbështeten në zinxhirët e gjatë dhe kompleks global, të cilët kanë sakrifikuar shumë në për shkak të efikasitetit afatshkurtër dhe uljes së kostos. Me shumë kompani dhe industri që varen nga furnitorët e largët – dhe që nuk kanë asnjë alternativë tjetër –  asnjë pjesë e këtyre zinxhirëve nuk mund të funksionojë, nëse nuk funksionojnë të gjitha pjesët e tij së bashku. Dhe siç ka treguar kriza COVID-19, askush nuk e di se kur pjesët do të ndalojnë së funksionuari.

Kjo është sidomos e vërtetë në lidhje me Kinën, një qendër globale e zinxhirit të furnizimit. Vendi është kryesor për prodhimin e një game të gjerë produktesh konsumi, përfshirë telefonat mobil, kompjuterët dhe mallrat shtëpiake. Për më tepër, Kina është furnizuesi më i madh në botë i përbërësve aktivë farmaceutikë, kështu që një krizë që prek prodhimin atje mund të cënojë furnizimet mjekësore në të gjithë botën.

Nuk duhet të jetë habi që izolimi Kinës për shkak të COVID-19 ndikoi menjëherë në prodhimin global. Për fat të mirë, Kina duket se ka vënë nën kontroll koronavirusin dhe aktiviteti ekonomik në vend po kthehet në normalitet, kështu që ndërprerja ka qenë e kufizuar. Por nuk ka asnjë garanci që ndërprerja tjetër nuk do të jetë më e rëndë ose do të zgjasë më shumë.

Një ndërprerje e tillë mund të vijë në formën e një krize tjetër të shëndetit publik ose një katastrofë natyrore. Por mund të jetë gjithashtu një vendim politik – atë që shkencëtarët politikë Henry Farrell dhe Abraham L. Neëman e quajnë “ndërvarësi e armatosur”.

Ky ishte një burim shqetësimi edhe para pandemisë, kur Shtetet e Bashkuara cituan shqetësimet e sigurisë kombëtare për të bllokuar gjigantin kinez të telekomunikacionit Huaëei nga tregjet e tij dhe për të kufizuar hyrjen e tij në teknologjitë dhe furnizuesit e SHBA-së. Shumë qeveri po forcojnë gjithashtu kontrollin e investimeve të huaja, duke ulur pragjet përtej të cilave shkaktohen kufizime, duke rritur numrin e sektorëve që konsiderohen strategjikë dhe duke punuar për riatdhesimin e prodhimit në këto zona.

Shumë aktivistë klimatikë gjithashtu bëjnë thirrje për më shumë prodhim vendas. Transporti global emetoi ​​796 milionë ton dioksid karboni në vitin 2012, duke përbërë rreth 2.2% të emetimeve totale antropogjene të CO2 për atë vit, sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare. Ulja e distancave për transportimin e mallrave do të avanconte synimet për reduktimin e emetimeve në botë. Por me çfarë kostoje?

Përpjekjet për të parandaluar “rrjedhjen e karbonit” – kur kompanitë zhvendosin prodhimin larg vendeve që kanë vënë në zbatim masa më të forta për reduktimin e emetimeve (të tilla si çmime për karbonin, mekanizma tregtare ose rregullore të rrepta) – gjithashtu do të nënkuptonte një lloj deglobalizimi. Tashmë, disa mbrojnë taksat e kufirit për sasinë e karbonit të emetuar për të dekurajuar këtë fenomen – një qasje që do të forconte nxitjen për prodhimin vendas.

Të gjitha këto sugjerojnë që një shkallë deglobalizimi, me theks te qëndrueshmëria, mund të jetë edhe e pashmangshme dhe e dëshirueshme. Por ky proces mbart rreziqe serioze, që nga rritja e kostove të prodhimit e deri te konflikti gjeopolitik.

Për të qenë të sigurt, disa rritje të kostove të prodhimit do të jenë të pashmangshme, ndërsa vendet përpiqen të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të ndërtojnë më shumë tepricë në to. Dhe mund të mos jetë shumë e vështirë që ekonomitë shumë të mëdha të mbulojnë kostot e diversifikimit të prodhimit të tyre. Por ekonomitë e vogla dhe të mesme do t’i konsideronin këto kosto si penguese. Vendet që përpiqen të grumbullojnë furnizime të mallrave jetësore gjithashtu do të hasnin kufizime në kosto.

