Një opinion i dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës për Ministrinë e Transportit kundërshton propozimin për zgjatjen e koncesionit, pasi sipas formulimit aktual, koncesionari përfiton zgjatje të kontratës me dy vjet, pavarësisht nëse do të ketë apo jo aeroport tjetër në Shqipëri.
Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës ka injoruar një rekomandim eksplicit të Autoritetit të Konkurrencës për moszgjatje të afatit të koncesionit të Aeroportit të Rinasit dhe për heqje të menjëhershme të ekskluzivitetit si një shkelje e parimeve anti-monopol të Bashkimit Europian, por pavarësisht rekomandimit të Konkurrencës, ministria ka vendosur të pranojë propozimin e koncesionarit.
Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi të premten se ka arritur një marrëveshje me kompaninë koncesionare të aeroportit të vetëm ndërkombëtar, ku koncesionari pranon të heqë dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit me dy vjet. Haxhinasto e shpalli arritjen e marrëveshjes si një sukses duke paralajmëruar vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, dhe interesimin e kompanive europiane të njohura si “loë cost” për të operuar nga ky aeroport.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës, i publikuar të shtunën, tregon prapaskenat dhe hiletë e marrëveshjes, si dhe rekomandon që qeveria nuk duhet ta pranojë zgjatjen e afatit. (Kliko këtu për të parë vendimin).
Gjithsesi, autoriteti i Konkurrencës vëren se mënyra se si është formuluar modifikimi i kontratës, përcakton një zgjatje automatike të afatit të koncesionit dhe se ky afat zgjatet pavarësisht nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo.
“Në nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të eskluzivitetit të operimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me minimalisht 0.5 vite nëse një aeroport tjetër fillon në vitin 2024 dhe maksimalisht 5 vite nëse ndonjë aeroport tjetër fillon të operojë që këtë vit,” thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.
Koncesioni i aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Tiranës u firmos në vitin 2004 me vendim të shumicës parlamentare socialiste të asaj kohe, mes kritikave të ashpra nga media dhe ekspertët për shkak të klauzolës së ekskluzivitetit në kontratën e koncesionit. Që nga koha kur u firmos, kompania koncesionare ka realizuar fitime të majme në vendin më të varfër të Europës.
Aktualisht kompania që menaxhon Rinasin fiton 8 deri në 10 milionë euro në vit neto, dhe zgjatja e koncesionit me dy vjet nënkupton vijimin e fitimeve të kësaj kompanie në kurriz të shqiptarëve me 16 deri në 20 milionë euro në vit. Ndërkohë, ndërsa afati i koncesionit zgjatet me dy vjet, nuk është e sigurtë se Aeroporti i Kukësit do të funksionojë, dhe nëse do të funksionojë, do të jetë apo jo në gjendje të konkurrojë Rinasin dhe të sjellë ulje të kostove. Shumë ekspertë vërejnë se Aeroporti i Kukësit, është aktualisht jashtë kohe, pasi kur u ndërtua, gjykohej se mund të shërbente për të mbuluar një pjesë të tregut të Kosovës. Kosova në kohën kur filloi ndërtimi i aeroportit të Kukësit nuk qe ende një vend i pavarur, qe nën kontrollin e UNMIK dhe nuk qe e sigurtë nëse Aeroporti i Prishtinës do të mund të zhvillohej për të përballuar trafikun në rritje apo jo.
Ekskluziviteti mbetet
Ndërsa kompania e aeroportit ka pranuar të heqë dorë nga monopoli i fluturimeve ndërkombëtare në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit, kontrata e re përcakton se ekskluziviteti i saj do të mbetet në fuqi për një rreze prej 100 kilometrash nga aeroporti aktual. Kjo është një rreze që përfshin pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë dhe pjesën më fitimprurëse të tregut, për shkak se aludohet se shumica e udhëtarëve ajrorë kanë për destinacion Shqipërinë e Mesme ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë së vendit. Kontrata, e shpjeguar nga Autoriteti i Konkurrencës, përjashton nga ky ekskluzivitet vetëm Aeroportin e Kukësit dhe një aeroport në Vlorë.
Qeveria më herët ka shprehur dëshirën të zhvillojë ish-aeroportin ushtarak të Vlorës në aeroport ndërkombëtar civil për të fuqizuar turizmin, por për këtë nuk ka ende plane konkrete. Për çdo rast, sipas kushteve të negociuara nga Haxhinasto, në rast se një aeroport si Vlora do të vihet në punë, kontrata e koncesionit mund të zgjatet për deri pesë vjet nga afati aktual 20 vjeçar.
Në fund, Autoriteti i Konkurrencës thonë se megjithëse është institucioni që në mënyrë të përsëritur ka kërkuar liberalizimin e tregut të fluturimeve ajrore, “thekson se gjatë negocimit të rishikimit të marrëveshjes duhet marrë në konsideratë” disa faktorë të tjerë, si performanca financiare e kompanicë koncesionare dhe faktin se zgjatja e kontratës po bëhet pa vendosur kusht operimin e aeroporteve të tjera.”
Për këto arsye, Autoriteti i Konkurrencës vendosi: “Të mos zgjatet afati i eksluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncensionari për rishikimin e marrëveshjes,” thuhet në vendim.
Autoriteti i Konkurrencës është zhvilluar përgjatë dekadës së fundit si një nga institucionet më autoritare në Shqipëri. Por qeveritë shqiptare përgjatë kësaj periudhe në vijimësi janë prirur të injorojnë rekomandimet e saj ndërsa gjetje të ndryshme të shkeljeve me karakter penal, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike, nuk janë pasuar nga hetime nga institucionet përgjegjëse.