Opinion26 Nov 2014

Diletantizmi nuk mbulohet dot me arrogancë

Argumentet e kryeministrit se shqiptarët e varfër nuk kanë asnjë justifikim për të mos paguar faturat e kripura të energjisë, mund të jenë të veshura me stil por nuk e mbulojnë dot diellin me shoshë.

Autor: Dorian Matlija BIRN Tiranë
Printo

  1. Argumenti me pensionistë
Kryeministri Edi Rama | Foto : LSA

Kryeministri Edi Rama | Foto : LSA

Kryeministër, ndoqa me vëmendje fjalën tënde në përpjekjen e radhës për të argumentuar pse nuk vlen justifikimi i atyre që nuk paguajnë energjinë sepse janë të varfër. Në parantezë, kam qenë gjithnjë i mendimit se argumenti mediokër, i shtruar mbi një informacion të cekët, por i veshur me stil, mund edhe të shitet në shumicën e popullit si diçka me vlerë. Por nuk do të thotë që vlen vërtet.

Argumenti “i fortë” i yti ishte se 98% e pensionistëve janë të rregullt në pagesat e tyre për energjinë elektrike. Nuk po i futem verifikimit nëse kjo shifër është e virgjër apo jo, sepse kështu e komplikojmë debatin. Më mirë e marrim si të vërtetë. Sipas teje, pensionistët janë më të varfëritë e shoqërisë. Madje kjo gjetje u shoqërua edhe me pyetjen “a ka më të varfër se ata?” Përgjigja ime është që ndoshta jo në rrethin tënd familjar, por sigurisht që ka në rrethin tënd të të qeverisurve.

Së pari, pensionistët, sado pak, kanë të ardhura. Ata kanë pensionin. Sipas INSTAT, pensioni në zonat urbane varion nga 12.000 deri 24.000 lekë në muaj. Pensioni rural është nga 8.000 deri 12.000 lekë në muaj sepse familjet rurale kanë edhe tokë bujqësore dhe mundësira për blegtori. Sigurisht që kaq të ardhura janë pak, por gjithsesi ato janë të ardhura. Ndërkohë që papunësia ka arritur në nivelin 18% dhe të papunët nuk kanë fare të ardhura. A konsiderohen të papunët më të varfër se pensionistët? Ma merr mendja që nuk ka nevojë për përgjigje. Nga ana tjetër, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike marrin të ardhura shumë herë më të ulëta se pensionet, ku dominojnë shifrat nga 2.000, 3.000 apo 4.000 lekë në muaj. Po këta a janë më të varfër se pensionistët? E njëjta gjë vlen edhe për ata që marrin pagesën e papunësisë (e kufizuar në kohë).

Së dyti, pensionistët në përgjithësi nuk kanë persona në ngarkim. Edhe nëse kanë, këta persona nuk janë fëmijë të mitur, por përgjithësisht persona me aftësi të kufizuar që trajtohen me pension të posacëm nga shteti, prandaj kanë ca të ardhura shtesë. Por një person që është i papunë në më të shumtën e rasteve ka fëmijë të mitur në ngarkim. Fëmijët nuk trajtohen me ndonjë pension, por për më keq, ata kanë nevoja për shpenzime speciale, më të mëdha se të rriturit.

Së treti, pensionistët i kanë fëmijët e rritur dhe kanë më shumë mundësi të shtrijnë dorën tek ta për ndihmë për të paguar energjinë elektrike nëse nuk u del pensioni. Madje shumë pensionistë janë edhe përfituesit kryesorë të remitancave nga emigrantët. Shumë pensionistë sot kanë fëmijë jashtë Shqipërisë dhe përfitojnë kontribute të rregullta në para dhe në mbulimin e shpenzimeve të tjera për veshje, elektroshtëpiake etj, duke bërë të mundur mbetjen e më shumë parave të thata për të paguar energjinë elektrike. Por ata që janë pa punë, apo me ndihmë ekonomike, në më të shumtët e rasteve nuk kanë fëmijë emigrantë dhe i shtrijnë dorën dyqanit përballë shtëpisë për të blerë djathë pa e paguar aty për aty e për të mbetur borxh, me shpresë se një ditë do gjejnë punë dhe do e shlyejnë borxhin.

Së katërti, pensionistët janë më pak në numër se të papunët, personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, etj. Lëre pastaj, sikur të shtojmë këtu edhe shifrat e papunësisë së paregjistruar shifrat na bëhen alarmante. Vetë ti, dikur opozitar, nuk i ke besuar asnjëherë shifrat se në Shqipëri ka të papunë aq sa thotë INSTAT.

