Analize16 Jan 2019

Përplasjet mes kompanive të naftës nxjerrin në rrugë punëtorët e ‘ARMO’-s

Mosmarrëveshjet kontraktuale midis prodhuesit më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum dhe Tosk Energji – kompanisë që ka marrë në menaxhim një pjesë të aseteve të ish kompanisë ARMO, rrezikojnë t’i lenë përsëri pa punë punëtorët e rafinerisë së Ballshit. 

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Punonjësit e ARMO protestojnë për rrogat e prapambetura nga rafineria që ka pezulluar prodhimin për shkak të borxheve | Foto nga : Ivana Dervishi

Që nga fillimi i këtij viti, pjesa dërrmuese e 870 punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nuk janë rikthyer në punë, pas pezullimit të aktivitetit të rafinerisë nga kompania Tosk Energji, e cila e mori me qira një vit më parë.

“Bëhet fjalë për mosmarrëveshje për detyrimet midis kompanisë sonë dhe Bankers, por nuk di kujt t’i besosh,” tha Kamber Iljazi, kreu i Sindikatës së Përpunimit të Naftës.

Iljazi i tha BIRN se puna në rafineri është pezulluar prej gati 15 ditësh, ndërkohë që kompania Tosk Energji nuk e ka rilidhur kontratën kolektive me punëtorët.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se Tosk Energji dhe Bankers Petroleum kanë mosmarrëveshje në lidhje me sasinë dhe çmimin e naftës që i shitet rafinerisë së Ballshit.

Kompania administruese e këtij kombinati, Tosk Energji, së bashku me Al.Global Oil, që ka në pronësi rafinerinë e Fierit, në fillim të muajit dhjetor kanë bërë një ankesë në Autoritetin e Konkurrencës, duke e akuzuar Bankers Petroleum për abuzimin me pozitën dominuese në treg.

Pas hapjes së procedurës së hetimit, me 20 dhjetor, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të marrë një masë të përkohshme ndaj kompanisë Bankers Petroleum, duke e detyruar këtë të fundit të respektojë kontratat e lidhura me Tosk Energji dhe ndërmarrjet e tjera të përpunimit të naftës bruto – vendim ky që nuk është bërë publik nga Autoriteti i Konkurrencës.  [Kliko këtu për vendimin 578 të AK]

E pyetur nga BIRN, kompania Bankers Petroleum u shpreh se ajo i respekton të gjitha kontratat e lidhura, ndërkohë që nuk e konsideron vendimin e përkohshëm të Autoritetit të Konkurrencës si kundër kompanisë.  Në të kundërt, Bankers e akuzoi kompaninë Tosk Energji për mungesë korrektësie në përmbushjen e detyrimeve kontraktore midis dy palëve, ndërkohë që nënvizoi se kompania Al.Global Oil është tërhequr nga ankesa.

“Përgjatë vitit 2018, Tosk Energji nënshkroi një kontratë me Bankers ku në shumicën e rasteve dështoi të tërhiqte volumin e venë në dispozicion si dhe të kryente pagesat në përputhje me ketë kontratë,” tha Bankers.

“Në kohën kur Autoriteti i Konkurrencës lëshoi këtë vendim të përkohshëm, Bankers dhe Tosk Energji ishin në kushte kontraktuale, të cilat Bankers i ka respektuar, pra vendimi i AK-së nuk ndryshon asgjë nga praktika normale e punës dhe e së kryerit biznes nga ana jonë,” shtoi ajo.

Pozita dominuese e Bankers

Fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinëz, Fier. Foto: Bevis Fusha/Bankers. Prill 2014

Gjatë vitit 2017, sasia totale e naftës bruto të prodhuar në Shqipëri ishte 860,240 ton nga të cilat 835,820 ton ose 97.2 % u prodhuan nga Bankers Petroleum. Sipas të dhënave të 3-mujorit të parë 2018, prodhimi i Bankers Petroleum zë 96.8 % të tregut vendas të prodhimit naftës bruto.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, duke marrë parasysh strukturën e tregut të prodhimit të naftës bruto në Shqipëri dhe ndërmarrjet përkatëse, kompania Bankers Petroleum ka një ‘pozitë dominuese në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto.”

Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se furnizimi me naftën bruto të prodhuar nga Bankers Petroleum është i domosdoshëm për kompanitë që operojnë në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të naftës.

Dy prej kompanive që operojnë në këtë treg, Tosk Energji – e cila ka marrë me qira rafinerinë e Ballshit dhe Al.Global Oil – e cila zotëron Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier kanë paraqitur në Autoritetin e Konkurrencës një ankesë për abuzim me pozitën dominuese ndaj Bankers Petroleum.

Bankers Petroleum ka lidhur një kontratë me Al.Global Oil me datë 1 prill 2018 për furnizimin me naftë bruto për periudhën Prill-Dhjetor 2018 dhe një muaj më vonë, me 1 qershor 2018, një kontratë me kompaninë Tosk Energji, për furnizimin me naftë për periudhën Qershor-Dhjetor 2018.

Nga provat e depozituara nga kompania Al.Global Oil, kapaciteti përpunues i saj për naftë bruto është 30,000 Mt/muaj, ndërkohë që nga Bankers Petroleum është furnizuar gjatë vitit të fundit në total me 48,000 ton naftë bruto. Ndërmarrja Tosk Enegji ka një kapacitet prej 375,000 MT, por është furnizuar nga Bankers Petroleum vetëm me 81,991.30 MT naftë bruto.

Kjo ndërmarrje pretendon në ankesën e saj të depozituar në Autoritetin e Konkurrencës se për shkak të mënyrës jolinerare të furnizimit me naftë buto nga Bankers është detyruar të fikë dy herë rafinerinë e Ballshit në një periudhë shumë të shkurtër.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës,  mosfurnizimi i ndërmarrjeve Tosk Energji dhe Al.Global Oil – që ushtrojnë aktivitet në tregun e përpunimit të naftës bruto dhe tregtimit të nënprodukteve të naftës, me sasinë e nevojshme nga kompania Bankers – e cila ka një pozitë dominuese në tregun e  prodhimit të naftës bruto, sjell kufizimin e prodhimit të nënprodukteve të naftës nga këto ndërmarrje dhe mund të kufizojë konkurrencën.

Për këtë arsye, me datë 3 dhjetor 2018, Komisioni i Konkurrencës i përbërë nga 5 anëtarë dhe i udhëhequr nga kryetarja Juliana Latifi ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Bankers Petroleum, për periudhën 1 janar 2016 – 30 nëntor 2018.

Rafineritë vendase rrezikojnë falimentin

Depozita karburanti, në fushën naftëmbajtëse të Patoz-Marinzës në afërsi të Fierit | Foto nga : Gent Shkullaku/LSA

Pas marrjes së vendimit për hapjen e hetimeve ndaj Bankers Petroleum për kufizim të konkurrencës nga Autoriteti, njëra nga dy kompanitë që ka bërë ankim është tërhequr.

Me datë 11 dhjetor, kompania Al.Global Oil ka hequr dorë nga ankesa e depozituar në Autoritetin e Konkurrencës. Ndërkohë, ndërmarrja Tosk Energji e ka vazhduar procedurën administrative, duke e akuzuar Bankers se ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në treg, pasi i ka refuzuar furnizimin me naftë bruto ose duke vendosur kushte financiare dhe sasiore që i kanë sjellë rafinerisë humbje të mëdha.

Kompania Tosk Energji është themeluar në vitin 2015, me objekt nxjerrjen dhe përpunimin e naftës bruto nga shtetasi kosovar Blerim Hoxha. Në qershor 2016, aksionet e kompanisë i janë shitur kompanisë zvicerane CFD Conseil Sarl – e përfaqësuar nga shtetasi francez Christophe Darbord.

