Ekspertët dhe shtetasit në vendet e Ballkanit po ndjekin me vëmendje zhvillimet e referendumit në Mbretërinë e Bashkuar mbi qëndrimin apo largimin nga BE-ja, duke peshuar ndikimin që do të ketë ai në anëtarësimin e vendeve të tyre në BE.
Ndërsa janë të zënë duke ndjekur ndeshjet e kampionatit Euro 2016, duke planifikuar pushimet verore dhe duke luftuar për të mbijetuar në sëmundjet e ndryshme politike, ekonomike dhe sociale në rajon, ballkanas po i kushtojnë gjithashtu vëmendje referendumit britanik “për të qëndruar apo dalë” nga BE-ja, i cili do të mbahet të enjten.
Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, tha për Associated Press se vota dërgon një “mesazh disi të dëshpëruar” për vendet që aspirojnë për anëtarësim në BE, por shtoi se Bosnja nuk do të dekurajohet.
Izetbegoviç theksoi se BE-ja do të mbetet një frymëzim për vendet që t’i nënshtrohen reformave të dhimbshme për t’u bashkuar me bllokun si një garanci e prosperitetit.
“Votimi në Mbretërinë e Bashkuar do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë,” tha për BIRN Milosh Solaja, një profesor në Universitetin e Shkencave Politike të Banja Lukës.
“Nëse Britania del nga BE-ja, kjo do të inkurajojë të gjithë euro-skeptikët në vendin tonë, ashtu si në pjesën tjetër të kontinentit… Nga ana tjetër, nëse qytetarët britanikë vendosin të qëndrojnë në BE, kjo do të ndihmojë të gjithë ata që mbështesin Projektin Europian.”
Brexit shihet si zgjerim i dëmshëm
Solaja dhe të tjerë zyrtarë dhe ekspertë vërejnë se referendumi i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar do të ndikojë në rajonin e Ballkanit në mënyra të ndryshme.
Një dalje e mundshme Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të ketë ndikim të madh të drejtpërdrejtë në të ardhmen e BE-së, thonë ekspertët, duke nxitur skeptikët e BE-së në të gjithë Europën dhe duke bllokuar zgjerimin e mëtejshëm për vite me radhë.
Nga ana tjetër, një vendim për të qëndruar në BE do të nxisë procesin e integrimit europian, që shumë njerëz në Ballkan shpresojnë se do të përfshijë edhe vetë Ballkanin.
Në një editorial të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, botuar në UK Times në prill, Rama shkruan: “Si një mik i Britanisë, shpresoj sinqerisht që të votoni për të qëndruar”.
Ai përfundoi: “Unë jam i sigurt se Britania në BE është gjëja më e mirë për Europën dhe Shqipërinë”.
Pikëpamjet e tij janë reflektuar edhe në deklaratën e fundit të Izetbegoviçit në të cilën ai tha se britanikët do të gabojnë në qoftë se largohen nga “territori i qeverisur më mirë në botë”, e cila është aq i dëshirueshëm nga shumë njerëz që largohen nga konflikteve të gjithë botën.
Miodrag Vlahoviç, ish-ministri i jashtëm i Malit të Zi, ishte më pak optimist.
Ai i tha BIRN se sidoqë shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar të vendosin të enjten, Ballkani ka përpara kohë të vështira.
“Entuziazmi për zgjerimin është zhdukur prej kohësh në shumë kryeqytete europiane dhe edhe më shumë te taksapaguesit europianë,” tha ai, duke shtuar se ballkanasit e dëgjojnë qartë këtë mesazh.
“Lodhja” nga zgjerimi dhe ndikimi në rritje i Rusisë në rajon kanë bindur disa njerëz dhe zyrtarë të kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe NATO, vuri në dukje ai.
“Ndershmëria duhet të vlerësohet, s’ka rëndësi se nga ku ajo vjen,” tha ai, duke shtuar se në qoftë se Britania del nga BE-ja, anëtarësimi eventual i Malit të Zi në NATO do të bëhet edhe më i rëndësishëm.
Shumica e analistëve shqiptarë, ashtu si kolegët e tyre në pjesën tjetër të Ballkanit, besojnë se Britania e Madhe duhet të mbetet në BE.
Ilva Tare, një moderatore e një programi televiziv politik në Ora Neës në Shqipëri, vuri në dukje pasojat negative të Brexit për shtetasit britanikë gjithashtu. “Unë besoj se britanikët nuk do të ndjehen mirë në qoftë se në çdo kalim kufitar në Europë, ata do të duhet të tregojnë pasaportat e tyre, ose të kalojnë nëpërmjet kontrolleve të policisë,” tha ajo.
