Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Analiza

Projekti për rindërtimin klasik të Shkupit po vijon në pafundësi

Sinisa Jakov MarusicNgaSinisa Jakov Marusic
06:45 | 02/09/2014
Në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Artikull kryesor Rajoni, Në Fokus, Rajoni, Reportazhe
Kohe leximi: 10 minuta
A A
0
Projekti për rindërtimin klasik të Shkupit po vijon në pafundësi
Share on FacebookShare on Twitter

Shkupi 2014 do të duhet të ndryshojë emrin, për shkak se rimodelimi kryeqytetit të Maqedonisë, i financuar nga qeveria, vijon të shtohet në elementë të tjerë dhe është shumë larg përfundimit.

Sheshi kryesor i Shkupit, “Maqedonia”, po pajisjet edhe me një shatërvan tjetër | Foto nga Sinisa Jakov Marusic
Sheshi kryesor i Shkupit, “Maqedonia”, po pajisjet edhe me një shatërvan tjetër | Foto nga Sinisa Jakov Marusic

Rindërtimi masiv në stilin klasik të kryeqytetit të Maqedonisë, me emrin “Shkup 2014”, projekt që ka realizuar dhjetëra ndërtesa të reja dhe statuja të shumta të stërmëdha bronzi apo mermeri me synimin për të zbukuruar qytetin, nuk do të përfundojë këtë vit.

Pavarësisht emrit “2014”, projekti – i cili filloi më 2010 – është shtuar në përmasa që nga ajo kohë, aq sa punët ndërtimore do të vijojnë edhe për shumë vite të tjera.

Balkan Insight mundi të zbulojë se, që kur filloi, numri i ndërtesave të reja të realizuara apo të planifikuara, sheshet, shatërvanët dhe urat që përbëjnë projektin janë dyfishuar.

Këtu nuk përfshihet numri i fasadave të vjetra të rirregulluara, të cilat që nga plani fillestar janë dhjetëfishuar.

Vetëm këtë vit, autoritetet nënshkruan kontrata të reja dhe njoftuan për dhjetëra tenderë për fasada të reja.

Ndërkohë, politikanët vijojnë të marrin pjesë nëpër ceremoni inaugurimi për ndërtime të reja.

“Projekti qartazi nuk do të përfundojë këtë vit, apo vitin tjetër. Kam përshtypjen se projekti nuk synon të përfundojë fare – për shkak se nëse përfundon, do të vijë koha për ta vlerësuar,” thotë Nikola Naumovski, një aktivist nga organizata “Plostad Sloboda” [“Sheshi i Lirisë”], në Shkup.

“Njerëzit do të fillojnë të pyesin se ku shkoi një gjysmë miliardi eurosh prej buxhetit dhe nëse këto para qenë të justifikuara,” shton ai.

Ndërtesë e re për zyra qeveritare në qendër të Shkupit | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic
Ndërtesë e re për zyra qeveritare në qendër të Shkupit | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic

Përgjatë viteve të fundit, kjo organizatë ka qenë në ballë të kritikave për projektin, duke hedhur poshtë stilin artistik të zgjedhur, i cili frymëzohet nga antikiteti klasik si shije e keqe.

Ajo kundërshton gjithashtu çmimin e vlerësuar të projektit, për të cilin thotë se është i tepërt për njërin prej vendeve më të varfra në Europë.

Qeveria dhe Qyteti i Shkupit, dy lojtarët kryesorë në këtë makijazh, drejtohen që të dyja nga partia VMRO DPMNE e udhëhequr nga Nikola Gruevski dhe nuk dëshirojnë të flasin mbi përmasat e projektit apo të japin një datë për përfundimin e tij.

Gjithsesi, ata hedhin poshtë akuzat se projekti është shoqëruar nga korrupsioni në shkallë të gjerë dhe këmbëngulin se çdo gjë po ecën sipas planit.

“Ne jemi të lumtur që pothuajse të gjitha projektet e planifikuara të bëjnë pjesë te Shkup 2014 ose janë financuar ose janë në një fazë të përparuar të ndërtimit,” i tha Balkan Insight-it shërbimi i shtypit të qeverisë.