Atëherë, e sheh pra që ka një ushtri me njerëz më të varfër se pensionistët? Sipas INSTAT niveli i varfërisë është diku mbi 14% në raport me popullsinë. E pra, nuk besoj se në këtë kategori ka hyrë ndonjë pensionist, sepse dalin mbi kriterin e të ardhurave minimale për person.

The se ministria përkatëse po punon për një variant të shlyerjes me këste të borxhit të akumuluar të shumë familjeve të varfra. Po deri sa t’i ngrohet kompjuteri ministrisë për  të hedhur disa radhë program për këtë punë, çfarë do të ndodhë me ata që tashmë u është prerë furnizimi me energji? Këtyre viktimave të shtetit ligjor (në mungesë të shtetit të së drejtës) nuk u ngrohet as uji për t’u larë. Mbase më shpejt besoj se do miratohet heqja e akcizës për pijet energjike…

Para disa ditësh pashë në një kronikë lajmesh ku fëmijët studionin me qiri sepse prindërit e tyre nuk kishin paguar energjinë për shkak se ishin të varfër. E gjithë kronika vinte erë mesjetë. Një burrë diku nga mesi i kronikës dëshmoi se edhe rruga pranë shtëpisë së tij tashmë nuk ndriçohej më sepse me sa dukej edhe komuna ishte debitore. Në atë errësirë mund të gëlonte kriminalitet, mund të rrëzoheshin njerëz nëpër kanale, apo edhe mund të shfrenoje fantazinë për historitë horror apo erotike.

Pse e gjithë kjo? Pse u dashkan penalizuar edhe fëmijët që fajin e vetëm kanë që kanë lindur në një familje të varfër? Sepse qeveria e ka marrë jangllësh këtë punën e zbatimit të ligjit. Politikëbërësit nuk kanë haberin se në kohët e sotme nuk kemi nevojë për “shtet ligjor” por për “shtetin e së drejtës”. Ata që kanë formim të cekët juridik u duken njëlloj këto terma, por ata që kanë studiuar e dinë që këto dy koncepte janë vite dritë larg. Për ta bërë më të lehtë kuptimin, shtet ligjor kishte edhe Enver Hoxha sepse helbete nuk pushkatonte e internonte njeri pa ligj. Vetëm se ligjet ishin kriminale. Këtu qëndronte e keqja. Shteti ligjor i asaj kohe respektohej deri në detajin më të imët por askush nuk guxonte të mendonte se ligjet ishin të padrejtë. E njëjta gjë po ndodh edhe sot me zbatimin e ca ligjeve që askush nuk është ulur të mendojë se në rrethana të caktuara prodhojnë pasoja idiote. Për këtë punën e hajdutëve të energjisë, më parë ligji zbatohej në mënyrë sporadike dhe nuk vihej re se sa dobët është gatuar. Por kur i hyn një aksioni të tillë, do studiuar mirë situata, e jo të marrësh telefonin e të urdhërosh nisjen e zbatmit të ligjit si të jesh duke ngarë ndonjë tren dhe ke sigurinë që shinat janë shtruar mirë.

Sot në qeveri, një hierarki zyrtarësh, të shkëputur fare nga realiteti, nuk kanë as më të voglin haber se sa ndryshon jeta e tyre vanitoze me atë të shqiptarit të varfër. Një tufë dembelësh për të lexuar pak më shumë konventa e raporte ndërkombëtarësh për këtë çështje në botë, të cilëve u ka rënë në dorë të bëjnë shtet, kujtojnë se meritojnë duartrokitje sa herë bëjnë sikur po vënë në vend dinjitetin e ligjit, pa u thelluar më tej. Përtojnë të lexojnë dhe refuzojnë të dëgjojnë apo shohin ankesat, me arrogancën e triumfatorit mediatik që ja doli edhe një ditë tjetër të jetë në paradën hit të lajmeve.

 

Ajo që më shqetëson pa masë është se askush nuk po rreket të japë sinjalin se po e vret mendjen të rishikojë këto ligje, rregullore apo kontrata. Situata është e gabuar që në gjenezë. Nuk them se është gabim që të shkojnë për ndjekje penale ata biznesmenë që nxjerrin fitime të majme dhe nuk paguajnë energjinë sepse preferojnë të hedhin një tel në shtyllë për të shtuar fitimin. Por them me bindje se ka shumë fukarenj që janë në borxh deri në fyt me faturat e energjisë elektrike dhe se kërkesa për t’i detyruar këta që të paguajnë borxhin menjëherë është absurde. Kur nuk e paguajnë u ndërpritet energjia dhe nuk u rilidhet deri sa të gjejnë lekë borxh që ta paguajnë detyrimin. Nëse tentojnë ta rilidhin vetë energjinë atëherë përfundojnë pas hekurave dhe qeveria jote do e shesë për aksion dinjitoz. Nëse nuk tentojnë të rilidhin energjinë atëherë do rikthehen në stilin mesjetar të jetesës.

