Në mbledhjen e fundit të 2014 Këshilli i Ministrave ka përjashtuar tenderimin e importit të energjisë elektrike nga procedura e prokurimit elektronik, ndryshe nga se kishte rekomanduar Autoriteti Konkurrencës.
Nëpërmjet një vendimi të marrë me mbledhjen 29 dhjetorit, Këshilli i Ministrave ka autorizuar përjashtimin e blerjes së energjisë elektrike nga procedura e prokurimit elektronik.
Vendimi i Këshillit të Ministrave bie ndesh me rekomandimin e Autoritet të Konkurrencës për rishikimin e praktikave të tenderimit të energjisë nga Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OShEE.
Autoriteti ka kërkuar që tenderët e energjisë elektrike të realizohen në mënyrë elektronike “si të gjitha procedurat e tjera të tenderimit në Shqipëri.”
Kjo kërkesë erdhi pas një ankese të marrë nga autoriteti të një operatori se OSHEE po bashkëpunonte me dy tregtarë të energjisë, EFT A.G dhe GSA, për të manipuluar rezultatin e tenderëve për importimin e energjisë elektrike,
Autoriteti Konkurrencës gjithashtu ka kërkuar që mënyra e përcaktimit të ofertës fituese në tenderët e importit të enerrgjisë elektrike të përshtatet sipas Rregullores së Ministrisë së Financave “Për emetimin e obligacioneve”, ku kërkesat konkurruese pranohen si fituese duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ndryshimet e procedurave të tenderimit të energjisë synojnë nxitjen e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë; nxitjen e konkurrencës ndërmjet blerësve; sigurimin e trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë; si dhe sigurimin e integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa më të ulëta për këto lloj transaksionesh.
Një investigim i BIRN pati zbuluar se OSHEE akuzohej se praktikat jo-konkurruese në tenderët e energjisë i kanë kushtuar konsumatorëve dhe taksapaguesve shqiptarë 7.3 milionë euro vetëm në periudhën Janar-Shtator 2014.