Analize2 Sep 2019

Shtohet dhuna ndaj grave në Turqinë e dominuar nga meshkujt

Rasti i fundit në të cilin një burrë i preu fytin bashkëshortes së tij theksoi numrin në rritje të grave të vrara nga burrat në Turqi, ku autoritetet konservatore nuk po u ofrojnë viktimave të mundshme mbrojtjen që u takon.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë
Printo

Foto ilustruese: Pxhere.

“Nuk dua të vdes!” psherëtiu Emine Bulut ndërsa priste një ambulancë pasi u sulmua nga burri i saj.

“Mami, mos vdis!” thirri vajza e saj dhjetë vjeçare me lot në sy.

Bulut u bë një nga viktimat më të fundit të dhunës në familje në Turqi pasi i shoqi i preu fytin para vajzës së tyre në një kafene në provincën turke të Kirikkales më 23 gusht sepse ajo dëshironte të divorcohej nga ai.

Turqia ka një nga rekordet më të këqija në botë sa i përket vrasjeve dhe dhunës ndaj grave dhe ekspertët thonë se autoritetet turke nuk arrijnë t’u ofrojnë grave mbrojtjen e duhur.

“Qeveria nuk e zbaton ligjin që është pjesë e kushtetutës dhe një kërkesë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare,” tha për BIRN Nuray Cevirmen, sekretarja e të drejtave të grave në Shoqatën e të Drejtave të Njeriut në Ankara.

Cevirmen tha se Turqia ka një shoqëri shumë konservatore, të mbizotëruar nga meshkujt, në të cilën burrat janë rezistentë ndaj sfidave për privilegjet e tyre.

“Legjislacioni kombëtar dhe ndërkombëtar ofron mbrojtje të plotë për gratë, por qeveria turke me dëshirë ngurron të zbatojë plotësisht këto ligje për shkak të kuptimit të saj të rolit të grave,” shtoi ajo.

Shifrat tregojnë shtim të dhunës

Institucionet shtetërore turke nuk publikojnë të dhëna të rregullta për vrasjet e grave, por OJQ-të për të drejtat e njeriut mbledhin bashkërisht të dhëna jo tepër të qarta.

Sipas Anıt Sayac, që ka për qëllim të jetë një monument digjital për gratë e vrara në Turqi, 2,558 gra janë vrarë nga burrat që nga viti 2008.

Vrasjet janë në rritje gjatë dekadës së kaluar. Gjashtëdhjetë e gjashtë gra u vranë në vitin 2008, por 396 gra humbën jetën për shkak të dhunës nga burrat në vitin 2018. Deri më tani këtë vit, janë vrarë 246 gra.

“Çështja e shifrave është një problem i madh. Të dhënat statistike janë të pakta, edhe pse grupet e grave kanë vite që i kërkojnë ato,” tha për BIRN profesoresha Mary Lou O’Neil, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Hulumtuese të Gjinisë dhe Grave në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

“Grupet e grave mbajnë statistikat e tyre, por këto natyrisht janë kryesisht mbi ato që ne dimë dhe ka pak dyshim se këto janë të nën raportuara,” shtoi O’Neil.

Të dhënat mbi dhunën ndaj grave që ekzistojnë janë përpiluar nga raportet e mediave, por ekspertët dyshojnë se realiteti është shumë më i keq.

“Dhuna zakonisht nuk raportohet tek autoritetet, ligjore nëse kjo ndodh brenda familjes. Nëse nuk është brenda familjes, ajo mund të raportohet tek autoritetet ligjore, por atëherë shteti preferon të ofrojë pajtim sesa të penalizojë burrat,” tha Cevirmen.

Megjithatë, Ali Erbas, kryetari i Autoritetit Fetar Turk, Diyanet, këmbënguli pas vdekjes së Emine Bulut se në Turqi jeta e grave vlerësohet. “Jeta, nderi dhe të drejtat e grave janë të paprekshme dhe janë diçka e çmuar nën mbrojtjen e burrave të tyre,” tha Erbas për mediat.

Qeveria e Erdoganit “dëmton gratë”

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Cevirmen u shpreh se gratë kanë status të klasit të dytë në Turqi dhe qeveria nuk dëshiron t’i shohë ato në role të spikatura në shoqëri.

“Roli i grave kufizohet në të qenit nënë, bashkëshorte dhe e varur nga burrat,” tha ajo.

Në një fjalim për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas në vitin 2016, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se gratë që nuk dëshironin të bëheshin nëna ishin “të mangëta”.

Cevirmen tha se qeveria “i jep përparësi familjes, e jo gruas si person”.