*      *      *

  1. Shembull për të vënë duart në kokë

Që të mos duket sikur po flas në përgjithësi, ja po të jap edhe një shembull konkret, që kush e dëgjon nuk rri dot pa vënë duart në kokë. Para ca ditësh, në studion ku punoj, e cila ofron ndihmë ligjore falas për shtresat në nevojë, më erdhi një qytetar nga komuniteti rom nga Elbasani. Nga gjendja ekonomike ishte tejet i varfër. Familja e tij përbëhej nga 4 vetë. Ai, bashkëshortja  e tij, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë dhe me raport për paaftësi të plotë për punë, dhe dy fëmijët që nuk kishte shumë kohë që ishin bërë madhorë. Ai dhe dy fëmijët ishin regjistruar te zyrat e punës por për shumë kohë askush nuk i kishte gjetur punë. Për këtë shkak familja e tij trajtohej me ndihmë ekonomike në masën 4300 lekë në muaj (nuk është lapsus shifra). Ai kishte disa vjet në këtë gjendje dhe nuk kishte paguar faturat e energjisë elektrike ndonëse ato ishin me vlerë modeste që varionte nga 800 lekë deri në 1500 lekë në muaj. Vlera totale e borxhit kapte shifrën e 406.000 lekëve (lekë të reja dhe aspak lapsus). Një ditë të bukur ai mbetet pa energji dhe nuk e kuptoi që në fillim nëse ishin punonjësit e OSHEE që ia ndërprenë apo ishte defekt i zonës. Sigurisht që në shtetin tonë ligjor por aspak të së drejtës askush nuk të lajmëron pak përpara që të marrësh masat (kontrata thotë që duhet bërë njoftim me shkrim të paktën para 48 orëve). Pasi e kuptoi, u interesua që të rilidhte energjinë por i thanë se pa paguar 406.000 lekët ta qante rilidhjen.

Sipas mendjeve të ndritura që qëndronin pas vendimmarrjes në fjalë, pritej që ky individ të kursente ato 4300 lekët që merrte çdo muaj, të mos hante, të mos pinte e të mos vishej apo të blente qoftë edhe një aspirinë për dhimbje koke, dhe pas nja 8 vjetësh bënte vaki të paguante faturat. Pastaj do vinte dikush nga OSHEE dhe do ja lidhte energjinë. Ë? Shtet ligjor apo jo? Ka lezet! Ka shtet këtu! Ka policë gjithandej. Ka edhe ministra që dalin nga shtëpia për të marrë racionin ditor të duartrokitjeve, sic ka edhe kryeministër që përbetohet se pandëshkueshmërisë i erdhi fundi. Bukur, bukur…

Por qytetari nga Elbasani nuk kursen dot gjithë lekët e ndihmës ekonomike dhe kjo nuk do as mend e as kalem. Sipas “shtetit ligjor” i bie që ai ta ngrysë jetën pa drita. Por sipas shtetit të së drejtës energjia elektrike nuk mohohet as në burg. Për kuriozitet provoje të heqësh dritat në burg dhe do shohësh se sa raporte ndërkombëtarësh do të vijnë brenda javës. Dhe sigurisht që në një situatë të tillë atij qytetarit nga Elbasani i mbeti vetëm një rrugëzgjidhje – ta rilidhte vetë energjinë. Dhe mos kujto se ai nuk është burrë i ndershëm. Ai nuk e vjedh energjinë nga shtylla, por e rilidhi në sahatin e tij, për t’ia numëruar kilovatët e konsumuar, që nëse një ditë ai do gjente pune do të mund ta paguante borxhin.

