Kuvendi miratoi mes debatesh ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve-ndërsa prishja e konsensusit dhe ashpërsimi i klimës politike ngrenë pikëpyetje mbi procesin e komplikuar të zbatimit të reformës në drejtësi.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 88 votat e mazhorancës projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndërkohë që opozita bojkotoi votimin dhe akuzoi shumicën se kishte devijuar tërësisht nga parimet kushtetuese të miratuara me konsensus mëngjesin e 22 korrikut.
Një deputet i pranishëm në sallë gjatë seancës së jashtëzakonshme të së martës abstenoi.
Pas miratimit të ligjit, kryeministri Edi Rama deklaroi se u hap rruga për “fshesën e hekurt ndaj të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë”.
“Sot kasta e të inkriminuarve në pallatin e drejtësisë e ka marrë mesazhin e qartë, ndërsa shqiptarët morën vullnetin e patundur të kësaj shumice për t’i dhënë vendit drejtësinë e mohuar për kaq vite,” tha Rama në oborrin e Parlamentit.
Por ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi atë si autorin kryesor të shtrembërimit të parimeve kushtetuese, me qëllimin e nisjes së një “gjuetie shtrigash” në gjyqësor.
“Ti je kryeministri më i përkohshëm i këtij vendi. Por ne duhet të zbërthejmë me seriozitet në ligj atë që miratuam në kushtetutë. Gjahun e shtrigave nuk mund ta bësh,” tha Berisha në sallën e Parlamentit.
Ligji i vetingut u negociua pa sukses gjatë gushtit mes mazhorancës dhe opozitës dhe hyri në seancë plenare pasi mori miratimin e ekspertëve ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT.
Por ndryshe nga atmosfera konsensuale e 22 korrikut, séanca e jashtëzakonshme për miratimin e tij u shoqërua me përplasje dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës.
Drafti i njohur ndryshe edhe si “ligji i vetingut” është i pari i një pakete të gjerë prej 48 projektligjesh, shtatë prej të cilave konsiderohen themelore për ngritjen e institucioneve të reja dhe vënien në shina të procesit të reformimit të drejtësisë.
Miratimi i tij shihej gjerësisht si një test i vullnetit politik për vënien në zbatim të reformës.
Projektligji përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut-Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Por roli i institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces shkaktoi krisjen e konsensusit të arritur në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Përmes një pakete prej 28 amendamentesh të dorëzuara në Kuvend të hënën, Partia Demokratike konteston rolin kyç sipas saj që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme do të kenë në procesin e vetingut.
“Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organet e kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv passjell kontroll të qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit,” thuhet në shkresën që shoqëron amendamentet e PD.
Duke përmendur drejtuesit e këtyre institucioneve-një pjesë e të cilëve eksponentë të Partisë Socialiste, opozita kërkoi që rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kryhej vetëm nga KPK dhe Kolegji i Apelimit.
“Organet e reja të vetingut vendosen nën mbikqyrjen dhe kontrollin e qeverisë….Në këtë mënyrë, reforma kushtetetuese rrezikon të dështojë dhe të humbasë besueshmërinë e publikut, sepse vetingu realisht dhe faktikisht kryhet nga një mazhorancë politike, në shkelje të standarteve të pavarësisë dhe paanësisë,” shton PD në amendamentet e saj.
Ndonëse projektligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi kërkojnë 84 vota-të cilat mazhoranca provoi që i ka, prishja e konsensusit rëndon klimën politike për zbatimin e shpejtë dhe me vendosmëri të reformës në drejtësi.
Në anën tjetër, Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të lejojë miratimin e njëanshëm të paketës ligjore për reformën, duke mos përjashtuar edhe një beteje në Gjykatën Kushtetuese me mazhorancën.