Pyetje-përgjigje për parajsat fiskale

Panama-Papers

Pyetje-përgjigje për parajsat fiskale

Pas zbulimit të skandalit të dokumenteve të Panamasë, bota e financës është vënë papritur në qendër të vëmendjes. Disa shpjegime mbi çfarë janë dhe si funksionojnë parajsat fiskale mund të gjenden këtu.

Çfarë është një qendër financiare Offshore?

Qendër Financiare Offshore është një zonë ku shumica dërrmuese e biznesit të industrisë financiare kryhet me subjekte jorezidente. Sipas FMN, ky është një përkufizim i gjerë dhe përfshin edhe qendrat e mëdha financiare të botës si Nju Jorku, Londra apo Tokio. Një përkufizim më popullor, sipas FMN është: juridiksione që kanë një numër relativisht të lartë institucionesh financiare që kryejnë para së gjithash biznes me jorezidentët; sisteme financiare me asete dhe detyrime ndaj jorezidencëve disproporcionalisht të larta në krahasim me ndërmjetësimin financiar vendës të krijuar për të financuar ekonominë e vetë vendit dhe; qendra që ofrojnë një ose disa nga shërbimet që vijojnë: taksim të ulët ose zero; rregullim financiar të lehtë apo të moderuar; sekret bankar dhe anonimat bankar. Zvicra, Qipro, Libani, Luksemburgu, Lihtenshteini e një numër i madh shtetesh në të gjithë botën klasifikohen në një mënyrë a në një tjetër si Qendra Financiare Offshore.

Si kanë lindur qendrat financiare offshore?

Rregullimet e ndryshme të zbatuara nga shtete të ndryshme për sektorët e vet financiarë gjatë viteve 1960 dhe 1970 qenë një faktor i madh kontribuues në rritjen e bankingut të zhvilluar në zona të caktuara të cilave u referohet si zakonisht “ofshore” që do të thotë “jashtë vendit”. Në mënyrë specifike, zhvillimi i tregut ndërbankar ofshore gjatë viteve 1960 dhe 1970, më së shumti në Europë, mund të lidhet me vendosjen e kërkesave për rezervë minimale, për tavan në normat e interesit dhe kufizimin e gamës së produkteve financiare që mund të ofronin institucionet e supervizuara. Imponimi me raste i kontrolleve financiare dhe taksimi shumë efektiv në shumë vende të OECD-së qenë një faktor shtesë. Shtetet e Europës në atë kohë, për shkak se nuk qenë në gjendje të stabilizonin ekonomitë e tyre me njohuritë monetare të disponueshme në atë kohë, shpesh kryenin ndryshime të dhunshme, përfshirë zhvlerësime të monedhave në masë të madhe, të shoqëruara me kufizime të konvertueshmërisë së monedhave dhe kufizime të hyrje-daljeve valurore. Bankat shkonin në kërkim të shteteve ku kufizime të tilla nuk ekzistonin ose qenë më të pakta.

Në Azi, tregu ndërbankar ofshore u zhvillua pas vitit 1868, kur Singapori krijoi Tregun e Dollarit të Azisë (ADM) dhe prezantoi Njësinë Monetare të Azisë (ACUs). ADM qe një alternativë ndaj tregut të Londrës ndërsa regjimi i ACU i mundësoi bankave të huaja të kryenin transaksione ndërkombëtare në kushte të taksimit të favorshëm.

Në Europë, Luksemburgu filloi të tërheqë investitorë nga Gjermania, Franca dhe Belgjika në fillim të viteve 1970 për shkak të normave shumë të ulëta të taksimit, mungesës së taksimit të fitimeve nga interesat dhe dividentët për jorezidentët dhe rregullave të forta për sekret bankar. Ishujt e Kanalit dhe Ishulli i Manit ofruan mundësi të ngjashme. Në Lindjen e Mesme, Bahreini filloi të shërbejë si qendër grumbullimi për surplusin e naftës së rajonit gjatë mesit të viteve 1970 pas miratimit të ligjeve për bankat dhe ofrimit të incentivave fiskale për të lehtësuar krijimin e bankave ofshore. Në Hemisferën Perëndimore, Bahamasi dhe më pas, ishujt Kajman, ofruan lehtësi të ngjashme. Pas suksesit fillestar, disa shtete të vogla u përpoqën të kapin një pjesë të këtij biznesi. Shumë prej tyre qenë të pasuksesshme pasi nuk mund të ofronin asnjë avantazh në krahasim me qendrat më të vjetra. Por kjo i shtyu disa prej tyre të ofrojnë shërbime për individë dhe kompani edhe më pak të ligjshme.

