Një grup i organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe rajoni, i dorëzuan të premten në Tiranë komisionerit të BE-së për energjinë dhe klimën një peticion me më shumë se 16,000 firma, duke kërkuar shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme energjetike.
Peticioni rajonal është bazuar në tri kërkesave: rritjen e eficiencës së energjisë në shtëpi, pastrimin e sistemeve të korruptuara energjetike të rajonit dhe adoptimin dhe përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave klimatike të BE-së.
“Vetëm brenda një viti, rezultatet e ndotjes së ajrit në Kosovë, shkaktojnë 835 vdekje të parakohshme, 600 raste të pranimeve në spital, dhe 11 600 vizita emergjente,” tha Kushtrim Kaloshi nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Advokim me bazë në Kosovë.
“Nëse këto janë rezultatet e përdorimit të qymyrit të pistë, a ia vlen të mbështesim projekte të ngjashme në të ardhmen,” pyet ai.
Peticioni është nënshkruar nga 16,230 qytetarë nga vendet rajonit që janë anëtare të Komunitetit të Energjisë. Peticioni u dha në ditën kur këshilli i ministrave të këtij institucioni miratoi një udhërrëfyes për të ardhmen e Komunitetit të Energjisë. Udhërrëfyesi përfshin planet për të miratuar legjislacionin shtesë mjedisor dhe legjislacionin sigurues, mbështetës si dhe përmirësime në kontrollet mbi ndihmat shtetërore.
Këto masa janë vendimtare për t’i dhënë fund standardeve më të ulëta mjedisore nga të cilat banorët e Komunitetit të Energjisë vuajnë në krahasim me BE-në, dhe për të ndalur rrjedhën e parave publike që është duke u shpenzuar në mënyrë të pavlerë në mbështetjen e burimeve të pista të energjisë.
Megjithatë, dokumenti është i zbehtë në detaje dhe nuk ka pozicione thelbësore në çështjen shumë të nevojshme të Komunitetit të Energjisë të forcimit të mekanizmave të zbatimit
Dejan Milovac nga organizata “MANS” nga Mali i Zi. thekson rëndësinë e politikave afatgjata. Në Mal të Zi, një tjetër njësi e termocentralit të linjitit “Pljevljes” me kapacitet të instaluar prej 254 MW është planifikuar.
“Vendim-marrja dritëshkurtër dhe e papërgjegjshme është tashmë duke lënë gjurmë të pakthyeshme në jetën e miliona banorëve në këtë pjesë të Evropës,” ai tha.
“Qymyri nuk është vetëm duke ndotur ajrin që ne thithim dhe tokën që ne përdorim për të kultivuar ushqimin për familjet tona, por është edhe duke korruptuar thellësisht të ardhmen e fëmijëve tanë, duke i lënë ata të përballen me pasojat e së nesërmes,” Milovac shtoi.
Ndërkohë që Shqipëria përfundon presidencën e saj të Komunitetit të Energjisë dhe Bosnja e Hercegovina fillon, Ermelinda Mahmutaj nga organizata mjedisore EDEN” në Tiranë shprehet se advokimi i kërkesave të peticionit do të vazhdojë.
“Politikat aktuale të vendeve të rajonit nuk kanë qëndrueshmëri dhe nuk kanë përputhshëmri në zbatim me drejtimin klimatik dhe të energjisë së BE-së,” tha Mahmutaj
“Në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona, pasi përmbushja e këtyre kërkesave është e mundur nëse ka vullnet politik dhe me një përdorim të zgjuar të burimeve të energjisë alternative që rajoni ynë ka, ” përfundoi ajo.