Reportazh28 Jan 2019

‘Zagoria është jeta jonë’: Projekti për kërkime nafte shkakton revoltë dhe pasiguri

Banorët e fshatrave të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliajt që preken prej projektit të Shell për të kryer studime sizmike për hidrokarbure në zonë ndjehen të pasigurtë me garancitë e dhëna prej kompanisë, ndërsa kundërshtojnë kërkimet për naftë.

Autor: Fjori Sinoruka BIRN Tepelenë
Printo

Banoret e Zagorise gjate degjesave publike me perfaqesues te kompanise Shell. Foto: Fjori Sinoruka.

Banorët e fshatit Sheper në zonën e Zagorisë hapën dyert e shkollës 8-vjeçare më 24 janar, vetëm pasi e kishin bërë të qartë përmes protestës kundërshtimin e tyre ndaj planit për kërkime nafte nga kompania Shell.

“Ne jemi të varfër, por jemi mikpritës,” tha një banore, duke iu drejtuar përfaqësuesve të kompanisë që po eksploron prej vitesh për rezerva naftëmbajtëse në Jug të Shqipërisë, kryesisht në zonën e Shpiragut.

Gruaja bëri të qartë edhe qëndrimin e banorëve.

“Ne nuk kemi gjë me ju. Ne keqardhjen e kemi me qeverinë,” u tha ajo përfaqësuesve të Shell Upstream Albania.

Zemërimi i banorëve, të cilët kërkojnë që zona e tyre “Parku Natyror i Zagorisë” të mos preket nga kërkimet për naftë me shpresën se mund ngrenë një ekonomi të bazuar në turizmin malor iu drejtua kryesisht ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakes së Libohovës, Luiza Mandi.

Dy përfaqësueset e zgjedhura u shprehën me rezerva për projektin e kërkimeve në zonë para banorëve, por ata i akuzuan për hipokrizi.

“Pse e miratove?! Pse nuk i the Edi Ramës të mos e miratojë, apo do ta kesh mirë me të dyja palët?!”, ishin copëza të akuzave drejtuar Kumbaros.

Diskutimi në shkollën 8-vjeçare sidoqoftë nuk zgjati shumë. Kumbaro e cilësoi “të cekët” Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe debatoi me përfaqësues të kompanisë Shell duke marrë krahun e banorëve. Ajo u lexoi atyre Tëitterin e kryeministri Edi Rama, që njoftoi se aty nuk do të kishte “shpime naftëkërkuese”. Menjëherë pas kësaj, banorët u ngritën në këmbë dhe dëgjesa u mbyll.

Por se çfarë kishte parasysh kryeministri me “shpime naftëkërkuese” në mesazhin e tij që u lexua si tërheqje, nuk u bë e qartë në takim. Përfaqësues të kompanisë kishin shpërndarë që herët në mëngjes të enjten një komunikatë të shkurtër, që njoftonte se në zonën e mbrojtur nuk do të kishte puse nafte, edhe nëse gjendeshin rezerva.

Nga ana tjetër, ata bënë të qartë se studimi, i cili përfshin vetëm në këtë zonë 300 puse plasjesh në thellësi deri në 12 metra, do të vijonte me miratimin e lejes.

“Jemi në pritje të marrjes së lejes nga autoritetet dhe do të realizohet studimi sizmik në këtë zonë. Por edhe nëse ka sinjalizime për naftë, nuk do të ketë një kontratë të dytë, nuk do të ketë puse nafte në këtë zonë,” tha Robert Naço, Inxhinier Gjeofizik pranë kompanisë Shell.

Dëgjesat publike për studimin sizmik në zonën e Zagorisë përbëjnë fazën e parë të kërkimit, sipas kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Shell Upstream Albania. Ndonëse nuk ka të njëjtin ndikim sa puset e naftës, edhe studimi sizmik sipas parashikimeve të kompanisë sjell disa rreziqe për zonën.

VNM parashikon rrezik për ndotje të ujërave nëntokësorë dhe sipërfaqësore dhe rrezikim të monumenteve të kulturës dhe të natyrës nga shpërthimet dhe vibrimet. Po ashtu, sipas VNM-së shpërthimet mund të krijojnë probleme për kafshët e gjallesat në zonën e shpallur “Park Natyror”.