Nuk kaluan as dy ditë dhe atë e dërguan për ndjekje penale. E cilësuan hajdut. Shteti triumfoi. E pra a paguajnë pensionistët 98%? Pse nuk paguan edhe ky tipi që nuk është pensionist? Ndërkohë që ai sipas ligjit prezumohet ende i pafajshëm, ti  si kryeministri i argumenteve të fortë dhe i të varfërve (prej pensionistëve e lart) i vë damkën hajdut gjithë kategorisë së tij. Prokurori të dëgjon dhe kërkon dënimin e tij. Gjyqtari tund kokën në shenjë miratimi sepse nuk ka ç’i duhet të kruhet me Kryeministrin që shtrëngon dhëmbët në çdo ekran televiziv kundër gjyqtarëve që nxjerrin nga burgu hajdut e energjisë. Madje ai gjyqtari i shkretë nuk do guxojë as mund të mendojë një moment të konsiderojë si rrethanë lehtësuese gjendjen e të pandehurit. Njëlloj si dikur kur Enver Hoxha dërgonte mesazhin gjykatës “ti bëhet gjyqi dhe të pushkatohet”. Po pse t’ia bëjmë gjyqin kur u ditkërka edhe dënimi i merituar?

Ai qytetar nga Elbasani e rilidhi energjinë sepse gruaja e tij vuante nga astma. Moti i ftohtë njihet si shkaktar për atak astme. Ai qytetar nuk kishte para as për të blerë sobën dhe gazin. Nuk zgjati një javë nga momenti kur OSHEE ia ndërpreu këtij “hajduti” përsëri energjinë e rilidhur pa autorizim dhe gruaja e sëmurë u shtrua një javë në spital. Tashmë doli nga spitali dhe u fut në të njëjtën shtëpi pa drita dhe pa ngrohje. Sa do që të mbulohet me batanije, ajri që thith është i ftohtë dhe do vazhdojë të bërë ecejake shtëpi-spital gjatë gjithë dimrit…apo mbase gjatë gjithë jetës, sepse borxhi nuk do të mund të shlyhet as vitin tjetër, e as tjetrin, e as tjetrin…

*      *      *

  1. O ti vajzë që rri te porta, mos dëgjo se ç’thonë bota

Që të kthehemi pak tek shteti i munguar i së drejtës. Më kot lodhen organizmat e huaj të na bëjnë njerëz.  Erdhën dhe na dhanë konventa e dokumente dhe ne i nënshkruam me qejf, duke bërë edhe selfie në momentin e nënshkrimit. Por kush i lexoi? Në vitin 2003 bëmë ligjin e ri për sektorin e energjisë elektrike dhe guxuam të themi në ligj se modeli i tregut shqiptar për energjinë elektrike duhet të marrë para sysh direktivat e BE-së. Shqipëria nuk është as sot anëtare e BE-së, por ligjin për energjinë elektrike e futëm në BE. Asokohe u bazuam vërtet mbi Direktivën 2003/54, sepse helbete ligjin na e bëri Evropa. Pastaj, aty nga viti 2008 miratuam edhe modelin e tregut. Vë bast që zbatimi i këtij modeli ka ikur në drejtim të paditur, por kjo ka pak rëndësi, sepse në vitin 2009 BE e hodhi poshtë Direktivën 2003/54 dhe miratoi Direktivën 2009/72. Në këtë direktivë ka nja 10 nene që flasin për të varfëritë, se si atyre nuk u duhet ndërprerë energjia kur nuk paguajnë dot, se si shteti duhet të gjejë mënyra që këto borxhe të paguhen nëpërmjet skemave të ndihmës sociale, etj. Por kush e lexoi këtë direktivë? Kush e dinte që ekzistonte?

Për 4 vjet me radhë qeverisja e PD-së as nuk e kishte idenë që doli kjo direktivë në skenë. Prej më shumë se një viti edhe qeverisja e PS-së nuk ka pasur kohë të lexojë se çfarë ndodh ndonjë gjë interesante andej nga BE. Sipas ligjit në fjalë, ata që zbatojnë këtë ligj kanë detyrim ligjor t’i lexojnë dhe implementojnë direktivat për energjinë, por shteti ka mbetur injorant në raport me këto lexime. Kështu lind edhe guximi yt kryeministror për t’u shprehur se ky është modeli modern i shtetit, pikërisht sepse askush nuk të ka thënë ende të vërtetën. Askush nuk të ka thënë që ka edhe një Konventë për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore që i mbron këta të varfrit (pensionistë e poshtë) që shteti të mos u mohojë energjinë sepse nuk kanë për të paguar. Më kot lodhet Komiteti i kësaj konvente dhe nxjerr Komentet e Përgjithshme për interpretimin e konventës dhe e thotë troç që çdokush nga këta të varfrit duhet të ketë të drejtën të marrë energjinë për t’u ngrohur, gatuar dhe ndriçuar, pavarësisht nga gjendja ekonomike. Ndër të tjera, komiteti thotë edhe që kamatat duhet të falen etj etj. Por kujt ia tha? Atyre që rijnë gjithë ditën në facebook dhe e fikin vetëm kur duhet të bëjnë ndonjë dokument tenderi? Apo atyre që kalojnë dy orë te parukieri dhe rrobaqepësi për të dalë bukur në TV kur të shoqërojnë aksionin e radhës së policisë?

