Blog30 Apr 2021

Sa banorë dhe sa votues ka në Shqipëri?

Vlerësimet mbi numrin e popullsisë  mbështeten në censusin e kryer më shumë se një dekadë më parë dhe për rrjedhojë, është e pamundur të dihet me saktësi se sa janë shqiptarët me të drejtë vote që aktualisht janë rezidentë në Shqipëri.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo


Numri i shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e vitit 2021 ishte afërsisht 3.59 milionë vetë (3,588,869), ndërsa numri i atyre që morën pjesë në votime ishte 1.66 milionë (1,662,253). Ndërsa është e sigurt se një pjesë jo e vogël e gati 1.93 milionë votuesve që nuk morën pjesë në votime, nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk kanë mundësi fizike të votojnë, pjesa tjetër e tyre është e sigurt se nuk votojnë për shkak të apatisë ndaj demokracisë apo protestës së heshtur ndaj realitetit. Sistemi statistikor i vendit e bën të pamundur që të dihet me përafërsi se sa janë shqiptarët me të drejtë vote që nuk votojnë se janë në emigrim dhe sa janë ata që thjeshtë nuk marrin pjesë në votime.

Nëse marrim të dhënat e INSTAT mbi popullsinë rezidente, atëhere mund të themi se në Shqipëri aktualisht jetojnë rreth 2.85 milionë njerëz, nga të cilët, rreth 528 mijë janë nën 18 vjeç dhe nuk kanë të drejtë vote. Ajo që mbetet janë afërsisht 2.32 milionë banorë maxhorenë me të drejtë vote.

Nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e totalit të qytetarëve me të drejtë vote, pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit ishte 46.3% dhe kjo është shifra zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e popullsisë rezidente në moshë madhore, atëhere mund të themi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 72%. Kjo ngjan një përqindje jo e vogël, nëse krahasohet me vendet e tjera evropiane. [Link]

Problemi është se ne nuk mund të jemi të sigurt për numrin e popullsisë rezidente. Shifra prej 2.85 milionë që jep INSTAT në publikimet e saj [Link] është një vlerësim i mbështetur në disa të dhëna të tjera, të cilat tashmë janë bërë shumë të vjetra dhe rrjedhimisht, me gjasa, më larg të vërtetës. Formula e vlerësimit të popullsisë rezidente të INSTAT mbështetet te shifra e popullsisë së regjistruar në censusin e fundit kombëtar, të kryer në vitin 2011. Mbi shifrën e popullsisë së gjetur atë vit, shtohen numri i të lindurve përgjatë viteve dhe hiqet numri i të vdekurve, ndërsa INSTAT bën edhe një vlerësim për flukset migratore, pra njerëzit që supozohet se kanë ikur dhe ata që supozohet se janë kthyer. Ky vlerësimi i flukseve migratore është edhe statistika që kërkon më shumë hamendësim se sa të tjerat dhe që e bën shifrën prej 2.85 milionë, me gjasa të pasaktë.

Ka aludime se qindramijëra shqiptarë në moshë pune kanë ikur në emigrim gjatë dekadës së fundit, por dihet gjithashtu se ka edhe shumë që janë kthyer. Vlerësime të tilla u bënë edhe para censusit të vitit 2011, kur vlerësimi për popullsinë rezidente ishte 3.2 milionë banorë ndërsa realiteti i nxjerrë nga censusi rezultoi 2.9 milionë, me një diferencë prej 300 mijë banorësh.

Një vlerësim i fundit nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vienë sugjeron se nga Shqipëria janë larguar 500 mijë njerëz mes viteve 2010 dhe 2019. [LINK]

Kjo është një shifër më e lartë nga sa sugjerohet nga vlerësimi i INSTAT. Në vitin 2011, INSTAT gjeti në Shqipëri 2.82 milionë banorë ndërsa përgjatë viteve 2012-2020, Shqipëria ka pasur një shtesë natyrore prej 88 mijë vetësh, për një total prej 2.91 milionë banorësh ndërsa vlerësimi i popullsisë për vitin 2020 me 2.85 milionë banorë mbështetet, sugjeron se rreth 60 mijë është rezultati i flukseve migratore neto dhe jo 500 mijë. Të dy shifrat, ajo e institutit të Vienës dhe ajo e INSTAT nuk janë domosdoshmërisht kontradiktore. Instituti i Vienës ka vlerësuar largimet nga Shqipëria ndërsa INSTAT vlerëson largimet dhe kthimet.

Shqipëria kishte në plan të organizonte censusin e ri në vitin 2020 bashkë me shumë vende të tjera të botës por censusi u shty për shkak të pandemisë. Për momentin nuk pritet që një census të bëhet tani shpejt, ende pa kaluar pandemia e koronavirusit të ri sepse censusi nënkupton të dërgosh intervistues shtëpi më shtëpi, duke rrezikuar përhapjen e COVID-19.

Për rrjedhojë ka pak gjasa që ne do të mësojmë së shpejti se sa është popullsia rezidente.