Darboard nuk është një emër i panjohur në fushën e industrisë së naftës në Shqipëri. Nga viti 2013 deri në vitin 2015 ai ka shërbyer si administrator i kompanisë ARMO, në periudhën kur kjo e fundit kontrollohej nga një fond investimesh nga Azerbaixhani.

Në tetor 2017, midis Tosk Energji, CFD Conseil Sarl dhe kompanisë së naftës Gunvor u lidh një marrëveshje huamarrje pre 7 milionë USD. Në bazë të termave të kësaj marrëveshjeje, Gunvor i jepte shoqërisë Tosk Energji kredinë në shkëmbin të vendosjes së barrës mbi aksionet CFD Conseil Sarl.

E themeluar në vitin 2000 nga oligarku rus, Genady Timchenko dhe biznesmeni suedez Torbjorn Tornqvist, Gunvor është kompania e katërt më e madhe në botë e tregtimit të naftës bruto. Në vitin 2014, për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj Timchenkos, ai ia shiti aksionet e tij partnerit suedez, Torbjorn Tornqvist.

Në mars 2018, Tosk Energji ka marrë me qira rafinerinë e Ballshit dhe deri në dhjetor 2018 ka blerë 81,991.30 MT naftë bruto. Për vitin 2019, Bankers i ka propozuar një kontratë të re kompanisë Tosk Energji, sipas së cilës sasia mujore e naftës bruto që do të furnizojë është 11,000 MT dhe maksimumi 25,000 MT, plus/minus 10%. Sipas kontratës së vitit 2018, Bankers e furnizonte rafinerinë e Ballshit minimalisht me 25,000 MT naftë bruto në muaj.

Tosk Energji pretendon se nuk është furnizuar nga Bankers në sasinë e nevojshme të naftës bruto, çfarë ka futur në kolaps rafinerinë e Ballshit, e cila ka nevojë për 2500 ton naftë në ditë. Sipas Tosk Energji, sasia e naftës bruto e furnizuar aktualisht nga Bankers është e pamjaftueshme për ndezjen e rafinerisë së Ballshit. Tosk kërkon nga Bankers furnizimin me 2500 ton naftë bruto në ditë dhe jo më pak se 50,000 ton në muaj.

Sipas një shkrese të Agjencisë Kombëtare e Burimeve Natyrore, drejtuar kompanisë Bankers në maj 2017, rafineria e Fierit dhe e Ballshit kanë nevojë për një furnizim prej 100,000 MT naftë bruto në muaj. AKBN vë në dukje se në këtë periudhë, Bankers i ka alokuar vetëm 30-40 % të prodhimit dy rafinerive vendase, çfarë ka sjellë në mbylljen të rafinerisë së Fierit dhe punën me kapacitet minimal të rafinerisë së Ballshit.

“Kjo rrezikon të çojë drejt falimentimit rafineritë vendase,” paralajmëron AKBN.

Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur se ndodhet përballë një rasti urgjence, i cili mund të sjellë dëme të pariparueshme për konkurrencën në tregun e përpunimit nënprodukteve të naftës.

Si rrjedhojë,  Autoriteti ka vendosur të marrë një masë të përkohshme deri në përfundim të hetimeve dhe ta detyrojë kompaninë Bankers të respektojë kontratat e lidhura me Tosk Energji dhe kompanitë e tjera të përpunimit të naftës bruto dhe prodhimit të nënprodukteve të saj.

Kompania Bankers i tha BIRN nëpërmjet një zëdhënësi se tregu i shit-blerjeve të naftës bruto është treg i hapur dhe ajo nuk e ka manipuluar atë.

“Çmimi i shitjes nga Bankers aplikohet i njëjtë për të gjitha rafineritë vendase, dhe madje më i ulet nga çmimi i shitjes në tregun ndërkombëtar,” tha ajo.

“Tosk Energji kërkon t’i shitet naftë me çmim nën tregun, gjë e cila është e papranueshme nga Bankers pasi kjo do të sillte pasoja për financat shqiptare, të ardhurat e kompanisë dhe do të ishte në shkelje flagrante ndaj rregullave të tregut të lirë,” përfundoi Bankers.