“Në mungesë të masave të kontrollit, aktivitetet e projektit mund të kenë ndikim negativ në cilësinë e ujit,” thuhet në faqen 181 të “VNM për Vrojtim sizmik 2D në Bllokun 4”. Dokumenti thotë se brenda zonës ku do të kryhet studimi përfshihet edhe “Uji i Ftohtë Tepelenë” dhe një sërë burimesh ujore që shërbejnë për furnizimin me ujë të fshatrave dhe qyteteve të zonës.

Kompania merr përsipër në studim shmangien e rreziqeve dhe po ashtu kthimin e zonës në gjendjen e mëparshme. VNM po ashtu parashikon shmangie të rreziqeve duke mbajtur një largësi sigurie prej burimeve ujore dhe përdorimin e lëndëve eksplozive që nuk lënë ndotje kimike.

Megjithatë pak prej banorëve duken të bindur. Kristaq Qirko, banor i zonës me profesion inxhinier-gjeodez i tha BIRN se “studimi mjedisor është shumë sipërfaqësor dhe ka qenë e nevojshme që të bëhet një studim më i thellë”.

Kryeplaku i Peshtanit të Tepelenës u tha përfaqësuesve se kishte ardhur në takim vetëm për t’u thënë se banorët e fshatit “nuk ishin dakord”. Në Poliçan të Zagorisë banorët refuzuan të merrnin pjesë në dëgjesë.

Edhe park natyror, edhe zonë nafte

Një grup aktivistësh duke protestuar kundër projekteve në zonat e mbrojtura në Zagori dhe në Holtë. Foto: LSA

Shell, një prej kompanive kryesore të nxjerrjes së naftës në botë  ka filluar kërkimet për naftë në Shqipëri që në vitin 1994 dhe u rikthye, pas një shkëputje prej trazirave të vitit 1997, sërish në vitin 2012.

Deri tani Shell ka kërkuar për naftë në zonën e Shpiragun (Blloqet 2 dhe 3), ku është hapur tashmë një pus që në fazë eksperimentale dhe po punohet për hapjen e puseve Shpirag 3 dhe Shpirag 4, rezultati i të cilave mund të vendosë për vijimin e investimeve në këtë sektor.

Kompania thotë se ka shpenzuar disa qindra milionë euro në shpimet e puseve të para në Shpirag. Vetëm shpimi i pusit Shpirag 2 llogaritet të ketë kushtuar rreth 70 milion euro.

Në qershor 2018, Shell firmosi një kontratë të re me qeverinë shqiptare. Kontrata me ndarje prodhimi mes qeverisë dhe Shell  përfshin në fazën e parë kërkimet në atë që njihet si Blloku 4;  në zonën e Përmetit, Tepelenës e Gjirokastrës dhe prek Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës dhe Parkun Natyror të Zagorisë.

Ajo që bie në sy është se qeveria shqiptare brenda pak javësh në vitin 2018 mori dy vendime kontradiktore me njëri -tjetrin. Në 2 maj, me Vendim të Këshillit të Ministrave 354 ajo e shpalli Zagorinë “Park Natyror”. VKM përcakton se në zonën qendrore të parkut me rreth 9 mijë hektarë “zbatohet shkalla më e lartë e mbrojtjes, që siguron një territor të pashqetësuar”.

Megjithatë, pak javë më vonë me VKM 350 të miratuar në 12 qershor, qeveria njoftoi miratimin e kontratës me kompaninë Shell, e cila merrte në këtë mënyrë të drejtën të bënte studim sizmik për kërkim nafte në zonë, përfshirë edhe parqet me “shkallën më të lartë të mbrojtjes”.

Përplasjen mes faktit që qeveria kishte shpallur një pjesë të zonës park të mbrojtur dhe më pas kishte dhënë leje për kërkim të naftës e theksuan edhe banorët në Sherpen.

“Zagoria është një krahinë e veçantë, është një nga perlat më të mira të Republikës dhe është e pazbuluar. Në të njëtën kohë që qeveria shqiptare e shpalli Park Natyror gjithë luginën që nga Gryka e Këlcyrës dhe deri tek Kodra e Sinorit (që i themi ne), në të njëjtën kohë ka dhënë dhe lejen,” tha një banore gjatë dëgjesës.