Si fshihen paratë e pista në parajsat fiskale?

Kriminelët apo politikanët e korruptuar e kanë shumë të lehtë të hapin një llogari bankare në një nga parajsat fiskale. Zakonisht hapja e llogarive të tilla kërkon shuma të konsiderueshme, 20 mijë apo më shumë dollarë, por personat që i hapin këto llogari në Zvicër, në Qipro apo vende të tjera, mund t’i aksesojnë paratë e tyre me lehtësi përmes bankingut në internet apo përmes një karte bankare. Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, gjithsesi ka dalë një problem. Shumica dërrmuese e shteteve kanë vënë pajisje kompjuterike për monitorimin e transfertave bankare me synimin e ndalimit të financimit të terrorizmit. Si efekt anësor, këto sisteme të kontrollit shërbejnë edhe për luftën kundër pastrimit të parave. Ndonëse shumë shpesh, zyrtarët që punojnë me këto pajisje nuk i raportojnë apo ndjekin rastet e dyshimta të pastrimit të parave nga kriminelët apo të korruptuarit, sërish rreziku për ta mbetet, për shkak se çdo transaksion lë gjurmë në sistem. Rrjedhimisht, përdorimi i parave të depozituara nëpër parajsa fiskale drejtpërsëdrejti është pak më i vështirë. Këtu krijohet nevoja për legjitimimin e parave përmes krijimit të kompanive ofshore.

Sa të vërteta mund të zbulohen nga Dokumentet e Panamasë?

Të 1.2 milionë dokumentet që rrodhën në media nga kompania Mossack Fonseca janë rrjedhja më e madhe e dokumenteve në historinë e gazetarisë. Për fat të keq, ato përbëjnë një pjesë shumë të vockël të sekreteve të botës. Mossack Fonseca është vetëm një nga shumë firmat që ofrojnë shërbime të tilla.  The Economist thotë se ajo ka rreth 4-5 për qind të tregut botëror në fushën që vepron. Panamaja është vetëm një nga mbi 80 shtete e territore që klasifikohen si parajsa fiskale. Rrjedhimisht, shumica dërrmuese e të dhënave të fshehura gjenden gjetkë. Gjithsesi, dokumentet e Panamasë ka gjasa do të trondisin thellë sistemin e parajsave fiskale duke e deligjitimuar atë dhe duke ushtruar presion në debatin për reformimin e tyre, debat që është ashpërsuar veçanërisht pas krizës financiare të vitit 2008. Rrjedhimisht, efekti afatgjatë i pritshëm nga Dokumentet e Panamasë është pakësimi i mundësive që kanë të pasurit, kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar që të fshehin taksat apo të pastrojnë paratë duke përdorur parajsat fiskale. Efekti i parë pozitiv është që zbulimi i përdorimit në shkallë të gjerë të parajsave fiskale dhe kompanive anonime për aktivitete kriminale do të rrisë vëmendjen e publikut ndaj problemit.

Ku dallon parajsa fiskale nga zona e tregtisë së lirë?

Zona e Tregtisë së Lirë është një trashëgimi e shekullit të 19, kur Britania e Madhe detyroi Kinën t’i japë me qira disa territore të vogla brenda Kinës si bazë për tregtinë e vet me këtë vend. Më vonë, zona e tregtisë së lirë u konceptua si një territor brenda një shteti ku aktiviteti prodhues është i lartë dhe intensiv dhe ku qeveria vendos të kufizojë praninë e vet në terma të kontrolleve apo kërkesave fiskale e rregullative në këmbim të lehtësimit të të bërit biznes. Zona e tregtisë së lirë është efektivisht një territor doganor, i rrethuar me mur të lartë për t’u ndarë nga pjesa tjetër e vendit, ku mallrat vijnë, përpunohen dhe eksportohen pa hyrë në procedura administrative.

