Vendimi i Këshillit Bashkiak për parkim nëntokësor në zonën e Parkut Rinia ka hasur me kundërshtim të aktivistëve mjedisorë dhe shoqërisë civile në Tiranë, sipas të cilëve projekti nuk sjell përfitim për qytetarët dhe ndot më tepër kryeqytetin.
Dhjetra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në Parkun Rinia këtë të shtunë për të protestuar kundër planit të Bashkisë së Tiranës për parkim nëntokësor në këtë zonë.
Aktivistët dhe qytetarët mbanin në duar pankarta si: “Kujdes zonë e minuar me parkingje”, “Rini e betonizuar” dhe “Tirana mall tezge”. Nisma “Mbro Qytetin” e quajti vendimin e Bashkisë Tiranë të nxituar dhe të pakonsultuar me komunitetin.
“Vendimi është marrë në mungesë totale transparence, shkel Konventën e Aarhus-it, nuk përputhet me filozofinë e bashkisë për Tiranën pa makina, si dhe nuk i shërben komunitetit,” thuhej në deklaratën për shtyp të Nismës “Mbro Qytetin”, e cila përbëhet nga aktivistë të shoqërisë civile, organizata dhe ambjentalistë.
“Niveli i ndotjes në kryeqytet rritet me disa herë, pasi makinat inkurajohen të vijnë drejt qendrës për të gjetur parkim, gjë që nuk e zgjidh problemin e ndotjes në Tiranë,” nisma shtoi.
Analisti Fatos Lubonja, pjesëmarrës në reagimin qytetar e konsideroi vendimin bashkiak si të përbërë nga tre elementë.
“Këtu kemi të bëjmë me injorancën, arrogancën dhe korrupsionin,” tha ai.
“Ky është një vizion i gabuar për qytetin, që lidhet me përfitimet klienteliste dhe me arrogancën e pushtetit, kombinim që sjell të keqen më të madhe,” shtoi Lubonja.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 30 dhjetor 2015, një plan për 11 pika të parkingjeve nëntokësore në Tiranë, përfshirë këtu edhe zonën e Parkut Rinia. Projekti i zonës së fundit është fituar nga kompania Taiëan sh.p.k, ku do të ndërtohet një parkim nëntokësor 4-katësh do të ketë kapacitet prej 1342 makina dhe do të jetë me koncesion 30-vjeçar, ku bashkia pritet të marrë 15 për qind të fitimeve.
“Projekti i bashkisë ka shumë shkelje ligjore dhe është në kundërshtim me Kodin Procedural, planin urbanistik të Tiranës dhe trashëgiminë kulturore,” tha në protestë juristi Artan Manushaqja.
Sipas aktivistëve bashkia ka marrë një vendim të nxituar dhe duhej të ishte konsultuar me palët e interesuara.
“Është e patolerueshme që ka një mungesë totale të konsultimit publik, me bizneset, shoqërinë civile dhe këdo që preket nga ky projekt,” tha Alida Karakushi, aktiviste e shoqërisë civile.
Një tjetër shqetësim për aktivistët është mundësia e shtjetërsimit të Parkut Rinia dhe pemëve ekzistuese të tij.
“Kurrsesi nuk mund të ndërtohet parkimi nëntokësor pa prishur më parë parkun ekzistues dhe të gjitha pemët shumëvjeçare të tij,” u shpreh Edvin Pacara, ekspert mjedisor.
“Ne e kundërshtojmë me forcë këtë gjë dhe do të vazhdojmë protestat kundër vendimit”, përfundoi ai.
Nisma “Mbro Qytetin” i kërkoi autoriteteve të përzgjedhin më mirë zonat e caktuara për parkingjet nëntokësore, pa prekur parqet, lulishtet dhe zonat e tjera të gjelbra të kryeqytetit.
Ofrimi i parkingjeve ne qender ndot me shume Tiranen. Makinat nuk duhet te futen fare ne qendren e qytetit. Ka kaq kohe qe thuhet kjo gje, behen e ster-behen plane rregulluese qe i meshojne kesaj ideje, nderkohe qe realiteti vetem perkeqesohet. Kjo bashki ka per detyre te permiresoje kushtet e transportit alternative makines, pra transportit publik, me biciklete dhe ecjen ne menyre qe te kemi nje qytet te shendetshem. Jetojme ne qytetin e kancerit. Nuk eshte ndonje shkence te rregullosh jetesen ne Tirane, mjafton te zgjidhet ceshja e transportit dhe hapesirave publike. Njerezit duhen nxitur ta lene makinen. Kjo bashki po i nxit ta perdorin me shume duke ju ofruar parkim ne kurriz te oksigjenit. Njerezit nuk e kuptojne cfare po ndodh ketu!!! Kjo eshte nje bashki qe behet bashkepunetore ne vrasjen e banoreve te saj!!!! STOP makinave ne Tirane!!! STOP politikes ‘ndryshe them e ndryshe bej’!!! STOP talljes me ne!!!