Banorët besojnë se ndërhyrja për të kërkuar për naftë e dëmton në mënyrë të pakthyeshme zonën.

“Kjo është jeta jonë, është si të thuash kë do jetën apo vdekjen? Ne jemi për jetën. Jeta është Zagoria kështu siç është. Zagoria duhet të mbetet kështu siç është, më mirë s’e bëjnë dot. Të paktën të mos ta prishin,” tha Mihal Puleshi, banor i zonës së Zagorisë  për BIRN.

Nisur nga ndjeshmëria dhe fakti që do të punohej në zona të mbrojtura, kompania u përpoq të qetësonte banorët në Zagori me një komunikatë të shpërndarë të enjten. Aty thuhet se Shell i kupton shqetësimet e njerëzve nga përvoja negative të mëparshme me këtë industri, por ajo tashmë “ka një histori pozitive në Shqipëri”.

Ndotja nga nafta dhe problemet të ngjashme kanë shoqëruar prej vitesh banorët në zonën e Patos-Marinzës dhe pjesë të tjera të vendit. Në shkrime të mëparshme, BIRN ka evidentuar  ndotje të lumenjve, probleme me dëmtimin e banesave dhe një sërë problemesh të tjera.

Rreziqet nga studimi sizmik

Në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis që Shell ka bërë për fazën e kërkimit në të gjithë Bllokun 4  thuhet se aty do të bëhen 3 mijë puse plasjeje dhe në pika të ndryshme do të përdoren makineri të vibrimit. VNM bën me dije se në disa raste, korridoret e përcaktuara për të bërë kërkimin bien në afërsi të monumenteve të ndryshme të natyrës dhe kulturës.

VNM po ashtu thotë se një pjesë e këtyre monumenteve rrezikohen nga shpërthimet që do të kryhen për të parë nëse nëntoka ka gaz apo naftë.

“Tiparet gjeologjike sipërfaqësore, duke përfshirë Lisat e Manastirit në Nivan dhe Pyllin e Gurtë në Nderan, mund të jenë të paqëndrueshme dhe mund të dëmtohen nga mbledhja e të dhënave me anë të përdorimit të lëndëve plasës apo metodave vibro-sizmike. Pa kontrollet, shkalla e ndikimit vlerësohet të jetë e moderuar dhe me rëndësi të moderuar,” thuhet në VNM.

Ngjashëm e rrezikshme paraqitet ndërhyrja për faunën e florën në zonë. Sipas VNM-së megjithëse shpërthimet do të bëhen në thellësi gjë që minimizon zhurmën, prania e makinerive dhe hapja e rrugëve mund të largojë një sërë speciesh dhe të rrezikojë të tjera.

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis në këtë rast sheh probleme kryesisht në zonat me nivel të lartë mbrojtjeje, përfshi pjesën qëndrore të Parkut Natyror Zagori.

Megjithatë kompania premton në këtë studim marrjen e masave mbrojtëse për të shmangur ndikimet. Ajo pretendon se nuk do të shpojë puse plasjeje në pika ku ka ujëra nëntokësorë dhe premton ruajtjen e një largësie prej monumenteve që rrezikohen. Po ashtu, gjatë dëgjesave banorëve iu premtua dëmshpërblim për shtëpitë apo arat që mund të prekeshin prej kërkimeve.

Masat e premtuara prej kompanisë nuk i kanë qetësuar banorët. Në Zhapokikë të Memaliajt, gjatë dëgjesës publike me 17 janar, dhjetë banorë që u mblodhën në kafen e fshatit ishin skeptikë.

“Unë dua që t’i shikojmë më përpara (planet) se po mori vizë atje, mund të kemi shumë probleme me banesat. Mund të afrohet te shtëpia, ne nuk e dimë këtë gjë,” tha Shefqet Alimemaj.

Në Sherpen banorët thanë se çdo ndërhyrje do të dëmtonte shtëpitë e vjetra.