Që nga mesi i viteve 1990, në Shqipëri është debatuar gjerësisht mbi nevojën e krijimit të një zone të tillë për llogari të industrisë së veshjeve dhe këpucëve, zonë që qe konceptuar të ndërtohej pranë Portit të Durrësit. Koncepti është i thjeshtë, për shkak se industria e veshjeve dhe këpucëve importon lëndë të parë dhe eksporton produkte gjysmë të gatshme, është e logjikshme që ky aktivitet të kryhet në një territor të caktuar të njohur si zonë e lirë, ku nuk është e nevojshme të kryhen procedura të zgjatura importi dhe eksporti doganor dhe as të hyhet në botën e komplikuar të taksimit e kontrollit të këtyre import-eksporteve. Kjo është shumë e ndryshme nga parajsa fiskale, pasi nuk përjashton subjektet nga taksat, por efektivisht i përjashton nga procedurat fiskale të tepërta, duke i reduktuar kostot dhe lehtësuar aktivistetin.

Ndryshimi i viteve 1990, zhvillimi i parajsës fiskale

Stabilizimi i financave botërore pas zbatimit të parimeve monetariste të Milton Friedman solli heqjen e shumicës së kufizimeve në tregtinë ndërkufitare në Europë dhe bankat nuk e patën më të arsyeshme që të bënin një pjesë të madhe të biznesit të vet në qendrat ofshore. Por ndërsa kjo pjesë e biznesit ra, avantazhi në taksa mbeti shumë i fuqishëm. Gjithashtu, disa vende të mëdha industriale filluan të ofrojnë incentiva në territorin e vet. Për rrjedhojë, avantazhi relativ i Qendrave Financiare Ofshore për banking konvencional u bë më pak tërheqës për vendet industriale, por njëkohësisht, avantazhet e taksave për menaxhimin e aseteve duket se është rritur në rëndësi.

Si bëhet evazioni në parajsat fiskale?

Në shumicën e rasteve, kompanitë krijojnë degë në një juridiksion me taksa të ulëta dhe bëjnë blerje mallrash apo shërbimesh nga dega, të cilat, me raste, nuk ekzistojnë. Kështu, gjigandët e internetit u zbuluan pak vite më parë se kishin regjistruar kompani në Luksemburg për të faturuar shitje nga rrjeti i tyre i kompanive në vendet e tjera të Europës ku kryenin realisht shitje, ose në rastin e SHBA-së, në shtetin e Delaueres. Në rastet e zbuluar nga Reuters, skema funksionon në këtë mënyrë: Një blerës në Amazon të Gjermanisë, di se ka blerë një libër te Amazon.de. Por vetë Amazon.de nuk deklaron shitje libri por shitje shërbimi për Amazon Services Europe SARL, kompania me bazë në Luksemburg. Ndërsa Amazon.de duhej teorikisht të paguante tatim mbi fitimin në Gjermani për fitimet e realizuara atje, ajo raportonte se paguante shtrenjtë shërbimin e Amazon Services Europe, duke deklaruar efektivisht zero fitime. Fitimet e akumuluara në Luksemburg taksohen shumë më pak. Pas krizës së vitit 2008, fenomeni i transferimit të fitimeve efektive nga një kompani në tjetrën brenda një grupi kompanish me synimin e uljes së faturës fiskale, është shënjestruar me ligje që ndalojnë veprime të tilla. Shqipëria e miratoi një ligj të ngjashëm dy vjet më parë. Efikasiteti i zbatimit të ligjit nuk është i qartë.

