Qindra studentë protestuan kundër reformës së arsimit të lartë dhe dhunës së ushtruar ndaj aktivistëve të lëvizjes “Për Universitetin” të cilët kundërshtojnë prej një viti e gjysmë këtë reformë.
Qindra studentë u mblodhën në korpusin e universitetit të Tiranës dhe marshuan më pas drejt kryeministrisë në shenjë proteste për Ligjin e Arsimit të Lartë dhe dhunës policore të ushtruar ndaj studentëve protestues të këtij ligji një javë më parë.
“Sot ne dënojmë rritjen absurde të tarifave, dhunën burokratike, dhunën e jetës së vështirë dhe varfërisë studentore por mbi të gjitha dhunën e reformës rrënuese ndaj universitetit,” thanë aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” gjatë protestës.
“Ne kërkojmë prej kryeministrit tërheqjen e menjëhershme të zbatimit praktik të reformës rrënuese përpara se të jetë shumë vonë,” shtuan ata.
Protestës përpara kryeministrisë iu bashkuan fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës, si shkencat sociale, gjeologji minierave dhe studentë nga fakulteti i politeknikut.
Ata mbajtën pankarta si “jemi studentë, jo klientë”, “arsim publik falas”, “xhepat bosh, ëndrrat vjedhur” dhe “reforma nuk kalon”.
Studentët protestojnë prej mbi një viti e gjysmë kundër reformës së arsimit publik, e cila sipas ligjit të miratuar ndër të tjera synon të ndajë fondet publike me universitetet private.
Më 2 nëntor tetë studentë të lëvizjes ‘Për Universitetin” u shoqëruan në polici pas qëlluan me vezë drejt kryeministrit Rama pa e prekur atë. Studentët u liruan më pas, por ndaj disa prej tyre vazhdon ndjekja penale për kundërshtim të arrestimit nga forcat e policisë.
“Jemi bashkuar sot këtu kundër dhunës policore që mbron qeveritarët e korruptuar,” tha gjatë protestës Arlind Qori, profesor në Universitetin e Tiranës, ndërsa turma e studentëve brohoriste “turp!” “turp!”.
“Reforma është e sponsorizuar nga pronarët e diplomoreve private dhe mbrohet vetëm nga personat që kanë interes monetar nga kjo reformë që bie ndesh me arsimin publik,” shtoi ai.
Në mbyllje të protestës studentët paralajmëruan se kauza e ndalimit të reformës së arsimit të lartë do të vazhdojë.