“Këtu ka shtëpi që shkëputen kur bie shi, jo të bien tërmete,” tha një banor i shqetësuar.  Ndërkohë, kryeplaku i Mezhgoranit në një dëgjesë që u zhvillua në Tepelenë të premten tha se fshati i tij e kishte pësuar më herët nga një projekt i ngjashëm.

“Në fshatin tonë ka humbur uji, kanë ngelur rreth 20 familje pa ujë”, tha Malo Bani.

Fakti që zona e kërkimit prek burimet e ujit për të gjitha qytetet dhe qytezat e zonës, ka shqetësuar edhe pushtetarët lokalë. Kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, që po ashtu ishte i pranishëm në dëgjesën me publikun në këtë qytet kërkoi garanci për burimet me të cilat furnizoheshin banorët e zonës.

“Jemi pro investimeve, por na bën skeptik fakti që ndoshta do të ketë dëmtime të natyrës sepse janë zona që nuk janë prekur nga dora e njeriut. Virgjëria e zonës është pasuria më e madhe”, tha Peçi.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Luiza Mandi, kryebashkiake e Libohovës. Mandi tha se ata ata e kishin mirëpritur investimin, por shprehu rezerva për kërkimet në Zagori. “Nuk jemi kundër investitorëve, e kemi mbështetur të njëjtën kompani që është edhe në fshatin Bulo, por nuk jemi dakort për Zagorinë duke qenë se është një Park Natyror,” tha kryetarja e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi.

Halle të ndryshme

Banorët protestojnë kundër kërkimeve për naftë në Zagori. Foto: Fjori Sinoruka.

BIRN ndoqi disa dëgjesa publike në zona të ndryshme që përfshihen në studimin sizmik të kompanisë Shell. E ndërsa për banorë të Zagorisë nuk duhej lejuar ansjë lloj kërkimi që mund të cënonte mjedisin, në Zhapokikë të Memailiajt shqetësimet ishin të një karakteri ekonomik.

Në një takim me 10 banorë në një kafene përgjithësisht të zbrazët, kryeplaku i fshatit foli në emër të të gjithëve, duke u interesuar kryesisht për masën e dëmshpërblimeve dhe për punësim.

“Ne si fshat na intereson a punësohen fshatarë në këto? Më thanë që po, se sa e dinë ata. Duam që të mos na preken shtëpitë e banimit, apo të një burimi që është me ujë, të mos na dëmtohet, këtë duam ne si fshatarë,” tha kryeplaku Qemal Rrodhaj.

Në Poliçan të Zagorisë, banorët nuk pranuan të dëgjonin kompaninë. Ndërsa në Sherpen, Vasillaq Kaso nuk e beson studimin dhe as premtimin se në këtë zonë nuk do të ketë zhvillim të mëtejshëm të projektit.

“Më vjen keq për disa që pyesin çfarë tronditje do t’i bëjë kjo? Ore ju, unë e di shumë mirë që ju vini për interesin tuaj si kompani edhe natyrisht në studimin sizmik që do të bëni, themi se do të ketë kapacitete hidrokarburesh. Në mos sot pas 50 vjetësh do të vini t’i shfrytëzoni se atë interes keni ju. Atëherë çfarë fituam?”, tha Kaso.

Kaso po ashtu i cilësoi formale dëgjesat, pasi tha se kompania ndërkohë kishte marrë miratimin në qeveri. Në takimin e zhvilluar në Tepelenë po ashtu qëndrimet ishin të ndryshme. Kryeplaku i Peshtanit, një fshat i përfshirë në projektin e “100 fshatrave” nga qeveria tha se kishte ardhur në takim vetëm për të komunikuar vullnetin kundër të bashkëfshatarëve të tij.

“Unë mblodha fshatin mbrëmë dhe kam ardhur t’u them se ne jemi kundër,” tha kryeplaku i Peshtanit.

Por kryepleq të fshatrave të tjerë nuk ishin kaq kategorikë. Duke vënë në dukje nevojën për vende pune, ata thjesht kërkuan më shumë garanci nga kompania.

Përfaqësues të saj gjatë takimeve me banorët u premtuan atyre dëmshpërblime të shpejta deri brenda një jave nga bërja e dëmit. Ata thanë se çdo ndërhyrje nëse do të cënonte një pronë apo një shtëpi do të bëhej me kontratë paraprake.