“Qeveria do të vijojë të mbështesë zhvillimin e kryeqytetit dhe do të ndihmojë financiarisht sa herë që e sheh të nevojshme,” shtoi ai.

Ndërsa ndërtimi vijon, një ndryshim i dukshëm është që nga viti i kaluar, kur opozita fitoi kontrollin e bashkisë Qendër të Shkupit, bashkia ka humbur rolin e mëparshëm kyç që kishte në ngritjen e monumenteve në shkallë të gjerë apo ndërtimin e urave të financuara nga qeveria.

Roli i bashkisë Qendër e Shkupit është zëvendësuar tashmë në shkallë të gjerë nga Qyteti i Shkupit.

Gjithçka filloi me një video

Kjo kishë në qendër të Shkupit u pëfshi në videon fillestare promocionale | Foto nga Sinisa Jakov Marusic
Kjo kishë në qendër të Shkupit u pëfshi në videon fillestare promocionale | Foto nga Sinisa Jakov Marusic

Në vitin 2010, shumë pak njerëz besonin se një video promocionale e paguar nga qeveria e quajtur “Kryeqyteti i Përjetshëm i Maqedonisë, Shkupi 2014”, e cila u shfaq në YouTube dhe që përmbante një vizualizim kompjuterik të qendrës së qytetit, do të bëhej së shpejti një realitet.

Nëse e gjykojmë tani më 2014, vitin kur sugjerohej se projekti do të përfundonte, pyetja nuk është nëse ndërtesat dhe statujat e planifikuara janë përfunduar në kohë apo jo, por sa ndërtesa e statuja të tjera do të vijojnë.

Video fillestare paraqiti 44 ndërtesa, ura, monumente, fasada të reja e përshtatje të tjera.

Balkan Insight ka numëruar 37 të përfunduara dhe 5 në fazën e fundit të punimeve. Në dy raste, ndërtimi nuk ka nisur ende.

Nga të 12 ndërtesat e reja të planifikuara në video, gjashtë janë përfunduar dhe pesë janë pranë përfundimit. Vetëm në rastin e selisë së re të Bankës Qëndrore ndërtimi nuk ka filluar ende.

Nga të 24 monumentet e reja prej mermeri dhe bronzi si dhe përshtatjeve të tjera në video, 23 janë plotësuar. Disa punë mbeten për t’u kryer në një kolonadë që do të dekorohet me muza dhe luanë bronzi.

Video njoftoi gjithashtu ndërtimin e dy urave të reja për këmbësorët dhe ridekorimin klasik të mureve anësore të Urës Goce Delcev, një nga arteriet kryesore të trafikut të makinave në Shkup, gjë që është bërë sakaq.

Video tregonte edhe për pesë fasada të vjetra që do rinovoheshin, më e rëndësishmja e të cilave qe ndërtesa e parlamentit. Vetëm një nga këto fasada mbetet e pandryshuar.

Gjithsesi, që nga viti 2010, Balkan Insight ka numëruar 64 projekte të tjera ndërtimore të realizuara apo në rindërtim që përputhen me stilin artistik të Shkupit 2014.

Këtu nuk përfshihen fasadat e planifikuara së fundmi, të cilat e kanë rritur numrin e projekteve me më shumë se 60 të tjera. Vetëm pesë prej valës së fundit të projekteve qenë paraqitur në videon fillestare.

Shumica e ndërtesave dhe monumenteve të shtuara së fundmi janë të financuara nga qeveria dhe vetëm disa financohen nga qyteti apo nga sektori privat.

Një numërim zbulon se ndërsa video fillestare tregonte vetëm 12 ndërtesa të reja, së paku 16 të tjera janë shtuar në listë. Shumica janë përfunduar sakaq ose janë në fazat e fundit të ndërtimit.

Teatri Kombëtar, Muzeumi i Përpjekjes së Maqedonisë, Muzeumi i Arkeologjisë dhe Ministria e Jashtme janë sakaq pjesë e panoramës së qytetit.

Ndërtesat e reja të Zyrës së Auditit Shtetëror, të Administratës së Qytetit, selia qendrore e kompanisë ujore të qytetit dhe Fakulteti i Arteve të Dramaturgjisë – që të gjitha nën ndërtim aktualisht – nuk qenë fare pjesë e reklamës fillestare.

