Reportazh25 Sep 2018

Muralet e artistit nga Bali i japin ngjyrë Urës Vajgurore

Tre grafiti u realizuan gjatë kësaj vere në qytezën e Urës Vajgurore nga “Wild Drawing”, emri artistik i një idoneziani me banim në Greqi. Artisti shpreson që ato do ta vendosin qytezën në hartë, ndërsa banorët përpiqen të gjejnë mes halleve të shumta, shpresë te ngjyrat e shtuara.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Ura Vajguror
Printo

“Djaloshi i Dimalit” grafiti i artistit Wild Drawing, në një fasadë pallati në Urën Vajgurore. Foto: Erjola Azizolli

Asgjë, veç fushatave elektorale, nuk kishte ndodhur në Urën Vajgurore prej kohësh. Kur “Wild Drawing” – emri artistik i një idoneziani me banim në Greqi, filloi të vizatonte në fasadat e pallateve njerëzit kuriozë ndalonin për të përshëndetur dhe parë.

Shpesh nuk merreshin vesh pasi ata nuk dinin anglisht e artisti, i cili u bë i njohur me grafitit me temë krizën ekonomike greke, nuk dinte shqip. Por njerëzit ishin falenderues edhe për pak ngjyra në faqet gri të mureve të qytezës.

“Ata ndalonin dhe thonin “bukur, bukur”. Kujtoj dy të moshuar, të cilët nuk dinin anglisht, por ndaluan dhe më prekën duart sikur më bekonin”, i shkroi artisti BIRN në një e-mail përmes zyrës së tij të shtypit.

Banorët e Urës Vajgurore e dinë që tre muralet, nuk i zgjidhin problemet që ata kanë. Megjithatë për të moshuarit që luajnë domino në lulishten e vetme të qytetit, pranë dy pallateve të pikturuara me imazhet e një çifti flirtues dhe atë të “Djalit të Dimalit”, muralet kanë sjellë gjallëri. “Qyteti është i vogël, por hallet i ka të mëdha. Këto pikturat sikur na kanë sjell pak gjallëri, pasi i shohim dhe na japin pak energji pozitive”, tha për BIRN pensionisti Skënder Hoxha, pasi ka lëshuar gurët e fundit të lojës së dominos.

Projekti u mbështet nga Bashkia e Urës Vajgurore me 2 milion lekë, ndërsa për të u kujdes kuratori Helidon Haliti. Haliti i tha BIRN se kishte punuar një vit me artistin për të përshtatur temat.

Në fund u vendos të pikturoheshin tre godina, jo me pak vështirësi në realizim për shkak të gjendjes së mureve të tyre. Një prej muraleve i është kushtuar simbolikës së qytetit “Djalit të Dimalit” një zbulim antik në Kalanë e Dimalit që ndodhet në njësinë administrative të Urës Vajgurore.

“Për një vit më radhë kam pyetur dhe kam studiuar historinë e qytetit, i cili është vërtet shumë i vjetër dhe kemi bërë një gërshetim të periudhave, të cilat pashmangshërisht qyteti i ka përjetuar”, tha Haliti. Ndërkohë artisti punoi edhe për një grafiti të pagëzuar “Flirtimi”, në të cilën janë dy të rinj.

Muralja e tretë është edhe më interesantja.  “Bridge of Mind” (Ura e mendjes) ndodhet në dalje të qytetit dhe është realizuar në murin e një godine të një ish-ndërmarje të braktisur të kohës së monizmit.

Kryebashkiakja që financoi projektit thotë se motivi ishte të sillte art dhe të ngjallte besim te të rinjtë. “Në Urën Vajguore ka pak jetë kulturore dhe artistike. Qyteti mendoj se duhet të ofrojë më shumë për të rinjtë”, thotë kryebashkiakja Juliana Menaj.

Gjatë dy muajve të verës, korrik dhe gusht  “Wild Drawing” thotë se punoi 12 orë në ditë, deri sa realizoi tre grafitet. Ai thotë se u prek nga qyteza e cila edhe pse nuk dinte shumë për “artin e rrugës”, e mirëpriti. “Ishte interesante, shumë njerëz flisnin greqisht për shkak se kishin emigruar sëfundmi atje. Imagjinoni, një indonezian që flet me një shqiptar dhe flasin greqisht”, shkroi ai.

Të tre muralet kanë ndryshuar pak Urën Vajgurore, qyteza që më shumë njihet si pikë orientimi prej nga hyhet  për në Beratin e famshëm botërisht, e ku pak kush ndalon, tani po përmendet për diçka.

Vetë artisti i shkroi BIRN se ky ishte edhe një nga motivet pas punës së tij. “Qëllimi im është ta vendos qytetin në hartën globale të artit të rrugës dhe mendojë se Ura Vajgurore është tashmë pjesë e hartës, pasi punët e krijuara janë shpërndarë në të gjitha faqet ku reklamohet arti i rrugës”, shprehet ai.

Për Stiljano dhe Bledi, dy vëllezër që prej vitesh punojnë e mbahen me një fast food të vogël, që ndodhet në qendër të qytetit dhe që nuk kanë ndërmend të largohen, ngjyrat i kanë bërë mirë qytetzës. Ata nuk e fshehin “mërinë” e të qenit pranë Beratit ku gjithçka është për tu parë, e njëkohësisht të padukshëm dhe pa asgjë për tu dalluar.

“Ndonëse është hyrja për në qytetin muze të Beratit, në bashkinë e Urës Vajgurore asgjë të bukur nuk të zinte syri”, tha Stiljano për BIRN duke treguar njërën prej muraleve që ndodhet jo shumë larg dyqanit ku punon.

“Bridge of Mind” (Ura e Mendjes) grafiti i artistit Wild Drawing në një magazinë të vjetër në Urën Vajgurore. Foto: Erjola Azizolli.

 

“Flirti” grafiti i artistit Wild Drawing, në një fasadë pallati në Urën Vajgurore. Foto: Erjola Azizolli