Reportazh3 May 2021

Muzeu arkeologjik i Durrësit nuk e ka ruajtur historinë e tij

Institucioni që ka për detyrë të ruaj trashëgiminë arkeologjike të qytetit antik të Durrësit, nuk ka bërë një punë të mirë për të ruajtuar dokumentacionin e tij përgjatë dekadave.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Muzeu arkeologjik i Durrësit Foto nga Gëzim Kabashi

Një grup kutish me libra të paketuar, dhuratë e një prej personaliteteve europianë të fushës, qëndrojnë prej tre vitesh në një nga koridoret e muzeut arkeologjik të Durrësit.

Por më shumë se për mungesën e mjediseve, arkeologët shqetësohen për materialet dokumentare dhe litetaturën e humbur në vite.

Prof. asc.  dr. Eduard Shehi tha për BIRN, se librat e grumbulluar prej tyre deri tani reflektojnë miqësitë profesionale me kolegët e huaj, dhe i përkasin më së shumti bibliotekave të institucioneve simotra në Gjermani, Greqi, apo në Angli.

“Mungesa e hapësirave të përshtatshme, si dhe lagështira i ka lënë librat të paketuar në zyra dhe koridore, por ne shpresojmë se zgjidhja do të  jetë e afërt,” nënvizon Shehi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë.

Arkeologu me përvojë 20-vjeçare thekson se puna shkencore për hartimin e një historiku vështirësohet  më shumë nga mungesa e raporteve të gërmimit dhe të planimetrive arkeologjike në Durrës.

“Janë dhjetra dosje të raporteve mbi gërmimet e kolegëve më të vjetër gjatë shekullit të kaluar që mungojnë,” thotë Shehi.

Ne gjejmë vetëm artikujt e publikuar në revistat shkencore të kohës, por asgjë më shumë mbi punën që bëhej në terren,” shtoi Shehi, i cili thotë se këto mungesa ia kanë vështirësuar shumë hartimin kronologjik të botimit “Topografia e Durrësit mesjetar” mbi ekspeditat në qytet dhe në rrethinat e tij.

Shtatë dekada histori ende e pashkruar

Muzeu Arkeologjik i Durrësit ruan në eksponatet dhe fondet e tij afro 20 mijë objekte të periudhës antike dhe mesjetare, duke qenë i vetmi me një trashëgimi të tillë në shkallë vendi.

“Edhe kartelat e çdo objekti të zbuluar, të ekspozuar apo ende në fonde, duhen plotësuar sipas standarteve, kryesisht me përshkrimet përkatëse,” shprehet Eduard Shehi, punonjës në Institutin e Arkeologjisë.

Por institucionit që ka marrë kohët e fundit statusin muze kombëtar, pikërisht nga pasuria e jashtëzakonshme që ruan, i mungon një historik i detajuar i veprimtarisë së tij ndër vite.

Punonjësit e Muzeut arkeologjik nuk kanë mundur ende të hartojnë një historik  të institucionit të tyre, një nga më jetëgjatët në historinë e re të qytetit antik.

“Shumë dokumente janë dëmtuar apo kanë humbur gjatë transferimit të materialeve nga ndërtesa e vjetër në godinën aktuale, 20 vjet më parë,” tha për BIRN, Alban Ramohitaj, drejtor i muzeut arkeologjik të Durrësit.

“Në katin e dytë janë strehuar një grup dosjesh me përkthime, kryesisht me tema historike,” shton Ramohitaj, duke kujtuar se kjo ishte një praktikë pune e themeluesit dhe drejtorit të parë të Muzeut, z. Vangjel Toçi.

Numri i kufizuar i fotove ka vështirësuar jo pak edhe hapjen e ekspozitave kushtuar zbulimit të amfiteatrit apo monumenteve të tjerë në qytet.

Më 13 mars të këtij viti drejtoria e Muzeut e anashkaloi festimin e 70-vjetorit të Muzeut. Duket se një nga arsyet ka qenë edhe mungesa e elementëve dokumentarë konkretë për jetën e muzeut.

Një muaj më vonë në një nga mjediset e tij u përurua  ekspozita me krijimtarinë e artistëve të daltës dhe penelit, të cilët kanë kontribuar në dekada si skicografë, piktorë apo restauratorë.

Dy nga akuarelet e ekspozuar të fotografit dhe piktorit të ndjerë Agim Kavaja rikujtojnë projektin e Parkut arkeologjik në shëtitoren Taulantia, nga realizimi i të cilit kanë mbetur në shëtitore vetëm disa kolona e kapitele.

Restauratori 83-vjeçar në pension, Nelo LlukaçI tha për BIRN se memoria humbet ndër vite nëse nuk ruhen dokumentet  e çdo lloji.

“Një ditë dëgjova ministren e Kulturës, e cila tha se objektet arkeologjike në Durrës po restaurohen për herë të parë,” tha skulptori 83-vjeçar.

“Restaurimi i objekteve si pitose, amfora, kapitele, etj. ka qenë puna ime e përditshme, që nga viti 1967 kur nisa të punoj në Muze,” thotë Llukaçi, i cili shtoi se edhe kolegët e tij Gavril Priftuli, Nikolet Vasia dhe Myrvete Dajlani, “skiconin çdo gjë që zbulohej nën tokë, si dhe fazat e ndryshme të restaurimit”.

Arkeologët kujtojnë se një pjesë e madhe e materialeve dhe pajisjeve janë dëmtuar e kanë humbur gjatë punimeve për rikonstruksionin e Muzeut në vitet 2011-2013.

Prof. asc. dr. Brikena Shkodra ruan disa letra të përkthyera nga gjuha frënge dhe që datojnë vitin 1970.

“Janë pjesë e korespondendencës së drejtuesit të muzeut Vangjel ToçI, me shkencëtarin nga Parisi,  Roger Lecotte, i cili kishte vizituar Durrësin në atë periudhë,” tha për BIRN Shkodra, duke kujtuar se edhe ky fragment o historisë së muzeut është gjetur dhe ruajtur krejt rastësisht, atëherë kur firma ndërtuese punonte për rikonstruksionin e godinës.

Muzeu Arkeologjik aktualisht, së bashku me amfiteatrin, termat apo forumin rrethor, është pjesë e Qendrës Muzeore Kombëtare të Durrësit.

Në 40 vitet e fundit drejtimi i këtij muzeu është lënë në dorë të institucioneve me emërtesa të ndryshme, si drejtoria e Muzeve, Bërthama arkeologjike, drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës, Departamenti i arkeologjisë, etj. – ç’ka sipas drejtorit aktual Alban Ramohito e ka minimizuar e shpërndarë edhe përgjegjësinë ndaj tij.