Shqetësimet klimatike dhe taksat për një kufi përsa i takon emetimit të kabonit mund të përbëjnë problemin, duke nxitur cikle hakmarrjeje dhe një tendosje në tregtinë ndërkombëtare. Po kështu, ulja e tregtisë dhe investimeve të huaja në emër të sigurisë kombëtare mund të rrisin tensionet politike dhe, duke nxitur një cikël reagimesh, mund t’i vendosin ekonomitë në një spirale në rënie.

Shfaqja e dy blloqeve të mëdha dhe të larmishëm të përqendruar rreth SHBA-së dhe Kinës mund të zvogëlojë disa nga kostot ekonomike të deglobalizimit. Por gjithashtu do të dëmtonte gjithashtu shumë vende (të cilat do të detyroheshin të zgjidhnin njërën palë), do të politizonte më tej ekonominë globale dhe do të gërryente legjitimitetin e rendit ndërkombëtar. Për më tepër, krijimi i një rivaliteti të paqëndrueshëm afatgjatë, do të përbënte një kërcënim të madh për paqen. Shtimi i një blloku të tretë, që përfshin Bashkimin Europian dhe ekonomitë e tjera të orientuara nga bashkëpunimi, nuk do të t’i kompensonte këto disavantazhe.

Një qasje më e mirë do të bazohej në forma efikase të bashkëpunimit shumëpalësh dhe global. Për të siguruar një gatishmëri adekuate në rast pandemie, për shembull, bota duhet të zhvillojë një sistem paralajmërues, të parakohshëm dhe të përbashkët dhe të pranojë të sigurojë pajisje mjekësore në qendrat rajonale, të mbikëqyrura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me politika të përcaktuara për ndarjen e kostove dhe plane fleksibël. Në mënyrë të ngjashme, protokollet dhe financimi për zhvillimin e shpejtë të vaksinave dhe kapacitetin e prodhimit duhet të dakordohet dhe të azhurnohen vazhdimisht. Kjo do ta vendoste botën në një pozitë më të fortë për të menaxhuar një shpërthim sëmundjeje në shkallë të gjerë sesa një qasje ku secili vend shqetësohet vetëm për veten e tij.

Në fushën e sigurisë kombëtare, vendet duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar ato që janë në thelb “marrëveshje për kontrollin e armëve” për hapësirën në internet, qeverisjen e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe bio-inxhinierinë. Marrëveshje të tilla duhet të parandalojnë një garë të rrezikshme për të armatosur teknologjitë e reja, duke inkurajuar inovacionin që rrit mirëqenien dhe sigurinë njerëzore.

Për ndryshimet klimatike, nevojiten politika shumë më ambicioze për të arritur objektivin global – të parashikuar në marrëveshjen e klimës të Parisit të vitit 2015 – që është emetime neto zero deri në vitin 2050. Deklaratat e qëllimit dhe presionit të kolegëve nuk do të jenë të mjaftueshme. Taksat për vendosjen e një kufiri për emetimin e karbonit, si pjesë e një kuadri të dakorduar në nivel ndërkombëtar që përfshin mbështetje financiare për vendet më pak të zhvilluara, mund të përshpejtojnë progresin në mënyrë të konsiderueshme, pa efektet negative të masave ad hoc.

“COVID-19 është gozhda e fundit në arkivolin e globalizmit”, deklaroi e shqetësuar kohët e fundit Carmen Reinhart, krye-ekonomistja e Bankës Botërore. Por disa deglobalizime nuk kanë pse të parashikojnë fatkeqësi ekonomike. Me një bashkëpunim global efikas dhe të ripërtërirë, kostot mund të jenë të kufizuara, dhe përfitimet – fuqi, siguri dhe qëndrueshmëri – mund të maksimizohen. Ndërtimi i një multilateralizmi të ri nuk do të jetë i lehtë. Madje, mund të duket e pamundur, jo vetëm për shkak të mosrespektimit të bashkëpunimit të presidentit amerikan Donald Trump. Por do të vijë një administratë e re amerikane. Gjithsesi, duke pasur parasysh rreziqet e alternativave të tjera, të mos provosh nuk është një mundësi.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Less Globalization, More Multilateralism