Udhëheqësi i Serbisë Aleksandar Vucic, gjatë një vizite në Kinë tha se ai dhe kryeministri kinez Li Keqiang, do të organizojnë bashkarisht një samit të udhëheqësve të Europës Qëndrore dhe Lindore në Beograd.
Aleksandar Vucic, i cili aktualisht po merr pjesë në një forum ekonomik në Kinë, ka rënë dakord me kryeministrin e Kinës Li Keqiang për organizimin e përbashkët të samitit të 16 udhëheqësve të Europës Qëndrore dhe Lindore në Beograd.
Samiti i mëhershëm u zhvillua nëntorin e kaluar në Bukuresht të Rumanisë.
“Kjo është një ngjarje e madhe për Serbinë. Për herë të parë që nga viti 1986, kryeministri i Kinës do të vizitojë Beogradin krahas 16 kryeministrave të tjerë. Një takim i tillë nuk është parë në Serbi që prej 30 apo 40 vjetësh,” deklaroi Vucic pas një takimi me Keqiang të mërkurën.
Të dy krerët e qeverisë ranë gjithashtu dakord që Kina do të ndihmojë Serbinë dhe Hungarinë për ndërtimin e një linje të re hekurudhore, vërejti Vucic.
Kontrata do të firmoset gjatë vizitës së Keqiang në dhjetor, ndërsa ndërkohë të tri palët do të bien dakord për një model të linjës së financimit.
Vucic tha se Serbia ka aktualisht shumë borxhe dhe nuk është në gjendje të financojë hekurudhën me fondet e veta apo me kredi të mëtejshme, të cilat mund ta rrisin më tej borxhin publik.
“Kjo është arsyeja se pse ne diskutuam shumë koncepte të ndryshme [me Kinën], përfshirë partneritetin publik dhe privat apo koncesionet,” tha Vucic, duke shtuar se hekurudha duhet të hapet brenda tri viteve.
Delegacioni i Serbisë u takua gjithashtu me përfaqësues të shumë kompanive madhore kineze dhe diskutoi mundësitë e investimeve kineze në Serbi.
Kompania Kombëtare e Inxhinjerisë Elektrike të Kinës, CNEEC, e cila pritet të fillojë ndërtimin e një zonte industriale në Serbi pranverën e ardhshme, shprehu interesimin për remontin e termocentraleve më të rëndësishme të Serbisë, Kolubara A dhe B.
“Ne i prezantuam kryeministrit të Serbisë propozimin teknik për remontin e termocentralit Kolubara A në Veliki Crljeni,” tha drejtori i CNEEC Jin Chunsheng.
Kompania e tij është gjithashtu e interesuar të investojë në tri kompani që po punojnë për sektorin e industrisë mekanike në Serbi.
“Si një prodhues i madh traktorësh në Kinë, CNEEC është e interesuar të prodhojë traktorë në Serbi, me një emër serb, por me teknologjinë e saj,” tha Jin.
Delegacioni i Serbisë në Tianjin u takua gjithashtu me përfaqësues të Korporatët së Ndërtimit të Hekurudhave të KInës, CRÇ dhe Korporatës së Pajisjeve të Telekomunikacionit Zhongxing, ZTE.
Vucic dhe delegacioni i Serbisë udhëtuan në Kinë të martën për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Tianjin.