Më 16 gusht, Qyteti i Shkupit nënshkroi një garanci për një kredi për kompaninë e punëve ujore me vlerë 7.3 milionë euro që kjo kompani pati marrë nga bankat tregtare me synimin për të përfunduar ndërtesën e saj gjysmë të ndërtuar.

Partia në pushtet VMRO DPMNE po ndërton gjithashtu selinë e vet qendrore në qendër të qytetit, duke zgjedhur stilin e parapëlqyer arkitekturor të Shkupit 2014.

Ministria e re e financës nuk qe pjesë e planit fillestar | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic
Ministria e re e financës nuk qe pjesë e planit fillestar | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic

Edhe disa parkingje shumëkatëshe makinash janë ndërtuar sipas mendësisë së Shkupit 2014.

Në gusht, Ministria e Transportit lëshoi një thirrje për tender për tre ambiente nën pronësi shtetërore në zonën qendrore të qytetit pranë kështjellës të dizenjuara për të realizuar hotele dhe mjedise të tjera biznesi.

Pjesëmarrësit e interesuar në ankandin elektronik që do të kryhet më 30 shtator janë informuar se ndërtesat e reja do të duhet doemos të realizohen sipas stilit klasik të parapëlqyer të Shkupit 2014.

Kur vjen puna për urat, Shkup 2014 në videon fillestare paraqiti dy ura të reja këmbësorësh, të cilat janë ndërtuar sakaq nga Bashkia Qendër, Ura e Qytetërimit dhe Ura e Artit.

Gjithsesi, këtë muaj, Qyteti i Shkupit nënshkroi një kontratë me vlerë 18.5 milionë euro për të ndërtuar një urë të tretë këmbësorësh, e cila do të plotësohet pranë karuselit gjigand të realizuar sipas stilit të Syrit të Londrës (London Eye). Ndërtimi vlerësohet se do të zgjasë pesë vjet.

Autoritetet planifikojnë të ndërtojnë së paku dhe një urë tjetër këmbësorësh në qendër, për të lidhur Kishën e Nënës së Shenjtë të Zotit me bregun tjetër të Lumit Vardar.

Kur vjen puna për t’i dhënë ndërtesave ekzistuese fasada të reja, video tregon vetëm pesë të tilla për t’u rindërtuar, përfshirë parlamentin. Por Balkan Insight ka numëruar nëntë ridizenjime fasadash deri tani.

Përgjatë viteve të fundit nuk ka mbetur pothuajse asnjë ndërtesë me rëndësi në qendër të qytetit që nuk është shënjuar për t’u pajisur me një fasadë të re.

Në total, numri i fasadave që po ribëhen ka arritur në 60 dhe Qyteti i Shkupit ka lëshuar thirrjen e vet të fundit për një tender për kompani ndërtimi në fillim të gushtit.

Rindërtime të tjera madhore përfshijnë punime në selinë qendrore të qeverisë, të cilat synojnë t’i veshin ndërtesës moderniste kolona me pamje antike.

Qendra Tregtare e Qytetit, një ikonë e Modernizmit, e ndërtuar në vitet 1970, pritet ndërkohëtë përjetojë një dimër ndryshimesh pavarësisht një fushate aktivistësh që dëshironin ta ndalonin, udhëhequr nga Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë.

 

Të dhënat

Plani fillestar Realiteti sot
44 projekte të shfaqura në videon fillestare 64 projekte shtesë ndërtimi dhe mbi 60 rimodelime fasadash
12 ndërtesa 16 ndërtesa
24 monumente 34 monumente
2 ura të reja 2 ura të reja
1 rimodelim ure 2 rimodelime urash
5 fasada të rimodeluara Mbi 60 fasada të rimodeluara
5 galeonë në lumin Vardar
5 sheshe të reja apo të rimodeluara

Selia qendrore e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, EVN, e cila konsiderohet si ndërtesa e parë në Shkup e realizuar sipas sistemit modernist me fasadë hekuri dhe xhami, njësoj si ndërtesa e OKB-së në Nju Jork, po përshtatet gjithashtu për të marrë pamjen neoklasike të ndërtesave përreth.