Çfarë është aksion i mbajtësit (Bearer Share)

Një aksion i mbajtësit është një titull aseti që gjendet nën pronësinë e mbajtësit fizik të certifikatës. Krahasimi më i lehtë është një kartëmonedhë, e cila, në kohën e standardit të arit, mbante gjithmonë shënimin: “I paguhet prurësit me të parë”. Kjo do të thotë se certifikata e pronësisë së aksionit nuk mban emër pronari, për rrjedhojë pronari mund të jetë i fshehtë dhe të kërkojë asetin e tij duke e paraqitur fizikisht certifikatën e pronësisë. E njëjta gjë shërben edhe për llogari bankare sekrete. Shumica e vendeve nuk lejojnë përdorimin e aksioneve të mbajtësit.

Ku dallon mashtrimi fiskal me shmangien fiskale?

Dallimi kryesor është që mashtrimi fiskal është zakonisht kundërvajtje administrative dhe shkelje penale në të gjithë botën, ndërsa shmangia fiskale është teknikisht e ligjshme. Mashtrimi fiskal konsiston në lëshimin e faturave të rreme, apo fshehjen e të ardhurave, ndërsa shmangia fiskale konsiston në shfrytëzimin e të ashtuquajturave “vrima” në legjislacionin e një vendi ose oportunitete të ofruara nga legjislacionet e ndryshme që kanë vende të ndryshme.

Në fillim të viteve 2000, p.sh, në Shqipëri, disa biznesmenë vunë re një hapësirë fiskale të krijuar mes ligjit mbi tatimin e të ardhurave personale dhe ligjit për tatimin mbi fitimin. Në atë kohë, tatimi maksimal mbi të ardhurat personale qe në masën 25 për qind ndërsa tatimi mbi fitimin e kompanive qe në masën 35 për qind. Disa biznesmenë e dalluan këtë diferencë dhe vendosën që të deklaronin fitimet e biznesit si paga për pronarin dhe familjarët e vet. Në një rast tipik, një biznesmen i përcaktoi vetes pagë mujore prej 2 milionë lekësh të rinj, duke i kursyer disa para vetes. Kjo quhet shmangie fiskale dhe nuk përbën vepër penale. Kuptohet, në atë kohë, si edhe sot, kontrabanda e drejtpërdrejtë dhe mashtrimi fiskal qenë të gjithëpërhapura dhe shmangiet fiskale të këtij lloji qenë një delikatesë e parëndësishme. Qeveria shqiptare e kuptoi këtë gabim vetëm katër vjet më vonë dhe e korrigjoi me një ndryshim ligjor në fund të vitit 2004.

Aktualisht, me sistemin e sotëm të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, të vendosur në fund të vitit 2013 me të ashtuquajturin “taksim progresiv”, gropa është krijuar në krah të kundërt. Nëse një shqiptar ka të ardhura nga paga, ai i nënshtrohet një norme tatimi mbi të ardhurat personale në masën 23 për qind ndërsa nëse i ka nga biznesi, paguan tatim mbi të ardhurat nga dividenti në masën 15 për qind, pavarësisht se të ardhurat nga dividenti mund të jenë shumë herë më të larta se sa të ardhurat nga paga.

Problemi në rang botëror që shtrohet sot është se shfrytëzimi i hapësirave mes legjislacioneve të vendeve të ndryshme, apo edhe brenda vetë një vendi, është që duket se këto hapësira shfrytëzohen vetëm nga të pasurit apo shumë të pasurit për të ulur detyrimet fiskale ndërsa qytetari i zakonshëm nuk ka shumë mundësi. Për rrjedhojë, presioni është që mundësitë për të shmangur pagesën e taksave përmes parajsave fiskale të pakësohen sa më parë.

Çfarë është një kompani offshore?

Përkufizimi më i saktë i një kompanie të regjistruar offshore është që kjo kompani ka vendosur zyrën e saj qendrore, e cila shpesh është thjeshtë një adresë fiktive, në një vend ku efektivisht nuk ka aktivitet ekonomik. Nëse një kompani është e regjistruar në Shqipëri pa pasur aktivitet ekonomik të dukshëm, e.g., nuk ofron mallra apo shërbime, por krijon kompani apo degë në vende të tjera, atëherë kjo mund të quhet kompani offshore pavarësisht se Shqipëria nuk klasifikohet formalisht si parajsë fiskale.

