Skeda10 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Adriatik Zotkaj –kryetar i Bashkisë Poliçan

Kryebashkiaku jetëgjatë i Poliçanit, Adriatik Zotkaj deklaron vetëm 984 mijë lekë pasuri dhe  mbi 45 milionë lekë kredi bankare dhe hua. Shpenzimet e pajustifikuara për shlyerjen e tyre kapin vlerën e mbi 5.1 milionë lekëve.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Në fillim përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ dhe më pas i Partisë Socialiste, Adriatik Zotkaj po shkon drejt mandatit të pestë në krye të Bashkisë së Poliçanit. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015, Zotkaj fitoi me 72.46% të votave.

Adriatik Zotkaj drejton bashkinë e Poliçanit prej vitit 2004 dhe mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit që drejton prej 15 vjetësh. Përveç faktit se është një ndër kryebashkiakët më jetëgjatë, Zotkaj është gjithashtu një ndër zyrtarët me të shkuarën penale më të pasur.

Në deklaratën fillestare të figurës në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, Zotkaj pati shënuar tre dënime me katër vjet e dhjetë muaj burg gjithsej për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të Qarkullimit Rrugor”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” si dhe “Falsifikim të dokumenteve shkollore dhe kryerje të veprimeve arbitrare”.

Në një deklaratë të dytë të dorëzuar asokohe në KQZ, Zotkaj deklaroi edhe një dënim të vitit 1985 të marrë në Skrapar.

Paralelisht me precedentët penalë, Adriatik Zotkaj u përball me një kallëzim të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në vitin 2015 për fshehje pasurie. Kallëzimi penal u hetua nga Prokuroria, por nuk solli rezultate.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Poliçanit nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetari i Bashkise se Poliçanit, Adriatik Zotkaj per vitet 2003-2017.

Kryebashkiaku Adriatik Zotkaj nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, ai ka deklaruar pasuri me vlerë 984 mijë lekë.

Referuar deklaratave që Zotkaj ka dorëzuar në ILDKPKI, ai zotëron likujditete bankare me vlerë 951 mijë lekë dhe pjesë në kapitalin e kompanisë “Albanian Beverages Group” prej 33 mijë mijë lekësh.

Të ardhurat familjare të deklaruara për periudhën 2003-2017 janë 19.2 milionë lekë. Kryebashkiaku Zotkaj deklaron se 55% e të ardhurave burojnë nga paga e tij, ndërsa 31% nga paga e bashkëshortes. Ai deklaron gjithashtu të ardhura nga qiraja në masën 4% dhe 8% e totalit llogariten sit ë ardhura të tjera.

Pavarësisht deklarimeve për pasuri modeste, Zotkaj ka nga ana tjetër kredi multimilionëshe dhe probleme të shumta në justifikimin e shpenzimeve për pagesat e tyre. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat 5 deklarata rezultuan me probleme dhe 9 deklarata të tjera pa probleme.

Kryebashkiaku Zotkaj rezulton në pamundësi financiare për të mbuluar shpenzimet e kryera për pesë vite. Vlera totale e pajustifikuar llogaritet në 5.1 milionë lekë, pa llogaritur këtu shpenzimet familjare për konsum.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN ka identifikuar gjithashtu disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me kompaninë ku ai zotëron aksione, kreditë dhe huamarrjet në vlera të konsiderueshme si dhe paqartësinë mbi burimin e fitimit të një prone.

Më konkretisht, Zotkaj deklaron në vitin 2007 krijimin e shoqërisë “Perla e Tomorrit” me kapital 100 mijë lekë. Ndërsa në vitin 2014, për të njëjtën shoqëri me emrin tashmë të ndryshuar në “Albanian Beverages Group”, ABG, ai deklaron se zotëron 33% të kapitalit.

Zotkaj nuk deklaron megjithatë mënyrën e pakësimit të kuotave të kapitalit si dhe në asnjë rast nuk deklaron të ardhura apo fitime nga kompania e biznesit.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është lista e gjatë e detyrimeve gjatë periudhës deklaruese, që përfshin kredi të shumta dhe huamarrje-disa në emër të kompanisë dhe të tjerat pa përshkrimin përkatës për qëllimin dhe destinacionin.

Në vitin 2014, Zotkaj ka dalë dorëzanës për një kredi prej 1,000,000 euro marrë nga kompania ABG, e cila është shlyer në shumën 500,000 euro brenda vitit. Janë rreth 45,500,000 lekë detyrime të tjera të deklaruara përgjatë viteve jo në emër të shoqërisë (nga të cilat 19,702,865 lekë hua nga subjekti Lani shpk Tiranë). Shlyerja vit pas viti e këtyre detyrimeve nuk justifikohet me burimet financiare të deklaruara.

Gjithashtu në vitin 2014, kryebashkiaku Zotkaj dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar si pasuri të përbashkët një tokë me sipërfaqe 1,100 m2, regjistruar sipas kontratës së shitblerjes dt. 05.09.2012. Për këtë pasuri të patundshme, as ai dhe as bashkëshortja nuk kanë deklaruar çmimin e blerjes.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al