Sheshi kryesor Maqedonia është gjithashtu në plan për t’u rimodeluar edhe pse rikonstruksioni i fundit u krye vetëm dhjetë vjet më parë.

Sheshi pritet të pajisjet me kalldrëm të ri bardhë e zi që do të krijojnë tipare floreale në terren. Po instalohet edhe një shatërvan i ri në nivel me tokën.

Disa qindra metra më tutje, në anën tjetër të lumit të Vardarit, autoritetet po përgatiten për të ndërtuar një shesh tjetër, me emrin e Nënë Terezës, i cili do të vendoset në majë të platesë para ndërtesës së Operas dhe Baletit.

Analisti politik Alaydin Demiri beson se transformimi tërësor i qytetit do të vijojë në pafundësi, për shkak se kjo reflekton dëshirat personale të kryeministrit Nikola Gruevski.

“Shkupi 2014 është projekti madhor i Gruevskit dhe ai dëshiron të mbahet mend për krijimin e Maqedonisë së re, një Maqedonie antike,” i tha ai Radios Europa e Lirë.

Sa ka kushtuar?

Të gjitha ndërtesat përreth statujës së revolucionarit të epokës osmane Hristo Uzunov do të kenë fasada të reja. | Foto nga Sinisa Jakov Marusic
Të gjitha ndërtesat përreth statujës së revolucionarit të epokës osmane Hristo Uzunov do të kenë fasada të reja. | Foto nga Sinisa Jakov Marusic

Ndërsa vitin e kaluar qeveria tha se ka shpenzuar në total vetëm pak më shumë se 200 milionë euro në projekt, opozita këmbëngul se shifra totale ka gjasa që të arrijë në mbi gjysmë miliardi euro.

Video për Shkupin 2014 paraqiti 24 monumente të reja prej mermeri dhe bronzi apo zbukurime të tjera, të cilat janë ndërtuar sakaq, përfshirë statujën ekuestriane gjigante të Aleksandrit të Madh dhe një hark triumfi të quajtur Maqedonia. Shtesa të tjera përfshijnë një terracë dëfrimesh dhe disa shelgje të mbjella në ishuj artificialë mbi lumin Vardar.

Por jo më pak se 34 monumente shtesë janë ngritur ndërkohë apo janë planifikuar të ndërtohen, sipas numërimit të Balkan Insight. Edhe shumë të tjera janë rrugës.

Të pashfaqura në video janë komplekset e statujave dhe shatërvanet dhjetëra metra të larta që janë ndërtuar në Sheshin Filip dhe në sheshin e sapondërtuar të Nënës së Shenjtë të Zotit.

Në mes të korrikut, bashkia e Shkupit e drejtuar nga maxhoranca qeverisëse miratoi pesë monumente të reja, më së shumti për revolucionarë maqedonas të shekullit të 20-të.

Këto qenë dhuratë, thanë autoritetet, nga një organizatë e panjohur më parë me bazë në Shkup e quajtur “Shoqata për Bashkimin Shpirtëror të Setincit, Popadincit dhe Krushoradit”.

Opozita tha se dyshonte se pas shoqatës fshihej qeveria dhe se ajo qe krijuar për të fshehur origjinën e parave. Për këtë ajo kërkoi një hetim.

“Kush janë këta njerëz që krejt papritur po japin para për monumente të reja,” pyeti kryebashkiaku i njësisë Qendëre Shkupit, nga opozita, Andrej Zernovski.

Ai vërejti me ironi se ndërsa organizatat gjithkund tjetër nëpër botë duhet të luftojnë për të fituar paratë e shtetit, “në Maqedoni organizatat janë kaq të pasura sa ndihmojnë qeverinë.”

Seli e re qendrore për partinë VMRO DPMNE | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic
Seli e re qendrore për partinë VMRO DPMNE | Foto nga: Sinisa Jakov Marusic

Balkan Insight kontaktoi organizatën në fjalë, e cila qe regjistruar me adresë në shtëpinë e presidentit të saj, Tasko Jovanov, në lagjen periferike të Shkupit, Karposh.