Si krijohet një kompani offshore?

Është fare e lehtë. Mjafton të paguhet një tarifë te një firmë juridike dhe ajo është në gjendje të kryejë regjistrimin e kompanisë në një parajsë fiskale pa pasur nevojë që të shkohet fizikisht në këtë parajsë fiskale. Një rast shqiptar është ai i Kastriot Ismailajt, biznesmenit të arrestuar si ndërmjetës në një aferë korruptive mes CEZ Shpërndarje dhe zyrtarëve më të lartë të vendit. Sipas investigimeve të mëparshme të BIRN, Ismailaj qe në gjendje të regjistronte një kompani në Ishujt Virgjin Britanik me ndihmën e një firme ligjore në Tiranë. Krijimi i një kompanie ofshore mund të kushtojë disa mijëra dollarë por sërish, shumë prej kompanive ofshore krijohen dhe nuk përdoren kurrë. Ato zakonisht regjistrojnë për drejtor një person fiktiv, i cili mund të jetë një kontabilist apo avokat. Shumë shpesh, kriminelët apo të korruptuarit shkojnë më tutje, duke krijuar rrjet kompanish ofshore. Pra kompania e parë ofshore vihet nën pronësinë e një kompanie të dytë ofshore e me rradhë, gjë që e bën gjurmimin e pronësisë së vërtetë të kompanisë gati të pamundur.

Çfarë është pastrimi i parave?

Pastrimi i parave si përkufizim është procesi që synon të prezantojë si të ligjshme fitime që janë realizuar në aktivitete të paligjshme, qofshin aktivitetet e trafikut të drogës apo të qenieve njerëzore, qofshin para të fituara përmes ryshfetit nga ana e politikanëve apo zyrtarëve të lartë të shtetit. Mënyra më e zakonshme për pastrimin e parave konsiston në përdorimin e shërbimeve bankare të korruptuara për t’i transferuar këto para në shtete si Zvicra apo Anglia, ku bankat pranojnë depozitimin e miliona eurove të derdhura në para të thata. Hapi i dytë është që këto para vendosen në emër të kompanive fiktive të regjistruara në parajsa fiskale para se të mund të prezantohen si investime të këtyre kompanive fiktive në vendet e zhvilluara. Për shkak se paratë e pista fitohen nga politikanët e korruptuar më së shumti në vendet e varfra dhe investohen përmes kompanive offshore në vendet e pasura, argumentohet se kjo përbën edhe një transfertë shkatërrimtare të parave nga vendet në nevojë ekonomike te vendet e pasura, ku politikanët e korruptuar ndjejnë se i kanë më të sigurta paratë e tyre. Mënyra më pak të komplikuara të pastrimit të parave konsistojnë në krijimin e aktiviteteve ekonomike joreale, p.sh., krijimi i një restoranti që deklaron fitime të larta dhe paguan taksat mbi këto fitime por në fakt, thjeshtë krijon aktivitet ekonomik fiktiv për të pastruar paratë e fituara në aktivitete të paligjshme. Për shkak se krijimi i një aktiviteti fiktiv ekonomik nënkupton detyrimin për të paguar taksa mbi këtë aktivitet, pastrimi i parave mund të mbartë kosto shumë të lartë. P.sh, nëse hapet një restorant dhe deklaron xhiro të lartë fiktive, ai restorant detyrohet të paguajë tatim mbi vlerën e shtuar (në masën 20 për qind të të gjithë shumës në rastin e Shqipërisë) si dhe tatim mbi fitimin (15 për qind e fitimeve neto të deklaruara në rastin e Shqipërisë). Për shkak të kostove kaq të larta, pastrimi i parave përgjithësisht synohet të kryhet në ato aktivitete ekonomike që kanë kosto më të ulët. P.sh., shërbimet financiare nuk i nënshtrohen tatimit mbi vlerën e shtuar dhe përdorimi i një zyre këmbimi valutor apo një banke për pastrim parash është më i leverdisshëm se sa përdorimi i një aktiviteti ekonomik që i nënshtrohet TVSH-së. Po kështu, shitblerja e pronave të patundëshme, e cila i nënshtrohet një takse të quajtur Tatimi mbi Fitimet Kapitale, (15% në rastin e Shqipërisë dhe 10% në shumë vende) shërben si një mjet më i leverdisshëm për pastrimin e parave.