Aq rëndë jemi, sa edhe ministri që mbulon energjetikën tha në Kuvend se nuk u bë ky aksion për një vit rresht sepse nuk kishim ligje, dhe se vetëm së fundi Kuvendi ndryshoi Kodin Penal për të ndëshkuar vjedhësit e energjisë elektrike. Merr mundimin dhe thuaj ministrit kur ta takosh se ajo vepër penale aty ka qenë, të paktën që kur u bë elektrifikimi i Shqipërisë dhe ndër vitet e fundit janë dënuar me qindra persona. Thjesht u ndryshua maksimumi i dënimit nga dy vjet në tre vjet. Madje edhe ti si kryeministër duhet të kuptosh se dënimi nuk u bë me dënim fiks tre vjet sic e the një ditë plot gëzim, por “deri” në tre vjet, që do të thotë nga se mund të jetë edhe 10 ditë burg.

*      *      *

  1. Këshillë deri diku juridike

Kryeministër, meqë je nderuar nga vota e 1 milion shqiptarëve, demonstro respekt për ta dhe trajtoi të paktën ashtu sic ta kërkojnë konventat dhe direktivat. Të paktën lexo vetë, apo shtroi vartësit në sallën e leximit dhe të mësojnë ato që kanë nënshkruar paraardhësit e tyre. Mos mbulo diletantizmin dhe injorancën e tyre me arrogancë. Studio mirë situatën dhe lëri argumentet me pensionistë, për sa kohë ai qytetari nga Elbasani mund të qeshë me këtë argument, dhe pastaj të qajë sepse këto batuta televizive nuk i japin shpresë të jetojë shekullin e 21-të si të gjithë të tjerët. Jepu qytetarëve ato që të thotë bota dhe dilju borxhit atyre që nuk paguajnë jo sepse nuk duan dhe janë delinkuentë, por sepse nuk munden dhe shteti është diletant. Pastaj bjeru sa të duash atyre që nuk janë vërtet të varfër siç tregojnë dokumentet, atyre që janë të varfër por refuzojnë të futen në punën që u gjen zyra e punës, dhe atyre që mashtrojnë me dokumente që gjoja janë të varfër. Mos bëj të kundërtën, duke i rënë të gjithëve me sy mbyllur dhe pastaj të hiqesh si heroi i situatës duke u dhënë incentiva pasi kanë rënë të gjithë në burg. Atëherë do jetë tepër vonë dhe vetë ata nuk do dëshirojnë të dalin as nga burgu sepse aty të paktën ka drita dhe ja paguajmë ne të tjerët nga buxheti i shtetit, së bashku me kostot e tjera, që po të pyesësh ministrin e drejtësisë do të vësh duart në kokë kur të dëgjosh shifrën 70 mijë lekë në muaj për person.

  1. Një histori Indie

Për relaks po të tregoj edhe një histori të lezetshme nga India e dikurshme. Një guvernator i ri, dhe i bindur për aftësitë e tij menaxhuese, ishte i vendosur për të zgjidhur problemin e madh që shkaktonin kobrat helmuese. Kështu, pa u thelluar shumë gjeti një zgjidhje gjeniale. Miratoi një shpërblim për të gjithë ata që sillnin një kobra të vrarë. Kështu një ditë kobrat do të shfaroseshin. Por katundarët indianë ishin më të mençur se guvernatori. Ata krijuan rezervate ku i mbarështonin kobrat dhe kështu sillnin te guvernatori gjithnjë e më shumë kobra, duke marrë gjithnjë e më shumë para. Erdhi një moment që paratë e arkës së shtetit po mbaronin. Kështu, guvernatori gjenial dhe i bindur në aftësitë e veta, mendoi aty për aty një zgjidhje të problemit të dytë që iu krijua. Anuloi urdhrin e parë! Kështu do t’i jepte fund abuzimit. Katundarët indianë, të gjetur në këto kushte, nuk patën më interes për të rritur dhe mbarështuar kobrat dhe i lëshuan në natyrë. Por, tashmë numri i tyre ishte disa herë më i madh. Kështu, me anën e dy vendimmarrjeve të drejta në thelb, por të pastudiuara, edhe kobrat u shtuan tmerrësisht, edhe paratë e shtetit firuan…