Lajm5 Apr 2020

Rritja e rasteve me Covid-19, shton tensionet mes bashkisë e qeverisë në Shkodër

Rritja e menjëherëshme e rasteve me Covid-19 në qytetin e Skodrës pas pjesëmarrjes në një varrim, ka sjellë përplasje mes kryebashkiakes së djathtë Voltana Ademi dhe institucioneve të varura nga qeveria.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Forcat e policisë dhe ushtrisë duke ushtruar kontrolle në qytetin e Shkodrës. Foto: LSA

Rritja e shpejtë e numrit të të prekurve nga Covid-19 në qytetin e Shkodrës në tre ditët e fundit, ka shtuar tensionet politike në qytetin që është që pas zgjedhjeve të bojkotuara lokale në ngërç. Numrat e të infektuarave në qytet u rritën në mënyrë dramatike në pak ditë nga 12 në 31, kryesisht të lidhura sipas autoriteteve me një varrim dhe me mos respektimin e rregullave të distancimit.

Deklarimi i kryeministrit Edi Rama se Shkodra ishte tashmë një “bombë me sahat” pasi nuk ishin zbatuar me korrektësi masat e karantinës, solli një kundërpërgjigje nga kryetarja në detyrë e bashkisë Voltana Ademi, e cila ka akuzuar qeverinë për trajtimin që po i bëjnë Shkodrës në këtë situatë, ndërsa tha se Rama po përdorte kamzhikun kundër qytetit.

Ademi u ankua për mungesë të ndihmave nga qeveria dhe po ashtu edhe për mungesë të testimeve dhe të hetimeve epidemiologjike që sipas saj kanë sjellë edhe infektimin e qytetarëve. “Kam verifikuar prej dy javësh disa prej të ardhurve, ato për të cilët kam pasë numra kontakti dhe kanë hyrë në Shkodër nga Muriqani, Hani i Hotit, Durrësi dhe Rinasi. Nga 20 persona që kam komunikuar, vetëm 1 ka thënë se është kontaktuar me telefon nga ISHP”, tha Ademi duke vënë në dyshim kryerjen e hetimit epidemiologjik dhe përpjekjet për izolimin e rasteve.

Por drejtoresha e zyrës së ISHP në Shkodër Dhurata Hysa kundërshtoi kryebashkiaken. Ajo tha se nuk ishte e vërtetë që nuk ishin bërë kontaktet, ndërsa këmbënguli se vetëm pak persona nuk ishin kontaktuar për shkak se telefonat rezultonin të fikur. “Është komunikuar me telefon me të gjithë personat e ardhur nga jashtë vendit në Shkodër dhe është caktuar një person që merret me këtë punë. Nuk është komunikuar vetëm me pak persona që nuk janë përgjigjur duke i patur telefonat e fikur ose numrat jo të saktë”, tha Hysa.

Ndërsa drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) Lindita Haxhia, tha për BIRN se nga fillimi e deri të dielën në Shkodër ishin bërë 127 teste. Haxhia tha se vijonte puna me marrjen e tamponave. Të dielën NjVKSh në Shkodër njoftoi se kishte marrë edhe 27 tampone të tjera, kryesisht ndër personat e lidhur me familjet ku janë identifikuar rastet pozitive.

Bashkia e Shkodrës është në një ngërç qeverisës pas zgjedhjeve të fundit lokale të bojkotuara nga opozita. Valdin Pjetri, që u zgjodh si vetmi kandidat që ishte në garë u rrëzua menjëherë pas zgjedhjeve për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Tani bashkia qeveriset nga një Këshill Bashkiak i majtë për herë të parë që pas rënies së diktaturës, ndërsa drejtimin e bashkisë e bën sërish Voltana Ademi.

Kjo e fundit akuzoi qeverinë se nuk po ndihmonte mjaftueshëm në situatën e krijuar dhe se stafi i spitalit në Shkodër  nuk kishte mjete të mbrojtjes. Kryebashkiakja po ashtu i quajti të pamjaftueshme udhëzimet e vetëkarantinimit për personat me shenja të sëmundjes apo kontaktet e tyre. Kryebashkiakja tha se vetëkarantimi në familje nuk funksiononte pasi personat kishin nevojë për ndihmë, ndërsa nuk ishin dhënë udhëzime për analiza apo testime.

Ajo po ashtu u ankua se policia nuk kishte ndërhyrë për të ndaluar cermonitë masive të varrimit. “Është e pafalshme që në rastet e fatkeqësive familjare,organet përgjegjëse të shtetit, përfshi dhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë për të evituar grumbullimet sipas ligjit”, ka thënë Ademi.

Përplasje mes bashkisë dhe institucioneve në kontroll të qeverisë qendrore janë të dukshme edhe në shpërndarjen e ndihmave. Qeveria raporton shpërndarjen e qindra pakove të ndihmave në ditë, por Ademi këmbënguli se kjo sasi në Shkodër ishte minimale. Ademi po ashtu kundërshtoi pretendimin e qeverisë për dyfshimin e ndihmës sociale.

Në raportet e Komitetit të Mbrojtjes Civile në pesë ditët e fundit thuhet se ishin ndihmuar me pako ushqimore nga bashkia rreth 50 familje apo persona të vetmuar në ditë, një numër që duket i vogël në raport me nevojat në zonë.