Korrupsioni, pandëshkueshmëria ishin problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2015, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Korrupsioni është problemi më i rëndë në lidhje me të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, argumenton Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vet Praktikat e të Drejtave të Njeriut 2015, i cili u publikua më 13 prill 2016.
Byroja e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës pranë Departamentit Amerikan të Shtetit publikoi të mërkurën në mbrëmje raportin që analizon gjendjen dhe problemet me të drejtat themelore të njeriut në shumë vende të botës.
Në vlerësimin për Shqipërinë, raporti theksoi se problemet më kryesore me të drejtat e njeriut janë korrupsioni i përhapur në të gjithë organet qeveritare, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe shëndetësisë, si dhe dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave.
Pandëshkueshmëria mbeti një problem. Ndjekja penale dhe veçanërisht ndëshkimi i zyrtarëve që kryen abuzime ishte sporadik dhe jo i vazhdueshëm në vitin 2015 në Shqipëri.
“Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe biznesmenët e fuqishëm iu shmangën ndjekjes penale. Qeveria nisi disa investigime për zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria i rrëzoi më pas çështjet”, vlerëson raporti i DASH.
Raporti vlerëson çështjen e 21 janarit 2011 si një nga rastet që e ilustrojnë këtë pandëshkueshmëri.
Korrupsioni në polici ishte gjithashtu problem. Policia nuk e zbatoi gjithnjë ligjin në mënyrë të barabartë, por pati ndikime personale, politike dhe kriminale që kontribuoi në korrupsion dhe sjellje joprofesionale. Zyrtarët e lartë përdorën vazhdimisht burimet shtetërore për përfitim vetjak dhe anëtarë të forcave të sigurisë kryen gjithashtu abuzime.
110 çështje në gjashtë muajt e parë të vitit u ngritën kundër policëve lidhje me të drejtat e njeriut, kushtet në burg dhe respektimi i procedurave standarde. Akademia Shqiptare e Policisë ushtroi ndikim të papërshtatshëm ndaj punësimeve, heqjeve nga puna dhe promovimeve në polici. Rekrutimi i grave u përmirësua.
Shqipëria kritikohet në disa pika të raportit për diskriminim të komunitetit rom dhe egjiptian për strehimin, punësimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
Raporti përmend dëbimet e gushtit dhe shtatorit të komunitetit rom në Unazën e Madhe dhe në Liqenin Artificial, ku procedurat ishin të ngadalta, të paligjshme (prej dëbimeve pa paralajmërim dhe pa dokumente zyrtare), si dhe ndihma 2-vjeçare e qirasë nga Bashkia Tiranë u përcaktua e pamjaftueshme.
Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit nga ana tjetër shpërfilli ankesat e disa qytetarëve për shembjen e paligjshme të shtëpive.
Diskriminimi vazhdoi edhe në fushën e punës.
“Ligjet e punës të miratuara nga qeveria mbetën të dobëta, pati raporime të diskriminimit në punë bazuar në gjini, paaftësi, orientim seksual apo identitet gjinor, kombësi apo etni”, thuhet në raport.
Abuzimi me fëmijët, sipas DASH është i gjithëpërhapur, ndërsa martesat me forcë ose në moshë të hershme mbeten një problem në disa zona të vendit. Raporti vlerëson se ka pasur shumë fëmijë që janë zhvendosur nga shtëpitë ose që jetojnë në rrugë, veçanërisht nga komuniteti rom.
Vendi vazhdoi të ishte një burim dhe destinacion për burrat, gratë dhe fëmijët subjekt të trafikimit seksual dhe punës së detyruar.
Pronat nga ana tjetër mbetën një problem i pazgjidhur, sipas vlerësimit të DASH.
Liria e shtypit në Shqipëri ishte e brishtë, ndonëse garantohet nga Kushtetuta. “Media shqiptare denoncoi raste të kërcënimeve dhe dhunës nga kriminelët kundër gazetarëve, gjë që ka çuar në vetcensurë”.
Raporti vlerëson se një numër i vogël portalesh online dhanë pikëpamje më të pavarura ndaj lajmeve, ndërsa shtypi ishte nën presion politik në rritje.
Raporti Praktikat e të Drejtave të Njeriut 2015 mbikëqyr zbatimin e të drejtave kryesore ndërkombëtare të njeriut. Ndër këto të drejta përfshihen të mos qenët subjekt i torturës dhe dhunës, akteve çnjerëzore, trajtimit degradues apo ndëshkimit, paraburgimit të gjatë pa akuza, zhdukjes apo paraburgimit klandestin dhe të tjera shkelje të të drejtave të jetës, lirisë dhe sigurisë së personit.
“Në çdo pjesë të botës kemi parë shtim të një trendi nga aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë për të mbyllur hapësirën e shoqërisë civile, për të mbytur median dhe lirinë në internet, margjinalizuar zërat e opozitës dhe në raste më ekstreme të vrasin njerëz.
Mesazhi ynë për këto vende është se në vend të kërcënimit të procesit demokratik, një shtyp i lirë dhe një shoqëri civile e hapur janë arteria e një demokracie në lulëzim. Përmbajtja e raportit rinovon zotimin tonë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut,” tha Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry në prezantimin e tij.