“Prandaj burrat nuk po penalizohen dhe sistemi ligjor i mbizotëruar nga meshkujt, i cili mbështetet nga qeveria e Erdoganit, vë në zbatim dënime të padrejta, të reduktuara (për autorët meshkuj të dhunës ndaj grave). Kjo krijon një mjedis në të cilin gratë bëhen të pambrojtura dhe burrat e dinë që nuk do të ndëshkohen për krimet e tyre. Kjo është arsyeja kryesore pse numri i vrasjeve të grave po rritet,” shtoi ajo.

O’Neil argumentoi ndërkohë që “historikisht, një nivel i caktuar dhune ndaj grave, sidomos brenda familjes, ka qenë i pranueshëm” në shoqërinë turke.

Cevirmen pohoi se presidenti Erdogan dhe Partia e tij qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, nuk e pranojnë që roli i grave në shoqëri ka ndryshuar dhe kundërshtojnë nismat për barazi gjinore.

“Fondet dhe donacionet nga qeveria nuk shkojnë kurrë për projekte në nivele lokale dhe shkolla që synojnë të përmirësojnë ndërgjegjësimin për këtë çështje shumë të rëndësishme (dhunën ndaj grave). Përkundrazi, qeveria i ndalon ato nisma pasi i sheh ato si një kërcënim kundër sundimit të saj,” tha ajo.

“Pa mbështetjen e qeverisë, edukimi i njerëzve mbi barazinë gjinore nuk mund të përmirësohet,” shtoi ajo.

Gratë janë gjithashtu të margjinalizuara kur bëhet fjalë për vendimmarrje politike, theksuan ekspertët.

Sipas KA.DER, një OJQ për të drejtat e grave, vetëm 43 gra u zgjodhën si kryetare komunash dhe rrethesh në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2019 dhe vetëm 104 nga gjithsej 600 ligjvënës turq në parlament janë gra.

“Mund të shihni gra në politikë, por ato nuk përfshihen kurrë në proceset e vendimmarrjes. Numri i grave ministre, deputete dhe kryetare bashkish e vërteton këtë,” tha Cevirmen.

O’Neil tha megjithatë se mediat turke kanë marrë më shumë njoftime për sulme të dhunshme ndaj grave në vend.

“Një nga arsyet për atë që duket se është një rritje në këto raste është raportimi më i shumtë i dhunës dhe shumë më tepër dukshmëri e dhunës ndaj grave. Media, përfshirë rrjetet sociale, e mbulojnë këtë çështje shumë më tepër dhe kjo e bën atë shumë më të dukshme, siç duhet të jetë,” tha ajo.

Në rastin e Emine Bulut, dëshmitarët okularë filmuan pasojat e sulmit dhe videoja u shpërnda gjerësisht nga mediat online në Turqi. Më vonë, qeveria turke filloi një hetim për përdorimin e videos së gruas së plagosur nën dyshimin se ajo ishte shfrytëzuese.

Turqisë i kërkohet të zbatojë Konventën e Stambollit

Konventa e Këshillit të Europës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje – e njohur edhe si Konventa e Stambollit – është një konventë ndërkombëtare që synon parandalimin e sulmeve të dhunshme, mbrojtjen e viktimave dhe fundin e mosndëshkimit të autorëve.

Konventa u prezantua në vitin 2011 në Stamboll dhe Turqia është një nga nënshkrueset e saj.

Cevirmen tha se në ligjin turk nuk ka asnjë boshllëk sa i përket mbrojtjes së grave, por numri i vrasjeve dhe rasteve të dhunës është rritur pavarësisht kësaj.

“Konventa e Stambollit ka shumë rëndësi. Mosndëshkimi duhet të marrë fund në sistemin ligjor dhe të kuptuarit e roleve të burrave dhe grave në shoqëri duhet të ndryshojë,” këmbënguli ajo.

Por qarqet konservatore dhe islamike në Turqi e kundërshtojnë Konventën e Stambollit, sepse ata mendojnë se ajo dëmton vlerat e familjes dhe sfidon të kuptuarit konservator të identiteteve gjinore.

“Shembuj të demonizimit të burrave për dhunë ndaj grave dhe krijimi i gjinive hibride (personat LGBTI) tashmë po përhapen shumë. Ofrimi i mbrojtjes ligjore përmes Konventës së Stambollit do të sjellë çarje të pariparueshme në shoqëri,” tha Partia për Kauzë të Lirë, një parti politike islamike, sipas një raporti nga Independent Turkish.

E njëjta media raportoi gjithashtu se presidenti Erdogan, pavarësisht faktit se Turqia e ka nënshkruar konventën, ajo e ka minimizuar rëndësinë e saj.

“Konventa e Stambollit nuk është standardi ynë, marrëveshja nuk është e domosdoshme,” u raportua të ketë thënë Erdogani.