Lajm13 Nov 2019

Tre kandidatë për Gjykatën e Lartë kalojnë “vetingun” e KLGJ-së

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, ish-nënkryetari i KLD-së, Ilir Panda dhe pedagogu Ervin Pupe hedhin një hap para drejt ambicies për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi të mërkurën se tre kandidatë kanë kaluar procedurat e verifikimit për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që pesë kandidatë të tjerë janë ende në proces.

Profesori i së drejtës, Ervin Pupe, ish-nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ilir Panda dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi hodhën  një hap përpara drejt ambicies për t’u emëruar në Gjykatë të Lartë.

Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami tha të mërkurën gjatë mbledhjes plenare se këta tre kandidatë e kanë kaluar procesin e verifikimit dhe do t’i nënshtrohen pikëzimit. Llagami shtoi se është duke u kryer verifikimi edhe për pesë kandidatët e tjerë jo gjyqtarë: ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, pedagogen Kestrin Katro si edhe juristët Ardita Buna Alsula, Jetmira Rragami dhe Rezarta Melo (Cenaj).

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të tre kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur jo-gjyqtarë. Në këtë mbledhje plenare nuk ishte i pranishëm anëtari Erion Muharremi, për të cilin kryetarja Llagami tha se ai përfaqësonte KLGj-në në një aktivitet tjetër. Sipas KLGJ-së, pikëzimi do të bazohet në meritat profesionale, ato etike si dhe menaxheriale. KLGJ vendosi të caktojë katër relatorë, pasi Pupe kandidon për dy pozicione. Gjithashtu u vendos se do të merrej parasysh vlerësimi që do të përfundonte më parë.

Më 11 shtator, KLGJ skualifikoi 14 kandidatë për vendet vakante të Gjykatës së Lartë, pasi nuk plotësonin kriteret formale, që përfshijnë shkollimin dhe vjetërsinë në punë.

Aktualisht në Gjykatën e Lartë ushtron detyrën vetëm një gjyqtar, pasi të tjerët u shkarkuan nga procesi i vetingut ose dhanë dorëheqjen. KLGJ komandoi pak kohë më parë gjyqtarë të gjykatave të Apelit për të mundësuar shqyrtimin e disa çështjeve emergjente që lidhen me ekstradimet.