Ivanov nuk kishte dëshirë të fliste për përmasat apo origjinën e donacionit për monumentet, duke këmbëngulur se ai në një farë pike do të lëshonte një deklaratë të shkruar.

Ndërkohë, autoritetet e Shkupit kanë filluar ndërtimin e platformave për monumentet e planifikuara.

Një hetim mbi projektin Shkupi 2014, të cilin kryebashkiaku Zernovski e doorëzoi te prokuroria e shtetit më gusht 2013, pretendoi se kryebashkiaku paraardhës i tij, Vladimir Todorovic, abuzoi me së paku 8 milionë euro për memorialet, duke favorizuar konkurrentë më të kushtueshëm.

Gjatë kohës së Todorovicit, qeveria i dha kësaj bashkie më shumë se 60 milionë euro për të ngritur monumente.

I njëjti hetim zbuloi se shumat e paguara për autorët e statujave nuk qenë të detajuara, kështu që qe e paqartë se sa para shkuan për materialet dhe sa qenë fitimet e autorëve.

Një vit më pas, prokuroria nuk ka thënë ende nëse do të nisë një hetim formal mbi kallëzimin apo jo.

“Edhe një fëmijë mund ta shohë se ka diçka të kalbur në të gjithë projektin. Dikur unë e quajta projektin Shkup 2014, një projekt klepto-patriotik dhe i qëndroj kësaj,” tha Zernovski.

Diçka për të qenë krenar

Hoteli i ri Marriott pranë përfundimit| Foto nga Sinisa Jakov Marusic
Hoteli i ri Marriott pranë përfundimit| Foto nga Sinisa Jakov Marusic

Kryeministri Gruevski deklaroi në mars në një emision televiziv se financimet për projektin qenë transparente.

“Ne kemi zbuluar koston ekzakte të projektit dhe kemi kontratat për ta vërtetuar atë. Gjithë e gjithë, do të kushtojë 208 milionë euro pasi të përfundojë,” tha ai.

Ai këmbënguli se kori i kritikave po pengonte shumë njerëz nga të kuptuarit të rëndësisë së vërtetë të projektit. “Sapo mjegulla të bjerë, vetëm veprat tona do të mbeten, dhe atëherë ne do të shohim vlerën e saj të vërtetë,” tha ai.

“Kjo është për ne, maqedonasit,” shtoi Gruevski, duke vërejtur se “shumë njerëz janë të hutuar nga sulmet e shumta, akuzat, bërrylat dhe gënjeshtrat” që vijnë nga opozita.

“Tashmë që shumë ndërtesa dhe monumente janë përfunduar, numri i mbështetësve [të projektit] është rritur,” pretendoi ai.

Duke folur për pretendimin se mbulimi i Shkupit me monumente qe një keqpërdorim masiv parash, Gruevski tha se qyteti më në fund po bëhet një atraksion turistik dhe çdokush mund të jetë krenar për këtë.

“Ne tashmë kemi diçka për të treguar. Turistët duan të shohin diçka interesante, tërheqëse, diçka që është unike,” konkludoi ai.

Tjetri
Liqeni i Fierzës

Peshkatarët shqiptarë i vijnë hakut peshkut vrasës 'jugosllav'

Më të lexuarat

Projekti për rindërtimin klasik të Shkupit po vijon në pafundësi

Projekti për rindërtimin klasik të Shkupit po vijon në pafundësi

06:45 | 02/09/2014
KQZ fal kryebashkiakun e Mallakastrës për dënimin në Greqi

Tre kryebashkiakë rrezikojnë gjoba për ‘keqpërdorim të fondeve publike’ në fushatë

19:19 | 24/03/2023
Sulm mafioz ndaj Top-Channel, humb jetën roja 60 vjeçar

Sulm mafioz ndaj Top-Channel, humb jetën roja 60 vjeçar

10:35 | 27/03/2023
Gjyqtarja e Apelit, Fatmira Hajdari ngel në veting

Argumentet e Kolegjit për shkarkimin e Fatmira Hajdarit

17:44 | 22/03/2023
Shqiptarët u përballën me rënie të ndjeshme të pagave më 2016

Paratë e drogës si faktor i mosrritjes së pagave

13:42 | 21/03/2023
Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:09 | 18/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.