Si rregull, pastrimi i parave është një proces i kundërt me evazionin fiskal, pasi në rastin e evazionit fiskal, synimi është që të shmanget deklarimi i fitimeve para autoriteteve fiskale ndërsa në rastin e pastrimit të parave, synohet që këto fitime të deklarohen dhe mbi to të paguhen taksa e tatime.

Përse shërben një kompani offshore?

Kompania offshore mund të përdoret si për qëllime të ligjshme ashtu edhe të paligjshme. Por më së shumti, fakti është që përdoret për qëllime të paligjshme. Duke fshehur pronarin e vërtetë, kompania offshore mund të investojë një sasi parash që në dukje janë të ligjshme. Mënyra më e zakonshme e kryerjes së kësaj pune, sipas zbulimeve të skandalit të Dokumenteve të Panamasë, qe blerja e pronave luksoze në Londër në emër të kompanive të regjistruara në parajsa fiskale. Ato mund të përdoren gjithashtu për të bërë pagesa të paligjshme. Në vend që të paguhet një çantë me para nën dorë, një biznesmen mund të korruptojë një zyrtar duke i shitur atij për një vlerë fiktive një kompani offshore që disponon asete me një vlerë të caktuar. Rasti i rrjetit të kompanive offshore të Fazlliç dhe Lazareviç është ndoshta më i njohuri. Në një rast tjetër, një biznesmen austriak që fitonte kontrata për ndërtim rrugësh në Shqipëri, pati paguar 1.4 milionë euro te një kompani e regjistruar në Qipro, pronari i së cilës nuk dihet, por që dyshohet se pagesa qe një ryshfet.

Çfarë është Mjeti për Qëllim të Posaçëm (SPV/SPE)?

Është një lloj kompanie që krijohet për një qëllim të caktuar. Arsyeja kryesore është fshehja e një aseti nga një kompani më e madhe, ose kryerja e një transaksioni të rrezikshëm pa prekur kompaninë kryesore. Në anglisht Special Purpose Vehicle/Entity, ajo krijohet shpesh në rastet kur një biznesmen ka vendosur ta falimentojë biznesin e vet kryesor dhe përdor këtë kompaninë tjetër për të shitur asetet e shëndosha të biznesit para se kreditorët, qofshin banka, qofshin autoriteti fiskale, të shkojnë të konfiskojnë kompaninë kryesore.

Çfarë do të publikohet nga dokumentet e rrjedhura?

Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative, grupimi që po koordinon investigimet gazetareske, ka deklaruar në faqen e vet të internetit se dokumentet nuk do të dorëzohen te ndonjë qeveri dhe as nuk do të publikohen në tërësi.

“Ne jemi një organizatë e gazetarisë investigative dhem, si e tillë, ne raportojmë lajme që janë në interes publik. Dokumentet e Panamasë kanë treguar dështime të mëdha sistemike në ekonomitë ofshore. Ato zbulojnë se si politikanët, bankat, kriminelët dhe të famshmin kanë shfrytëzuar avantazhin e sekretit që sigurohet nga parajsat fiskale dhe në disa raste, kanë shkelur ligjin. Këto histori dhe të tjera ne po i ndjekim për interes publik dhe për të vënë para përgjegjësisë industrinë e kompanive në parajsa fiskale,” thuhet në faqen e ICIJ., ku shtohet se të dhënat private nuk janë automatikisht objekt publikimi nga gazetarët.

Gjithsesi, në fillim të majit, ICIJ do të publikojë emrat e të 214 mijë kompanive si dhe aksionerët e këtyre kompanive.