Raportimit të fenomenit të trafikimit në median shqiptare nuk i është dhënë ende fokusi i duhur, ku raportimet marrin kryesisht shkas nga lajmet e ditës, identiteti i viktimave zbulohet tërthorazi dhe ndjekja e rasteve është minimale.
Një monitorim i medias televizive mbi Raportimin në Media të Fenomenit të Trafikimit të Vajzave dhe Grave zbuloi se media shqiptare nuk po i trajton me profesionalizmin e duhur lajmet që lidhen me viktimat e trafikimit.
Në tryezën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore (UN Women) u prezantuan gjetjet e programit të përbashkët 2-vjeçar financuar nga Bashkimi Europian për rritjen e ndjeshmërisë së medias në fenomenin e trafikimit.
Sipas raportit që monitoroi tetë stacione televizive në Shqipëri, nga janari deri në dhjetor 2015 pati 100 kronika televizive për trafikimin. Ndër këto 84 për qind lidheshin drejtpërsëdrejti me trafikimin.
Trafikimi i grave dhe vajzave zinte 50 për qind të kronikave të lajmeve, ai i fëmijëve 26.7 për qind dhe 32.6 për qind diskutonte trafikimin e personave si dukuri. Trafikimi i organeve në vitin 2015 zuri vetëm 3 për qind. Ndërsa risi e 2015 qe rritja e numrit të raportimeve për trafikimin e të miturve.
“Media luan një rol të rëndësishëm në trafikimin e vajzave dhe grave, ajo ndikon shumë në dënimin ose jo të trafikantëve apo në marrjen e drejtësisë nga viktimat” tha në takim David Saunders, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri.
“Megjithatë sfidat më të mëdha të Shqipërisë janë raportimi etik dhe mungesa e profesionalizmit te gazetarët. Media duhet të përqendrohet te rrënjët e korrupsionit pasi ajo ka detyrën të ndihmojë qytetarët dhe t’i kërkojë llogari qeveritarëve,” shtoi ai.
Raporti zbuloi se trafikimi i brendshëm është një temë e panjohur për median shqiptare.
Lajmet morën sidomos shkas nga ngjarjet e ditës, ku arrestimet dhe operacionet e policisë zënë 42 për qind të kronikave, 12 për qind flasin për historitë e trafikimit ndërsa 11 për qind për trafikantët e dënuar. Shifrat më të ulëta u regjistruan te shërbimet e viktimave të trafikimit (1 për qind) dhe riintegrimi i tyre në shoqëri (0 për qind).
Sipas Mariana Meshi, presidente e koalicionit kombëtar të strehëzave antitrafik, media duhet të përqëndrohet gjithashtu në informimin e viktimave të trafikimit për mundësitë e ndihmës, që në raportin e vitit të kaluar mbi median e shkruar ishte 0 për qind.
Sipas monitorimit, 84 për qind e kronikave bazohen në një burim që është kryesisht Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit (32 për qind dhe 28 për qind).
Një tjetër shqetësim i hasur është zbulimi i të dhënave personale të viktimave të trafikimit, që ka ndodhur në 38 për qind të raportimeve të vitit 2015.
“Profesionalizmi i gazetarëve ishte problemi më shqetësues i monitorimit, ku duhet mbajtur parasysh se sensacioni i një lajmi nuk duhet vënë përpara dinjitetit të viktimave” tha në prezantimin e raportit ekspertja Valbona Sulçe.
Raporti vlerësoi gjuhën e kujdesshme dhe neutrale të medias televizive shqiptare për viktimat e trafikimit, por bëri thirrje të mos ngatërrohet trafikimi i personave me kalimin e paligjshëm të kufirit dhe klandestinët.
Në monitorim u tërhoq vëmendja për mungesën e ndjekjes së historive të trafikimit, që në 100 raportimet për viktimat e trafikimit në vitin 2015 nuk ndodhi në asnjë rast.
Raporti rekomandoi që gazetarët të thellohen në raportimet e tyre për të zbuluar shkaqet e trafikimit, të konsultohen me ekspertët e fushës, të ruajnë privatësinë e viktimave si dhe të mbështeten te raportet, studimet dhe analizat e përditësuara.
Zv. ministrja e punëve të brendshme dhe njëkohësisht koordinatorja kombëtare antitrafik, Elona Gjebrea i bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen duke raportuar viktimat e trafikimit në numrin e 116 006.