Dijar Xhema u arrestua nga Antiterrori, pasi dhunoi dhe tentoi të rrëmbente tre persona në zona të ndryshme të Vlorës. Akuzohet për “vepra për qëllime terroriste”.
Një 29 vjeçar nga Mitrovica e Kosovës u arrestua në Vlorë, i akuzuar nga policia se ushtroi terror përreth 2 orë dhe tentoi të rrëmbente tre persona në zona të ndryshme të qytetit bregdetar. Policia e Shtetit deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se i akuzuari Dijar Xhemali i shoqëroi aktet e tij të dhunës me thirrjet “Allahu Akbar” apo “Jam i dërguari i Allahut”.
Sipas policisë, Xhema ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht qytetarët që tentoi të rrëmbente me automjetin e tij “Audi” me targa të Kosovës. Ai akuzohet gjithashtu se kundështoi dhunshëm forcat e policisë në momentet e arrestimit të tij, ndërsa gjatë kontrollit në makinë iu gjet një sasi kanabisi.
Arrestimi i 29 vjeçarit nga Mitrovica u krye nga policia e Vlorës dhe drejtoria e Antiterrorit në këtë qytet, të cilët po verifikojnë nëse ai ka shfaqur në të shkuarën tendenca radikale. Ndërkohë, policia deklaroi se Dijar Xhema është një person me precedentë penalë në Kosovë, “me rrezikshmëri shoqërore dhe tendenca të vrasjes, dhunimit të personit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Xhema akuzohet nga Policia e Shtetit për 4 vepra penale; “vepra për qëllime terroriste”, “nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave për qëllime terroriste”, “nxitje të urrejtjes ose grindjeve” dhe “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Hetimet e mëtejshme kundër tij do të zhvillohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Shkruhet “Allahu Ekber” në shqip, për kulturë demokratike, se mbaheni edhe media serioze.
Shkruhet “Zoti eshte i madh” ne shqip, per kulture kombetare dhe gjuhesore.