Sërish dhe sërish, shiu vjen dhe përmbyt. Sërish dhe sërish, qeveritë i gjejnë kanalet e kullimit, hidrovorët dhe objektet e tjera antipërmbytje në gjendje të mjerë. Dhe sërish qeveritarët mallkojnë qiellin, kur në fakt, diçka nuk shkon në tokë, në menaxhimin e zakonshëm të infrastrukturës publike.
Mbrëmja e kësaj të shtune të dytë Tetori, në të gdhirë e diela, në Shqipëri është një pamje e përsëritur që shumëkush nuk e ka harruar akoma. Ndërkohë që një pjesë e shqiptarëve janë gdhirë nën ethet e ndeshjes së kombëtares për kualifikimin në Kampionatin Europian Francë 2016, pothuaj e gjithë Ultësira Perëndimore e Shqipërisë dhe Juglindja u zgjuan nën ethe, por jo nga emocioni për ndeshjen e futbollit, po nga të ftohtit, sepse u zgjuan nën pushtetin e ujit.
Por a na kapi moti sërish të papërgatitur?!
Jo, nuk ka kaluar akoma një vit që kjo pamje ishte e pranishme në të gjithë vendin.
E mbani mend besoj, kamionë më bagëti, me ushqime për bagëtitë dhe ushqime për njerëzit, në zonat e Lushnjës, Fierit, Vlorës e më gjerë. Shumëkush mban mend edhe politikanë që nuk nguruan të bënin fotot e rastit me qengja në dorë, apo të tjerë mbathur me çizme, që fajësonin motin e “pabesë” se i kapi të papërgatitur, se ai ishte viti me intensitetin më të lartë të reshjeve rënë ndonjëherë…etj. Por nuk ngurruan të bëjnë premtimin e radhës, ‘ky është viti i fundit që ndodh kjo situatë, vitin tjetër ky problem nuk do të jetë më, nxorëm mësimet e duhura’ etj.
Stinët ia lanë vendin njëra-tjetrës, kaluam nga një mot i lagësht në një verë përvëluese e të thatë, por edhe politikisht. Fushata elektorale që kaluam nuk qe më pak e ‘përmbytur’ nga premtimet për këtë situatë.
Ndërkohë masat dhe veprimet konkrete politike si gjithmonë nuk u panë kund. Kaloi edhe fushata elektorale edhe pushimet. Punë përgatitore për dimrin nuk u pa gjëkundi. U rishikua buxheti dhe dikasterit përkatës që ka detyrë problematikën përkatëse iu hoqën para akoma, në gjysmë të rrugës.
Përmbytje dhe fatkeqësi natyrore ndodhin kudo, sigurisht në përmasa edhe më të frikshme se në Shqipëri.
Po rastet kur përmbytet një vend, i cili 3/4 e territorit i ka territor kodrinor dhe malorë janë të pakta.
Unë s’kam se si të jem nostalgjik për një kohë që nuk e kam jetuar, apo një sistem totalitarë qeverisës, por ama di që nga sistemi i para viteve 90-të, kemi trashëguar një infrastrukturë kulluese, vaditëse dhe argjinaturë lumore, gati të shkëlqyer.
U shkatërrua gjithçka, ca për shkak të amortizimit e ca nga dora e njeriut, dhe sot situata e përmbytjeve në Shqipëri sa vjen e përkeqësohet, nga viti në vit.
Argjinaturat e lumenjve janë të degraduara, kanalet kulluese dhe vaditëse janë në gjendje të mjerueshme. Situata në zonat urbane është ku thërret qameti, mjafton një orë shi dhe qyteteve u plasin ujërat. Pyjet janë shkatërruar dhe vazhdon masakra ndaj tyre me intensitet më të madh se reshjet..
Unë nuk jam nga njerëzit që e shoh gjithçka zi në këtë vend, përkundrazi, por faktet çdo ditë më provojnë të kundërtën.
Për të sjellë në kujtesë rastin tek Bregu i Lumit, sa herë binte shi, edhe më pak se këto ditë, shtëpitë përmbyteshin, u bë një ndërhyrje minimale dhe situata u normalizua. Sigurisht nuk u bënë shumë foto në Facebook për sistemimin e lumit, por diferenca është bërë. Kur paratë që harxhohen për punë që nuk duken, bereqeti është me i madh.
Po pse përmbytet Shqipëria kështu çdo vit? A është sasia e reshjeve që rritet nga viti në vit, apo dora e njeriut që shkatërron çdo vit e më shume?!
Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër, nuk ka para për t’i ndryshuar gjërat me shkop magjik, këtë besoj e pranon edhe më kritiku në këtë vend.
Por pyetja që bëhet është: – Po ato pak para që janë ku shkojnë?
Sa para janë shpenzuar për argjinaturat e lumenjve, sa para janë shpenzuar për kanale kulluese, sa para janë shpenzuar për vënien në punë të hidrovoreve, sa për pyllëzime të reja, e sa e sa e sa…?!
Sigurisht kur pyeten pushtetarët, japin shifra pa fund dhe para që janë shpenzuar për këtë e atë punë. Po atëherë përse situata në vend të përmirësohet vjen duke u përkeqësuar?
Sepse në Shqipëri, tenderët që jepen për gjithë sa më lart u pyet, janë korruptive së pari, së dyti punët nisen nga çatia e jo nga themeli, së treti edhe në ato pak raste ku shpenzohen paratë, monitorimi i punëve është zero.
Sa raste ka, ku, për një argjinaturë lumi janë shpenzuar miliona para për herë te tretë apo të katërt dhe sërish problematika nuk është zgjidhur.
Qeveritë shqiptare të vetëdijshme për pamundësinë ekonomike që kanë, janë kthyer si ai kryefamiljari, i cili në pamundësi ekonomike për të mbajtur familjen edhe ato pak para që ka del e i luan kumar e i bën alkool, dhe në vend që të menaxhojë efektivisht aq sa ka, e thellon akoma më tepër skamjen e familjes së tij.
Qeveritë tona nuk i pinë alkool paratë e taksapaguesve shqiptarë, por i kthejnë në të mira vetjake ato dhe i shpërdorojnë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, as morale as ligjore.
Problem i parë dhe i fundit që ka përmbytur këtë popull dhe bashkë me të edhe qeveritë ë tij, është KORRUPSIONI. Dalin dhe do të vazhdojnë të dalin pushtetarët të thonë – “Na kapi shiu të papërgatitur”. Jo, shiu nuk u ka kapur të papërgatitur, shiu u kapi sërish duke vjedhur.
Nuk ka llum shiu në botë që të mbulojë më mashtrimet, vjedhjet dhe propagandën e neveritshme që është bërë e vazhdon të bëhet në këtë vend.
Dhe ju vazhdoni ndihuni krenarë me paratë e popullit, siç e keni bërë zakon të thoni shpesh, por popull krenarë me të ndenjura në ujë, veç popullit shqiptare, nuk mund të ketë tjetërkund.