Zeljko, një 57-vjeçar nga Sarajeva, tha se ishte optimist se Britania e Madhe do të qëndrojë në BE. “Unë nuk jam i shqetësuar në lidhje me këtë referendum, për stabilitetin e BE-së… Mendoj se Britania e Madhe do të mbetet në BE, edhe pse është e vërtetë se ata gjithmonë e kanë parë veten më pranë SHBA-së,” vuri në dukje ai.
Por, ai ka pranuar se ky referendum mund të frymëzojë lëvizje të ngjashme në vende të tjera të BE-së në të ardhmen. “Ky referendum mund të paraqesë një rrezik të vërtetë për BE-në ngaqë mund të nxisë referendume të tjera në zona që mund të votojnë për pavarësi… si Katalonja në Spanjë,” paralajmëroi ai.
Shumë ballkanas janë apatik rreth referendumit:
Megjithatë, disa njerëz në Ballkan janë indiferent në lidhje me pasojat e daljes së Mbretërisë së Bashkuar, sepse për ata ky vend mbetet destinacioni më i vështirë ku mund të udhëtosh në krahasim me vendet e tjera të BE-së.
“Shqiptarët e kanë shumë të vështirë të marrin viza turistike për në Mbretërinë e Bashkuar, kështu që nuk besoj se do të përbënte ndonjë ndryshim për në nëse Mbretëria e Bashkuar qëndron apo jo në BE,” tha për BIRN Xhanfize Peçi, 55 vjeçe.
Debati publik në Bullgari mbi votimin në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i heshtur.
Qeveria e Bullgarisë ka shprehur mbështetje për qëndrimin e Britanisë në BE, me ministrin e jashtëm, Daniel Mitov, që e krahasoi BE-në pa Mbretërinë e Bashkuar me “Kampionatin Europian të futbollit pa ekipin e Mbretërisë së Bashkuar dhe golat e Ëayne Rooney”.
Në një artikull që zv/kryeministrja e Bullgarisë e cila është në krye edhe të politikave europiane, Meglena Kuneva, të botuar në gazetën Capital më 19 qershor, ajo thotë se Bullgaria është një mbshtetëse e vendosur e qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE, por shtoi se Bullgaria “duhet të jetë gjithashtu gati për një tjetër opsion”.
Ajo paralajmëroi se një “Brexit” mund të ndikonte në presidencën e parë të BE-së nga Bullgaria, e programuar për në vitin 2018, duke qenë se duhet të kryhet në partneritet me dy vende të tjera të BE-së, me Estoninë dhe Britaninë.
Megjithatë, kjo ka pak gjasa, duke qenë se sipar Marrëveshjes së BE-së, edhe nëse Mbretëria e Bashkuar del nga BE-ja, ajo ende do të marrë pjesë në procesin e marrjes së vendimeve në BE edhe për dy vjet në vazhdim pas deklarimit se dëshiron të dalë nga ajo.
Diaspora e Bullgarisë në Mbretërinë e Bashkuar është më e zëshmja për rreziqet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Sipas Anketimit të Përvitshëm Britanik në vitin 2014, janë 65,000 bullgarë në Britani. Kjo shifër nuk përfshin mbi 6000 bullgarë që studiojnë atje, si dhe shumë punëtorë të paregjistruar.
Ivaylo Iaydjiev, një hulumtues bullgar në Universitetin e Oksfordit thotë se shtetasit britanikë e perceptojnë BE-jë më tepër si një bashkim tregtar sesa si një “zgjedhje qytetërimi”.
Ai tha për gazetën Capital se, duke marrë në konsideratë rolin qëndror që ka marrë emigracioni në fushatën e referendumit në Britaninë e Madhe, do të ishte “një iluzion të mendosh se nuk do të kishte një limitim dramatik të lirisë së punës dhe lëvizjes së bullgarëve pas një Brixiti të mundshëm”.
Vendi më i ri anëtar i BE-së, Kroacia, gjithashtu qëndron larg argumenteve mbi referendumin e Britanisë së Madhe.
Vendi mbetet i shqetësuar me thellimin e krizës politike që me shumë gjasa do të çojë në zgjedhje të reja e të jashtëzakonshme në muajt e ardhshëm.
Ekspertë nga Raiffeisenbank Austri, RBA, në Kroaci vunë re se vëllimi i tregtisë midis Kroacisë dhe Mbretërisë së Bashkuar arriti në 1.2-1.7 për qind të importeve dhe eksporteve të Kroacisë midis vitit 2010 dhe 2015. Prandaj, ekonomia kroate nuk do të vuante shumë nga cilido qoftë rezultati i referendumit, thonë ata.
Edhe pse turistët britanikë e vizitojnë gjithnjë e më shumë Kroacinë dhe konsiderohen shpenzuesit më të mëdhenj ndër turistët në Kroaci, analistët e RBA-së thanë se rezultati i referendumit në Britaninë e Madhe nuk kishte gjasa të ndikonte tek numri i turistëve britanikë që vizitojnë vendin.