
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani, shprehet për Balkan Insight se CEZ i solli rreth 600 milion euro dëm Shqipërisë prej keqadministrimit.

Pyetje: CEZ Group vlerëson se ka humbur rreth 200 milion euro nga investimi në CEZ Shpërndarje pasi iu hoq licenca e operimit në rrjetin elektrik. Cili është opinioni juaj në lidhje me historinë e CEZ Group në Shqipëri?
Përgjigje: Dëmi i bërë në ekonominë shqiptare dhe në sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ Shpërndarje ishte të paktën tri herë më i lartë [se 200 milion]. E bazoj këtë në faktet që kemi mbledhur dhe analizuar, që do të prezantohen nëse mosmarrëveshja shkon drejt gjykatës së arbitrazhit. Humbjet erdhën prej mungesës së investimit nga CEZ, që nuk ia doli t’i mbante investimet në linjën e programuar me planin që Enti Rregullator i Energjisë, ERE, kishte miratuar.
Në vitin 2012, investimet e CEZ kapnin shifrën prej vetëm 10 për qind nga ato të planifikuara, dhe në vitin 2011, përbënin vetëm 50 për qind. Administrimi i dobët i kompanisë nuk filloi vetëm disa muaj përpara se t’i hiqej licenca, kur problemet u bënë të dukshme. Humbjet në rrjetin e energjisë elektrike kishin arritur 50 për qind, që do të thotë se gjysma e elektricitetit nuk po faturohej. Ndërkohë, importi i elektricitetit për të mbuluar këto humbje nga CEZ Shpërndarje ndaloi në shtator. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ERE për të arritur një zgjidhje nuk morëm përgjigje nga ana ceke, veçanërisht katër muajt e fundit të vitit 2012.
Pyetje: CEZ Group zotëron 76 për qind të CEZ Shpërndarje. Do t’i bëjë kombëtare qeveria këto aksione dhe nëse po, si do të zbatohet progresi? Po përgatitet qeveria për betejën në gjykatën e arbitrazhit?
Përgjigje : CEZ Shpërndarje, në të cilën CEZ Group zotëron 76 për qind të aksioneve, i ka bërë të qarta detyrimet e veta, të kriterizuara në kontratën e privatizimit që ka firmosur me Ministrinë e Ekonomisë në vitin 2009. Kompania çeke e dinte se nëse nuk përmbushte detyrimet, ERE mund ta tërhiqte licencën. Struktura Rregullatore e ERE për modelin e tregut të elektricitetit gjithashtu qartëson obligime specifike për pakësimin e humbjeve në rrjetin elektrik dhe mbulimin nëpërmjet importeve të elektricitetit. Shumë prej këtyre obligimeve u nëpërkëmbën, që përbën edhe arsyen përse kompania humbi licencën më 21 janar të vitit 2012. Kompania e pranoi në bisedimet me ERE se nuk mund të vazhdonte operimin. Për shkak të dështimeve të veta në disa zona që përbënin objektivat, ERE e tërhoqi licencën e shpërndarjes dhe furnizimit me elektricitet të CEZ Shpërndarje. Pa këto dy licenca, kompania e humbi të drejtën të operonte në treg, dhe ERE i dha mandat një administratori të përkohshëm për të mbikëqyrur kompaninë derisa problemet e aksionerëve të zgjidhen. Qeveria qëndroi e patundur rreth nevojës për një zgjidhje të negociuar mbi pronësinë e kompanisë. Ajo ofroi t’i blinte aksionet e CEZ me një çmim simbolik derisa mosmarrëveshjet të zgjidheshin. Megjithatë, CEZ Group refuzoi. Dy kompani do të zgjidhen për të bërë auditin teknik dhe financiar të CEZ Shpërndarje. Sapo ta dimë sa vlen kompania, qeveria do të fillojë procesin e shpronësimit. Nëse nuk gjendet një zgjidhje në vlerën e aksioneve të zotëruara nga CEZ Group në kompani, çështja do të shkojë në gjykatë. Kemi shumë prova në lidhje me dëmet që rënduan mbi ekonominë dhe rrjetin elektrik të shpërndarjes së energjisë prej administrimit të dobët të kompanisë.
Pyetje: Përjashtimi i CEZ nga Shqipëria mund të dëmtojë imazhin e saj mes investitorëve të huaj. Kishte zgjidhje tjetër veç heqjes së licencës operative të kompanisë?
Përgjigje: Me kalimin e kohës më shumë investitorë po ndërgjegjësohen se CEZ Group bëri gabime në administrimin e CEZ Shpërndarje. Ekzekutivët e CEZ po bëjnë deklarata dëmtuese për imazhin e Shqipërisë, që nuk janë të vërteta. Kur e vlerësuam më parë dëmin që ishte bërë nga CEZ, me vlerë rreth një miliard dollarë, përfshihej edhe dëmi i bërë ndaj imazhit të Shqipërisë. Heqja e licencës së CEZ nuk ishte një vendim i lehtë. Gjatë gjithë vitit 2012, ERE vazhdimisht i kërkoi CEZ Shpërndarje të përmbushte detyrimet, por kompania vazhdoi të përgjigjej se e kishte të pamundur nga ana financiare. Pas shtatorit, CEZ Shpërndarje e pranoi te ERE se kompania nuk mund të operonte më për shkaqe financiare. U mbajtën negociata edhe në nivel qeveritar të brendshëm, por nuk u arrit zgjidhje. U bë e qartë se CEZ Group kishte marrë vetë vendimin për t’u tërhequr nga tregu shqiptar i elektricitetit.
Pyetje: Planifikon qeveria ta privatizojë sërish kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike?
Përgjigje: Kompania është në administrim të përkohshëm derisa të zgjidhet çështja e vlerësimit të aksioneve. Sikurse çdo aset tjetër strategjik i zotëruar nga shteti, sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike mund të privatizohet përsëri. Operimi nga shteti i një kompanie në një treg aq delikat është i vështirë. Natyrisht, një kompani e huaj private e specializuar, me eksperiencë dhe reputacion do të jetë, sipas besimit tim, pronarja e re në të ardhmen e afërt.